Detyrimet e jetës. Tre fusha të gjëra të eksperiencës njerëzore që çdo individ duhet të përball: detyrimet e ushtrimit të një profesioni ose pune shoqërisht të dobishëm; të ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore të dobishme; dhe përmbushja e rolit në dashuri, martesë dhe familje.
KUPTIMI I JETËS
Qeniet njerëzore jetojnë në mbretërinë e kuptimeve. Ne nuk i përjetojmë gjërat në termat abstraktë: gjithmonë i provojmë në termat njerëzorë. Madje, që në origjinë, përvoja jonë është zhvilluar nga perspektiva njerëzore.
“Dru” ka kuptimin e drurit në lidhje me njerëzimin dhe “gur” ka kuptimin e gurit si një faktor në jetën njerëzore. Ai, që përpiqet të marrë parasysh rrethanat, duke lënë mënjanë kuptimet, do të jetë shumë i pafat: do të izolohet nga të tjerët dhe veprimet e tij do të jenë të padobishme për të dhe për këdo tjetër; me një fjalë, ato do të jenë pa kuptim. Por asnjë qenie njerëzore nuk mund t’u shmanget kuptimeve. Ne e përjetojmë realitetin vetëm nëpërmjet kuptimeve që ia atribuojmë atij: jo ashtu siç është, por si diçka e interpretuar. Është e natyrshme të arrijmë në përfundimin se ky kuptim është gjithmonë i papërfunduar ose i paplotësuar dhe se kurrë nuk mund të jetë tërësisht i drejtë. Në këtë mënyrë, mbretëria e kuptimeve është mbretëri e gabimeve.
Nëse pyesim dikë “Ç’kuptim ka jeta?”, ka mundësi që të mos jetë në gjendje të përgjigjet. Shumica e njerëzve nuk shqetësohen për këtë pyetje ose nuk përpiqen t’i japin përgjigje. Është e vërtetë se pyetja është aq e vjetër sa vetë njerëzimi, madje në kohën tonë jo vetëm rinia, por dhe të moshuarit shpesh do të pyesin “Po çfarë është jeta? Çfarë kuptimi ka ajo?” Megjithatë, është e drejtë të themi se ata do t’i bëjnë këto pyetje, vetëm po të dështojnë në jetë ose po të sëmuren. Për aq kohë sa jeta është e qetë dhe ata nuk përballen me vështirësi, kjo pyetje nuk diskutohet asnjëherë. Më saktë, ajo ekziston në veprimet e njerëzve, shfaqet në mënyrë të pavetëdijshme tek ata dhe merr përgjigje.
Nëse mbyllim veshët ndaj fjalëve dhe përqendrohemi në veprimet e vrojtuara, do të vëmë re se çdo person ka të formuluar “kuptimin e jetës” së tij individuale dhe se të gjitha mendimet, qëndrimet, lëvizjet, shfaqjet, mënyrat, ambicjet, zakonet dhe veçoritë e karakterit të tij janë në përputhje me kuptimin e tyre.
Çdo njeri sillet sikur mund të mbështetet mbi një interpretim të sigurt të jetës. Në të gjitha veprimet e tyre ka një përmbledhje të botës dhe të vetes, një gjykim “unë jam kështu dhe universi është ashtu”; një kuptim i dhënë për vete dhe një kuptim i dhënë për jetën.
Siç ka shumë qenie njerëzore, ka edhe shumë kuptime që i atribuohen jetës e, siç kemi sugjeruar, çdo kuptim është në një farë shkalle një gabim. Asnjë nuk e njeh kuptimin absolut të jetës, madje edhe ndonjë interpretim, që është sadopak i dobishëm, nuk mund të quhet absolutisht i gabuar. Të gjitha kuptimet janë variante ndërmjet këtyre dy kufizimeve. Megjithatë, gjatë këtyre varianteve, mund të dallojmë disa që funksionojnë mirë dhe disa që janë më pak efektive; disa ku gabimi është i vogël dhe disa ku ai është i madh. Mund të zbulojmë fare mirë se çfarë kanë interpretimet e sakta dhe çfarë u mungon interpretimeve më pak të përshtatshme. Nga këto, mund të përftojmë një mesatare të së vërtetës, një kuptim të zakonshëm (të thjeshtë), që bën të mundur të pranojmë realitetin deri aty ku t’i interesojë njerëzimit. Duhet të kemi parasysh se “e vërteta” do të thotë e vërtetë për njerëzimin, e vërtetë për qëllimet dhe synimet e qënieve njerëzore. Nuk ka asnjë të vërtetë përveç kësaj. Madje, nëse ekziston ndonjë e vërtetë tjetër, ajo nuk na intereson. Nuk do ta njohim kurrë atë, ajo do të jetë pa kuptim.
TRE DETYRIMET E JETË
E tërë jeta njerëzore u përmbahet tre detyrimeve të rëndësishme, dhe këto detyrime duhen të merren parasysh. Ato krijojnë realitetin, meqë mbi bazën e tyre ngrihen të gjitha problemet ose çështjet, me të cilat përballet njeriu. Gjithmonë jemi të detyruar të merremi me këto probleme, sepse ato vazhdimisht përballen me ne dhe, në përgjigjet tona do të gjejmë mendimin vetjak të kuptimit të jetës.
Detyrimi i parë është se jetojmë mbi sipërfaqen e një planeti të vogël, Tokës, e në asnjë vend tjetër. Duhet të jetojmë me burimet dhe kufizimet e tokës në mënyrën më të mirë të mundshme. Që të mund të mbijetojmë, duhet të zhvillojmë trupin dhe mendjen dhe të kontribuojmë në mbarëvajtjen e njerëzimit. Ky është një problem i pashmangshëm që sfidon këdo. Çfarëdo që të bëjmë, veprimet tona janë përgjigje ndaj situatave të ndryshme të jetës: ato bëjnë të njohur atë që e mendojmë si të nevojshme dhe të përshtatshme, të mundur dhe të dëshirueshme. Çdo përgjigje duhet të marrë parasysh faktin që ne jemi anëtarë të racës njerëzore, që jeton në planetin Tokë.
Nëse marrim parasysh dobësinë e trupit të njeriut dhe rrezikun potencial që shfaq ai tek ne, bëhet shumë e rëndësishme që të rivlerësojmë përgjigjet tona, që t’i bëjmë ato largpamëse dhe koherente, për të mirën e jetës tonë dhe të mbarëvajtjes së jetës së njerëzimit. Është njëlloj sikur të përballemi me një problem në matematikë: Duhet të punojmë për të gjetur një zgjidhje, nuk mund të vazhdojmë kuturu ose me hamendje, por duhet të punojmë vazhdimisht, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicionin tonë. Nuk kemi shumë mundësi për të gjetur një përgjigje absolutisht të përsosur, që të provojë të vërtetën njëherë e mirë; megjithatë, duhet të përdorim të gjitha aftësitë tona për të gjetur një përgjigje të përafërt. Për më tepër, duhet të përpiqemi vazhdimisht për të gjetur një përgjigje më të mirë dhe të gjitha përgjigjet duhet të marrin parasysh faktin që jemi të kësaj toke, me të gjitha avantazhet dhe disavantazhet që kërkon pozicioni ynë.
Tani vijmë në detyrimin e dytë: Asnjëri nga ne nuk është i vetmi anëtar i racës njerëzore. Ka të tjerë përreth nesh dhe ne ekzistojmë në lidhje me ta. Dobësia dhe kufizimet e qenieve njerëzore individuale e bëjnë të pamundur që ato të arrijnë vetë qëllimet e tyre duke e çuar në izolim. Nëse ato jetojnë dhe do të përpiqen të zgjidhin problemet e tyre vetëm, atëherë do të marrin fund. Nuk do të jenë të aftë të vazhdojnë jetën e tyre dhe as atë të njerëzimit. Kështu, ata janë të lidhur me të tjerët për shkak të dobësisë së tyre, kufizimeve dhe mangësive. Kontributi më i madh për një mirëqenie individuale dhe atë të njerëzimit është shoqëria. Prandaj, çdo përgjigje për problemet e jetës duhet të marrë parasysh këtë kërkesë; ajo duhet të formulohet në dritën e faktit që ne jetojmë në shoqëri me njerëzit e tjerë dhe do të marrim fund, nëse do të jetonim të vetëm. Nëse duhet të mbijetojmë, edhe emocionet tona duhet të përkojnë me këtë, si me më të madhin e problemeve, qëllimeve dhe synimeve: vazhdimësinë e jetës sonë vetjake dhe të njerëzimit në këtë planet, duke jetuar në bashkëveprim me njëri tjetrin.
Ka një detyrim të tretë që na drejton: Qeniet njerëzore janë krijuar në dy sekse. Ruajtja e individit dhe e qenies njerëzore kërkon që të merret parasysh ky fakt. Problemi i dashurisë dhe i martesës i përket këtij detyrimi të tretë dhe asnjë burrë ose grua nuk mund të kalojë jetën pa kaluar këtë etapë. Çfarëdo që të bëjnë njerëzit, kur përballen me këtë problem, japin përgjigjen e tyre për të. Ka shumë mënyra të ndryshme, me të cilat njerëzit përpiqen për të zgjidhur problemin. Veprimet e tyre gjithmonë nxjerrin në pah atë, që besojnë se është zgjidhja e tyre ndaj tij.