Më 17 maj të vitit 1989 , portreti “Dr Gachet” punë e Vincent van Gogh, u nxirr në ankand në Christie’s, duke u shitur më çmimi më të lartë për çdo pikturë të asokohshme, plot 82. 5 milionë dollarë. Blerësi ishte biznesmeni japonez Ryoei Saito, i cili mësohet të ketë thënë se donte që Portreti i Dr Gachet t’i digjej me trupin e tij, por për fat të mirë kjo nuk ndodhi me vdekjen e tij në 1996. Ishte thjesht sensi i tij i humorit morbid. Dy vjet më vonë, piktura iu shit privatisht menaxherit austriak të investimeve Ëolfgang Flöttl dhe pasi u përball me probleme financiare disa vite më parë, ajo i kaloi pronarit aktual.
Van Gogh i shkroi vëllait të tij në vitin 1890 për këtë pikturë: “E kam bërë portretin e Dr. Gachet duke i dhënë pamjes së tij një shprehje melankolike, e cila mund të duket edhe si ngërdheshje, me ata që e shohin atë… Ai duket i trishtueshëm, i butë, por i qartë dhe inteligjent, ashtu siç duhet të pikturohet një portret që të mund të vështrohet si sot edhe 100 vjet më vonë”.Për të njëjtën pikturë, Vincent i shkruan motrës së tij Willemien, Auvers-sur-Oise, më 5 qershor 1890: “Kam gjetur te Dr Gachet një mik të gatshëm për gjithçka si një vëlla. Aq shumë i ngjajmë njëri-tjetrit fizikisht dhe moralisht.
Ai vetë është shumë nervoz dhe shumë i çuditshëm. Ka bërë shumë miqësi dhe shërbime për artistët e shkollës së re, natyrisht aq sa ka pasur në dorë. Ne u bëmë miq menjëherë, dhe unë do të shkoj të kaloj një ose dy ditë në javë në shtëpinë e tij, duke punuar në kopsht me të, nga të cilat kam pikturuar tashmë dy punë.”Dr Paul Gachet ishte përfshirë me pasion të zjarrtë me botën bohemiane të artistëve impresionistë të Parisit. Ai ishte mjek i shumë piktorëve, përfshirë Cezanne, dhe u bë doktor i Van Gogh në Auvers-sur-oise pasi Vincent u largua nga azili Saint Remy, pas një rekomandimi nga Camille Pissarro drejtuar vëllait të Vincent, Theo.
Vincent jetoi në Auvers, kështu që ai mund të trajtohej nga Dr Gachet nga maji 1890 deri në vdekjen e tij, në korrik të atij viti. Piktura pati një Odise të gjatë poseduesish dhe peripecish. Në vitin 1910, Portreti i Dr Gachet iu dha hua ekspozitës tashmë të famshme Post-Impresioniste në Londër.
Në vitin 1911, piktura iu dhurua Muzeut Städel. Ndërmjet luftërave ai shërbeu si një frymëzim i madh për artistët modernë gjermanë, veçanërisht për ekspresionistët.
Por pasi nazistët erdhën në pushtet, ata e deklaruan veprën si “të degjeneruar”, duke e konfiskuar në dhjetor 1937, kryesisht për të fituar para dhe jo për arsyet e tyre të shtrembëruara ideologjike.Në vitin 1938, zëvendësi i Hitlerit, Hermann Göring, me sa duket i shiti Portretin e Dr Gachet përmes tregtarit të tij të artit Josef Angerer Franz Koenigs, një bankier dhe koleksionist gjerman. Menjëherë pas kësaj, Siegfried Kramarsky, një bankier hebre gjerman që jetonte në Amsterdam, e bleu atë. Kramarsky më vonë do të ikte në Nju Jork.
Ajo që sapo u shfaq është se piktura u dërgua në Londër në vitin 1939 dhe do të shfaqej në një ekspozitë të madhe të Van Gogh, e cila nuk ndodhi kurrë për shkak të shpërthimit të luftës. Galeria Cassirer në Londër po planifikonte shfaqjen dhe kishte marrë masa për të marrë hua Portretin e Dr Gachet. Walter Feilchenfeldt, studiuesi i Van Gogh me bazë në Cyrih, babai i të cilit drejtonte galerinë Cassirer në Amsterdam dhe Londër, sapo i ka gjetur këto detaje në të dhënat e familjes.
Kramarsky ishte i etur që Portreti i Dr Gachet të shkonte në Londër, duke shkruar më 11 gusht 1939 se ai kishte “shumë frikë se do të kishte luftë”. Piktura u dërgua në Londër të nesërmen, por shpallja e luftës më 3 shtator e prishi shfaqjen e Cassirer.Portreti i Dr Gachet u dërgua më pas nga Londra në Nju Jork. Kramarsky vdiq në vitin 1961 dhe trashëgimtarët e tij e hodhën në ankand pikturën në Christie’s në vitin 1990. Gati 30 vjet më vonë, 82.5 milionë dollarët për të cilat ajo shiti mbetet ende çmimi rekord për një vepër të Van Gogh në ankand.