Nga Albert Vataj
Ai, Francisco José de Goya Lucientes (30 mars 1746 – 16 prill 1828), ashtu si pararendësit e potershëm të ngjarjeve në art, Rafaeli dhe Velaskezi, u emëruan piktorë pranë oborreve mbretërore. Sovranët kishin nevojë për ta dhe ata jo më pak për mundësinë që garantonte ky përfaqësim. Peneli dhe koloriti, kavaleti dhe kanavaca ishin për Francisco Goya një nevojë e dëshmimit artistik të shkëlqimit të vezullmtë të monarkëve.
Kush më shumë e kush më pak, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, fisnikëria e pallateve mbretërore, jeta mondane dhe luksi, patën zëdhënës të zot, talente të jashtëzakonshme dhe vullnete artistike që nuk do të mundte t’i eklipsonte përgjegjësia e detyrës. Përkundrazi ata prej aty do ta kishin më të lehtë njohjen.
Talenti dhe puna e tyre do të kalonte për të hyrë në historinë e artit, nëpërmjet atyre salloneve. Pavarësisht se deri ku ata u dakordësuan me sundimtarët, arti u shërbeu atyre më shumë se sa mbretërve.
Francisco Goya, ndoshta i favorizuar nga rrethanat, por më së shumti nga natyra e kapërceu sa herë cakun. Peneli shpesh i’u bë më efikase se çdo armë e çdo dredhi, se çdo marifet e çdo lojë që rëndom kurdiseshin nëpër dhomat e errëta e hanet ku aventurierët dhe revolucionarët dengeshin me ideale, kauza dhe alkool. Gjithsesi, Francisco Goya, ishte një piktor, cili konsiderohej edhe si i fundit i Mjeshtërve të Vjetër dhe si i parë i pikturës moderne. Goya ishte një piktor i kurorës spanjolle dhe një kronist i historisë. Element armiqësor dhe subjektive në artin e tij, si dhe trajtimin e tij të guximshme të bojës, qe një model për punën e brezave të artistëve të më vonë, sidomos për Manet dhe Pikaso.
Francisco Goya http:/www.tuttartpitturasculturapoesiamusica.com; Francisco Goya http:/www.tuttartpitturasculturapoesiamusica.com;
Gdhendjet grafike të Goyas janë shpikje teknike, stilistike e tematike, që e bëjnë piktorin e parë modern. Goya kërkon që e vërteta “të shfaqet… e t’u tregohet të tjerëve; përfshirë ata që nuk duan ta shohin…Sepse i verbëri në shpirt ngul sytë në aspektin e jashtëm të gjërave, prandaj këto aspekte të dukshme duhen deformuar e nxjerrë vendit derisa të klithin për atë që përpiqen të thonë!”
Francisco Goya erdhi për të mbetur në historinë e pikturës një emër i një vepre monumentale. Puna me zjarr, fantazi dhe fuqi shprehëse e vendosin atë në shkulmet më të ndërsyera të kumtimit romantik. Dritëhija, drita kafshuese, terri therës, alegoria ngjethëse, trajtat shprehësi estetike dhe e mundshmja e një shpirti që ngulmon të zgjojë britmat dhe heshtjen duke e kumtuar gjithëkëtë ngulm në tablonë që jepet ethshëm ndryshesash tematike dhe trajtesash. Vjen me një qartësi natyrale duke shfletuar historinë e memorizuar në tablo që zë rend me portretet dhe profilet, për t’u ngurtësuar, ngjeshur dhe garrametur te alegoria, te mëtimi filozofik, te e amshta e historisë, së cilës ai i jep gjithçmos, duke u përpjekur ta ruaj të paprekur dhe rrëfyese. Nga tiparet dalluese të këtij vigani të tablosë veçohet liria dhe kuraja me të cilën ai jetësoi në punët e tij gjithëçfarë përbën ngulmin e një shpirti të paepur, një zemre dhe një zëri që kishte si udhëprijës idealet e larta të dëshmuesit dhe ngadhnjyesit. Edhe pse ishte i detyruar të punonte në një mjedis ku pak e vlerësonin, ai nuk reshti së skalituri me gërma zjarri gjeniun.
Albert Vataj
Francisco Goya http:/www.tuttartpitturasculturapoesiamusica.com;