Pa armik, që do të përligjte kohezionin e shoqërisë rreth pushtetit, pa alibi të arsyes shtetërore, a janë bërë qytetarët më kërkues ndaj atyre që i qeverisin? A ka sjellë depolitizimi i politikës më shumë paqëtim të shoqërisë? Përgjigja e parë i lidh me njëra-tjetrën këto dy pyetje: depolitizimi i kufizon mundësitë e qytetarëve për t’i bërë të efektshme kërkesat e tyre. Ose, me fjalë të tjera, mungesa e përtëritjes së kanaleve të pjesëmarrjes politike – duke filluar nga partitë – e dobëson aftësinë e qytetarëve për të reaguar. Mobilizimet e zemëratës morale, me të cilën herë-herë, qytetarët i përgjigjen politikës, nga Ermua në Bruksel, nga Parisi në Londër, treten për mungesë të hullive të vazhdimësisë. Kush e transformon politikisht një lëvizje? Ne botën e ethshme mediatike, një tren zhduket brenda disa orësh nga kalimi i një treni tjetër: Një tragjedi e re zhyt në harresë tragjedinë e djeshme, një skandal i ri, e nxjerr nga skena skandalin tjetër, një luftë mbulon një tjetër që ende nuk ka përfunduar, por që tashmë nuk përbën lajm. Fiton ai politikan që ngulmon më shumë, ngase gjithçka ikën dhe vështirë ta mbash një problem në skenë. Me një ritëm të tillë, politika bëhet e largët, qytetari nuk ndihet i angazhuar. Sistemi i veprimit politik në bazë të sondazheve të opinionit qytetar nëpërmjet anketave, në vend që ta bëjë më aktive pjesëmarrjen, e neutralizon atë. Mënyra e të vepruarit e atyre që qeverisin behet e çoroditur, sepse nuk ka rëndësi për ta, nëse janë kontadiktor, përderisa këtë u këshillon ndjesia e anketave. Politika hyn në rrugën diskreditimit.I referohemi autoritetit të Tokëvilit [Tocqueville] për të kujtuar se demokracia është e mërzitshme, se kur nuk ndodh asgjë, do të thotë se punët shkojnë mirë. Nga shekulli i pasionit politik, pushteti ka mësuar që t’ua ketë frikën qytetarëve. Pushtetari duket se është i predispozuar të zbresë nga piedestali, ta flijojë rolin e vet në histori për t’u njohur thjesht si specialist në administrimin shtetëror, në mënyrë që qytetarët të mos bezdisen. Hakmarrja e qytetarëve është ajo e ndenjes mënjanë, e heqjes nga pushteti në mënyrë ciklike nëpërmjet votës dhe e zbavitjes nga aferat e korrupsionit me ndihmën e gazetarëve, këtyre agjentëve të dyfishtë. Spektakli që ofron politika nuk është dhe aq tërheqës për të plotësuar kërkesat e shoqërisë së spektaklit, sado të mundohen mediat. Qytetarët e kthejnë kokën nga ana tjetër. A është kjo parajsa ku administrimi i sendeve e ka zëvendësuar përfundimisht politikën?
Marrë nga libri “Fundi i pasionit politik”