Do të doja të ishe vajzë. Do të doja të provoje një ditë atë që provoj edhe unë: nuk jam aspak e një mendjeje me time ëmë, e cila mendon se është mynxyrë të lindesh vajzë. Ime ëmë, kur është e trishtuar, psherëtin: “Ah, të isha lindur djalë!” E di: bota jonë është botë e ndërtuar nga burrat për burrat, diktatura e tyre është aq e lashtë sa shtrihet deri te gjuha e folur. Thuhet “bir” për të thënë bir e bijë, thuhet “djalë” për të thënë djalë e vajzë, thuhet “njeri” për të thënë burrë e grua. Në legjendat që meshkujt kanë sajuar për të shpjeguar botën, qenia e parë e kësaj bote nuk ishte grua: ishte një burrë me emrin Adam. Eva ia mbërrin më vonë, për ta argëtuar e për të prishur punë. Në pikturat që stolisin kishat e tyre, Zoti është një plak me mjekër të bardhë, kurrë plakë me flokë të bardhë. Dhe tërë heronjtë e tyre janë meshkuj: që nga ai Prometeu që zbuloi zjarrin deri tek ai Ikari që u rrek të fluturonte, e me radhë kështu deri tek ai Jezui që e quajnë bir të Atit e të Shpirtit të Shenjtë: thua se gruaja që e lindi ishte një inkubator a ndonjë mëndeshë. E megjithëkëtë, apo ndoshta pikërisht për këtë, të jesh grua është gjë e mahnitshme. Është një aventurë që kërkon aq shumë guxim, një sfidë që nuk të mërzit kurrë. Do të të duhet të bësh shumë gjëra po të lindesh grua! Sa për fillim, do të të duhet të luftosh për të treguar se, nëse Zoti ekziston, ai mund të jetë një plakë flokëbardhë ashtu si edhe një vajzë e pashme. Pastaj do të të duhet të luftosh për të shpjeguar se mëkati nuk u lind ditën kur Eva këputi mollën: atë ditë u lind një virtyt i madhërishëm që quhet mosbindje. Mësëfundi, do të të duhet të luftosh për të treguar se brenda trupit tënd të lëmuar e gjithë trajta, ka një zgjuarsi që kërkon t’i vihet veshi. Të jesh nënë nuk është zanat. Nuk është as detyrë. Është vetëm një e drejtë mes shumë të drejtash. Do të lodhesh shumë duke e përsëritur. Dhe shpesh, pothuajse gjithmonë, do humbësh. Por nuk duhet të ligështohesh. Të luftosh është shumë më bukur se të fitosh, të udhëtosh është shumë më argëtuese se të mbërrish: kur ke mbërritur apo ke fituar, ndjen një zbrazëti pafund. Po, shpresoj që ti të jesh vajzë: mos ma vër re në të thërras vogëlush. Dhe shpresoj të mos arrish kurrë të thuash atë që thotë ime ëmë. Unë nuk e kam thënë kurrë.
Përktheu Roland Sejko