Aristoteli hyn në radhën e filozofëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Është mendja sintetike më e rëndësishme dhe në përgjithësi gjeniu më i gjithanshëm i antikitetit. Duke rishqyrtuar në mënyrë kritike filozofinë e mësuesit të vet Platonit, ai sistematikisht zhvilloi në një sërë veprash kapitale filozofinë e re origjinale dhe grumbulloi njëkohësisht në mënyrë enciklopedike të gjitha rezultatet e rëndësishme të filozofisë së vjetër greke dhe të shkencave të veçanta. Të gjitha fushat deri atëherë të njohura si dhe një sërë fushash të reja të aktivitetit mendor dhe të njohurive njerëzore të disiplinave filozofike (logjika, metafizika, fizika, psikologjia, etika, politika, astronomia, meteorologjia, zoologjia, poetika e tjera) janë objekt i hulumtimeve gjeniale të Aristotelit.
Logjika e Aristotelit me disa teza të veta themelore ka ruajtur vlerën e vet dhe deri sot ajo merret si model për themelimin e logjikës elementare, kështu që edhe Kanti mundi të vërtetonte se si logjika e Aristotelit mori një formë aq të përsosur saqë pas saj nuk ka mundur të bëjë një hap përpara, as nuk ka qenë e detyruar të bëjë një hap prapa. Logjika e tij, në radhë të parë, shqyrton çështjet lidhur me nocionet, gjykimet, përfundimet dhe argumentet. Nocionet janë esencë ose formë e sendit, njohja e të cilit është qëllim themelor i të menduarit. Nocionet më të larta të gjinisë, që përfshijnë në vete të gjitha nocionet tjera janë kategoritë. Kategori të tilla, sipas Aristotelit ka dhjetë: substanca, kuantiteti, kualiteti, relacioni, vendi, koha, pozita, posedimi, veprimi dhe durimi. Në veprat logjike të Aristotelit janë shqyrtuar hollësisht dhe jashtëzakonisht në mënyrë ekzakte edhe disa probleme logjike fondamentale si janë parimet e të menduarit, induksioni dhe deduksioni, përkufizimi, teoria e silogjizmave, argumentimi, gabimet logjike etj.
Aristoteli konsideron se ekzistojnë tri parime të përgjithshme të të menduarit:
– Parimi i identitetit,
– parimi i kontradiksionit dhe
– parimi i përjashtimit të së tretës.
Kushdo që dëshiron të mendojë në mënyrë konsekuente nuk mund të mendojë në kundërshtim me kuptimin e këtyre tri parimeve, sepse këto nuk janë zbulime krejt të rastësishme, por vlejnë për vetë njëmendësinë.
Ekzistojnë tri lloje të shpirtit:
shpirti vegjetativ (që konsiston në aftësinë e të ushqyerit dhe të shumimit),
pastaj shpirti animal (që ka edhe aftësinë e sensibilitetit ndijor dhe të vetëlëvizjes në hapësirë) …dhe së fundi
shpirti njerëzor (që ka aftësinë e të menduarit, arsyen, mendjen). Mendja pasive, që është e lidhur me aspektin material është tabelë e zbrazët (tabula rasa), mbi të cilën ndijat regjistrojnë thjeshtësisht atë që pranojnë. Kjo mendje është kaluese sikurse edhe individët, ndërsa mendja aktive është e pavdekshme.
Fryma aktive në shpirtin njerëzor, fryma që krijon format, që bën çdo gjë (dhe jo që pranon në mënyrë pasive) dhe që i vëren drejtpërdrejt të vërtetat më të larta, është me origjinë hyjnore.
Në shqyrtimin e njohur mbi nocionin e miqësisë, Aristoteli theksoi tri lloje të miqësisë:
– miqësinë e dobishme,
– të këndshme dhe
– të virtytshme.
Dhe derisa e para manifestohet më shpesh të njerëzit e vjetër, e dyta te të rinjtë, e treta, miqësia e vërtetë në të cilën miku përqafohet për shkak të vetë atij, është karakteristike për moshën e pjekur të mashkullit. Realist dhe racionalist, Aristoteli në etikë është edhe përfaqësues i imanentizmit, domethënë i tezës se nga vetë njeriu varet se a do të bëhet i lumtur ose jo, a do të bëhet i virtytshëm apo shpirtlig.
Albert Vataj