Ndërmëndje dhe nderim për njeriun e gjithëdishëm, atë që kishte një përgjigje për çdo pyetje, mendjen më brilante, Umberto Eco. Sot në përvjetorin e vdekjes, të gjallët e këtij shpirti që mëkoi dritë, pulson në venat e një gjenerate si një shkas për të rrokshmen e atyre mendimeve që guxuan të konturonin ide të mëdha që rrekeshin të ngriheshin mbi gërmadhat e kapërcyellit të kohës. Umberto Eco nuk është më prej 6 vitesh, por moria e librave që ai botoi, tematikave që shtjelloi, dija e pamatshme që su kursye ta ndante me të gjithë, janë ato mësime që na çojnë kokulur te ai, si para një predikuesi. Problemet që ai shtroi si debatet e një shekulli ndryshimet poterisëse, e ruajnë aktualitetin e tyre në të çdoditshmen e ballafaqimeve tona.
Albert Vataj
Shkrimtari i njohur italian jetoi i ndarë mes botës akademike dhe asaj letrare, ndërsa u përpoq të krijonte një ndërthurje tërheqëse të të dyjave, pavarësisht kritikave. Ai shiti miliona kopje të librave të tij, duke i bërë lexuesit të mos lëshonin nga duart romanet e tij, me misterin që përcillte pavarësisht ngarkesës shpjeguese të simboleve, shenjave dhe kulturave
Umberto Eko, një shkollar në fushën e errët të semiotikës, që u bë autor i suksesshëm romanesh, mbi të gjitha me veprën “Emri i Trëndafilit”.
Si një semiotikan, Eko kërkoi të interpretonte kulturat përmes shenjave dhe simboleve të tyre – fjalëve, ikonave fetare, banerave, veshjeve, notave muzikore dhe madje edhe filmave vizatimorë. Ai ka publikuar mbi 20 libra mbi këto çështje ndërsa jepte mësim në Universitetin e Bolonjës, më i vjetri në Europë. Por në vend që të veçonte jetën e tij akademike nga krijimtaria e tij popullore, Eko përfshiu në shtatë romanet e tij shumë prej shqetësimeve të veta akademike.
Në bashkimin e këtyre dy botëve, ai nuk ka qenë kurrë më i suksesshëm sesa tek “Emri i Trëndafilit”, romani i tij i parë, që u publikua në Europë në vitin 1980. Suksesi qe i madh dhe ai shiti më tepër se 10 milionë kopje në rreth 30 gjuhë dhe pati edhe një adaptim kinematografik në Hollivood. Libri tregon për ngjarjet që ndodhin në një manastir italian në shekullin 14, kur murgjit vriten nga besimtarë të tjerë duke risjellë bukur një qasje filozofike të Aristotelit, harruar kohë më parë. Në një intervistë për “Vogue” në vitin 1995, Eko pranoi se ai nuk ishte i lehtë për t’u lexuar. “Njerëzit gjithnjë më pyesin, ‘si është e mundur që romanet tuaja, që janë kaq të vështira, kanë një lloj suksesi?’”, tha ai.
“Më ofendon kjo pyetje. Është si të pyesësh një grua ‘si është e mundur që burrat tërhiqen prej teje?’”, sqaroi Eko, i cili e përfundoi përgjigjen me një dozë ironie: “Unë vetë i kam qejf librat e thjeshtë, sepse ata më vënë në gjumë”. Ndërsa Eko pati shumë ithtarë në botën akademike dhe në letërsi, kritikë nga të dyja sferat ndonjëherë e shpërfillnin atë për mungesë të seriozitetit akademik ose të talentit rrëfimtar.
“Asnjë artefakt kulturor nuk është shumë i ulët apo i parëndësishëm për analizën e Ekos”, shkroi për “The Guardian”, Ian Thomson, një biograf letrar, duke komentuar për esetë e Ekos për mënyrën sesi besëtytnitë kanë ndryshuar historinë. Ndërkohë, kritikës therëse të shkrimtarit iranian, Salman Rushdie, për romanin “lavjerrësi i Focault-it”, ai iu përgjigj me stil. Në një diskutim letrar në Nju Jork, ku ishin të ftuar dy autorët, italiani zgjodhi që të lexonte pikërisht disa paragrafë të veprës së tij “Lavjerrësi i Focault-it”
Ai i ka mirëpritur kritikat ndaj tij duke thënë se nuk ishte një fundamentalist dhe se çdo gjë ishte perfekte në kontekstin e saj. Eko mund të jepte leksione në pesë gjuhë moderne, si dhe në latinisht dhe greqishten klasike. Ai i ra kryq e tërthor Atlantikut për konferenca akademike, promovime e diskutime librash dhe festa koktejesh të personave të njohur. Por nga ana tjetër, atij i pëlqente edhe të pinte verë të lirë dhe të shkëmbente batuta me studentët e tij natën vonë në tavernat e Bolonjës.
Ai dhe gruaja e tij gjermane, Renate Ramge, një profesoreshë arkitekture dhe e artit, kishin apartamente në Paris, Milano dhe një çiflig të shekullit 17 në Rimini, mbi detin Adriatik. Ata patën dy fëmijë, Stefanon, një producent televizioni në Romë dhe Karlotën, një arkitekte në Milano. Umberto Eko lindi më 5 janar 1932, në Aleksandri, një qytet industrial në veriperëndim të Italisë. Babai i tij, Xhulio, ishte një llogaritar në një firmë metalesh ndërsa e ëma, Xhovana ishte nëpunëse atje. Në fëmijëri, ai kalonte orë të tëra në qilarin e gjyshit, duke lexuar koleksionin e librave të tij. Gjatë diktaturës së Benito Musolinit, ai mban mend të ketë veshur një uniformë fashiste dhe të ketë fituar çmimin e parë në një konkurs shkrimi për fashistët e rinj. Eko pati një lidhje të fortë me fenë, për të cilën mbrojti edhe tezën e doktoraturës në 1956, por ishte gjithashtu i lidhur me filozofinë dhe semiotikën, për të cilat dha mësim në Universitetin e Bolonjës. Ai fitoi famë në Itali për kolonat e përjavshme për politikën dhe kulturën në revistën më të famshme “L’Espresso”.
Por ishte botimi “Emri i Trëndafilit” ai që i dha Ekos njohje botërore. Pas romanit të parë, të tjerët që pasuan nuk u pritën me të njëjtën dëshirë.
Ato u kritikuan, e megjithatë, romanet e Ekos vazhduan të shiten me miliona pas krijimit të lexuesve të devotshëm. Kohë më parë, u botua dhe romani më i ri i Ekos, “Numri Zero”, historia e të cilit zhvillohet në vitin 1992 dhe trajton një shkrimtar fantazmë që përfshihet në botën e politikave të medias dhe konspiracioneve për vrasje në lidhje me ish-diktatorin Benito Musolini. Ky i fundit u përfol se nuk vdiq në 1945, por jetoi në hije për dekada me radhë. Eko ka marrë çmimin më të lartë letrar të Italisë, “Premio Strega”, është nderuar si Kalorës i Legjionit të Nderit nga Franca dhe është një ishte nderi në Akademinë Amerikane të Arteve dhe Letrave. Ndërsa ai vazhdoi t’i habiste kolegët e tij akademikë me famën e tij të kulturës pop, Eko nuk shihte kontradiktë në statusin e tij të dyfishtë. “E shoh veten si një profesor serioz, i cili gjatë fundjavës, shkruan romane”, ka thënë ai.