Nga Albert Vataj
Bekim bie mbi ato frymë që yshtin prehjes së çastit taftin e një pranie që i thërret heshtjet të kyçin zërat dhe zjarrit të ndijimit i mëkojnë llavë trupash që digjen. Fatlum janë ato kurme, ato zëra, ato zemra, ato buzë… që kridhen në paqen e një ëndërrimi që formëzohet si një bimë në prehrin e një dëshire të hyjshme për gjallim, e harbon në krahët e epshit, shpërthen në çdo qelizë e shumon në çdo embëlsi që rrapëllen, në gjak e në limfë, në andje e përjetim.Është e prekshme, reale, tokësore, e sapodalë nga ngjizjet më të përkora të një romantike plot magji ai çast i mbushur me vërshim dhe prehje. Zbret nga fletët e një romani, siç rreshqet ujshëm vesa nga gjuhëza e një fije bari, dhe… tretet në krahët e ndritshëm të agut, nadjes që lëshohet hareshëm me taftin e pafundësisë; e tretet në buzët që i eshk puthja, në kurmin që e tendos prekja, në syrin që e ndez drita e diellt e fillimditës, shkrep.Po, ato zemra që gjëmojnë drojshëm në kraharor, ajo mendje e dalldisur, përkulet e përgjërohet në këmbët e një dëshirimi, e rrënjëzon në një lule e në një pemë të përulur në përkorje, çukit si një hënë e pëshpërit si një heshtje, dhe… vjen tek ata, e skuqur prej ndrojtjes, e stepur prej hutimit, e heshtur prej shtrëngatës së prarimit që e zë përfund, dhe dorëzohet si një Trojë që del nga epika dhe çmendet si një Laur e Petrarkë që gufon nga lirikat, dashurojnë hyjshëm këto dishepuj të dritës së shpirtitDuarve të tyre që zgjaten në lutjen, e zjarreve që drithërojnë në padurim, kridhet ai moment, derdhen ato trupa, shamaton ajo përplasje, dhe… shpërthen galaksia e epjes së epshme të asaj stuhie mishi, si një yll, e ndrijmë syve që fiken në një stuhi që gatiten për një ngjarje të stuhishme kopulimi. Pikon prej zemrave e gjëmon kurmeve, s’druhet hutimit e s’pendohet shpengimeve, ky zjarr. Jepen dhe prehen… shndrrohen në çastin që mëkon përjetësinë, duhen.Të ndjesh hyjshëm, të feksësh dritueshëm, si nën një vetëtimë, t’i blatohesh një kulmim dëshirimesh si një shenjtërie, të jesh qiellor në kopshtin e begative duke shtrirë duart në lutje e pranuar në sublimen e një akti si një adhurim, kështu është të duhemi. Jetoni shpirtin e botës ju që dëshmoni Hyun, përflakuni me shpirtjet tuaja të mbrujtura me dritë e dëshirim dhe do të shndrini në yllin që ndizet syve që shohin dhe hyjnë në ju, për të mbirë në çdo kopësht dhe çelur në çdo puthje, dëshirë, përjetësi.