Alfred Émile Léopold Stevens, ishte një piktor belg, i njohur për pikturat e tij të grave elegante moderne. Një sy që përshkoi me adhurim finesën dhe galancën e gruas dhe e përjetësoi me të njëjtën peshë ndijimi dhe korrektësi pasqyrimi. Pasi tërhoqi vëmendjen në fillim të karrierës së tij, me një pikturë social-realiste, që përshkruan gjendjen e endacakëve të varfër, ai arriti sukses të madh kritik dhe popullor me skenat e tij të jetës pariziane të klasës së mesme të lartë. Shpirti i tij si i çdo artisti i pleks me ndjenjën, me forcën denoncuese të artit, u rrek të ngrihej mbi sundimin e mondanitetit dhe jetës llamburitëse, por pa mundur të fitojë mbi të. Ai dukshëm bëri kompromis duke braktisur një betejë humbëse, duke hequr dorë nga empatia për të varfrit dhe nënshkruar një kontratë që e bëri të famshëm por jo të pasur, me atë botë që i garantote penelit të tij një vend privilegji. Le të themi një piktor frikacak ose pragmatist, pavarësisht se në jetë i ra të ishte edhe në front luftë, në art preferoi paqen, prezencën e grave të bukura dhe seksi, verën franceze dhe jetën e shpenguar. Gjithsesi, me interes për tu marrë në konsideratë është puna e tij në rrafshin artistik, jo në atë tematik. Në stilin realist dhe përfundimin e kujdesshëm, veprat e tij zbulojnë ndikimin e pikturës holandeze të zhanrit të shekullit të 17-të . Shquhet për thellësi dhe tonalitet ngjyre dhe shprehjeje. Drita e penelit të tablove të tija duket sikur shpërthen me një butësi të beftë si prekje, madje edhe në ato tablo ku ai rreket të përcjellë një ngarkesë të thekshme emocionale. Nuk i ruhet ndikimeve dhe shkollave, por gjithsesi ai përpiqet dhe i’a del të zënë një vent identiteti unik artistik, pavarësisht një lloj njëtrajtshmërie tematikash që dominojnë galerinë e tij krijuese.Ekspozitat e tij në Sallonet në Paris dhe Bruksel tërhoqën vëmendje të favorshme kritike dhe blerëse. Pati një veprimtari intensive si artist dhe botëkuptim dhe marrëdhënie me personalitetet më të rëndësishme të kohës, Édouard Manet, Edgar Degas, Charles Baudelaire, Berthe Morisot, James Abbott McNeill Ëhistler, Frédéric Bazille dhe Puvis de Chavannes, etj. Jeta e tij personale por edhe ajo artistike paten ulje-ngjitje kapërcyell dhe në të mbramë ai nuk arriti të kishte tjetër përveçse të jepte frymën e fundit më 24 gusht 1906 në një shtëpi modeste. Ai që lartësoi në art jetën mondane, luksin dhe elegancën, finesën dhe solemnitetin e shoqërisë së mesme dhe të lartë, iku me shpirt të lënduar.