“Unë pikturoj njerëz, por më intereson më shumë të përcjell gjendjen emocionale sesa të ilustroj një aspekt të jashtëm. E mjegulloj kufirin midis realitetit tonë fizik dhe asaj që po ndodh në kokën tonë. Duke përdorur brumë të trashë dhe ngjyra të theksuara, unë kombinoj lirinë e eksperimentimit me teknikat tradicionale për të rritur emocionet në lojë. Besimi i intuitës sime, shpërqafimi i spontanitetit dhe bërja e tij me besim, janë çelësat e punës sime. ” thotë piktori Matt Talbert, dhe kaq mjafton për të përjetuar dhe tejpërshkuar portretet e tij, njerëzoren dhe emocionalen, të shpirtshmen dhe shprehjen e atyre gjendjeve, të cilat në shumësinë e herëve janë siç artisti i përjeton.
Ai i beson penelit të rrëfejë, sepse vetëm së këndejmi i flet shpirti. Ai përcjell vështrimet dhe prehjet delikate të një femre, të botës së saj të brendshme, të asaj thellësie dhe pastërtie përjetimi, e cila reflekton para ëndjes sonë me një transparencë të admirueshme, të tillë sa ne shpesh kemi frikë të shpërfaqemi nga droja se shihemi si në një pasqyrë dhe vërejmë se sa të trazuar dhe të trisht jemi.
Ai na tregon gjithashtu se si i përjetëson çastet ku ato krijesa, sa të bukura aq dhe delikate, sa të ndjeshme aq dhe të padepërtueshme, jepen dhe se si botët tona të brendshme veprojnë duke kërkuar në çdo dritëhije e tonalitet ngjyre pikëtakimin dorzan çastit dhe emocionit.
Peneli i piktorit agreson në detaje të imta, si në një tentativë për ta mbuluar me kolorit atë që ai kërkon ta mbajë për vete.
Fragmentet e çdo copëze të gjallë janë shkreptima të dritshme kumtimi të kurmit, të gjendjes emocionale të Evës biblike, të misterit në shpirtin e saj, të gjithëformshmërisë së gjendjes që merr kontur dhe shformohet, feks dhe shpërbëhet, si në një teatralitet përjetimesh që gufojnë stuhishëm brenda kurmeve që kopulojnë epshëm.
Askush më mirë se artisti nuk arrin të depërtojë në portretin e një gruaje, si në dhomat e fshehta të trishtimeve dhe gëzimit të saj dhe tonat që refleksen në këtë pasqyrim. Vetëm një shpirt që flet përmes ngjyrës dhe poetikës së shprehshmërisë, arrin të na ofrojë një mundësi komunikimi me ato që ligjërojnë poterisës me heshjen… dhe ndjejnë me vështrimet. Atyre syve përpirës asnjë detar i sprovuar nuk mund t’ia dalë më kurajshëm se sa ai që i njeh mirë këto detra, se sa ai që i ka shkelur me përjetime dhe zjarr këto brigje.
Albert Vataj