Shpesh disa të vërteta janë më të frikshme se çdo mashtrim, dhe ne gjithnjë ruhemi dhe i druhemi ritakimit me të, më makthshëm se takimit me çdo frikë. Një ndër këta të vërteta torturuese është e shkuara, koha e mbetur pas, kujtesa me të cilën jemi mbarsur. E dehur në hare lëndinash plot lule, ngjyra dhe aroma, apo e ngurtësuar në gjurmët e ikjes nëpër natë, ajo beh sa e përmallshme po aq edhe trazimtare.
Ajo prej së cilës vuajmë më shumë se prej asgjëje, nuk është ajo me të cilën na përball jeta, por ajo që vetja na vë përballë nesh.
E shkuara është një vragë që na sëmbon sa herë prishet moti
…është një gjurmë që na vihet nga pas edhe atje ku duam të mos e dijë askush se kemi qenë
… është një makth që na përndjek në netët e gjata të përtëritjes
… është një mëkat që vjen të na e prish momentet më të hareshme
… është një trishtim që na i thyen çastet e lumturisë
… është një vrashtësi që na e ngrys gjithnjë panoramimet e ditëve të bukura
… është një dorë e pamëshirshme që vjen e na gris pëlhurën e ëndërrimeve
… është ajo, dhuna që nuk na lejon të jemi të tolerant dhe s’na mëson asnjëherë si si të dashurojmë çlirimin e shpirtit.
E tillë është e shkuara, kujtesa e një pamundësie për të harruar, ikja nëpër rrugën pa kthim.
Ankohemi për pamundësinë e ribërjes së të shkuarës njëjtë sa shqetësohemi për gjetjen e zgjidhjes së nyejve të probleme të tashme.
Harresa na ndihmon të çlirohemi nga shumë vargonj, por ajo nuk na i zgjidh këmbët mbetur lidhur në shpërgënjtë e kohës që ikën për të mos u kthyer.
Albert Vataj