Nuk do të kishte një tjetër humbje më të madhe ndër arbër se ajo e vdekjes së Gjergj Kastriotit, “Kalorësit të Krishtërimit”, dalzotësit më njimendtë të shqiptarisë, atij që guxoi aq shumë sa të ngrihej kundër perandorisë osmane, një prej superfuqive më të përbindshme që njihte bota asokohe. Ai zgjoi një vetëdije lirie për ta shndërruar atë në një identitet kombëtar, në një fuqi që do ti bënte ballë me zemër një hordhie të panumërt.
Historia kishte sjellë në skenë Gjergj Kastriotin dhe kishte zgjuar shpresat, kishte dhënë kurajë dhe ndryshuar epikat, skalitur lavdinë dhe ngjitur në legjendë. Bota, skaj më skaj e njohu dhe e përcolli këtë Hyj arbëror lirie. Artistë të famshëm e skalitën emrin dhe imazhin e tij në pavdeksi. Ai deri në shtratin e vdekjes luftoi me shpatë e me zemër për të shkuar një faqe historie.
Ishte 17 janar i vitit 1468, kryezoti i Arbërisë ndërroi jetënë moshën 63-vjeçare në vitin e 24 të mbretërimit
– Mblidhuni, mblidhuni të gjithë o princër e sundimtarë arbëror.
Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysen fronet dhe pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona, i tha këto fjalë Lekë Dukagjini me të dhënë lajmin për vdekjen e Skënderbeut.
Trupi i tij u varros në kishën e Shën Kollit në Lisus. Ceremonia e lamtumirës ishte e denjë për një mbret. Erdhën nga çdo kënd i botës të dërguar dhe ngushëllime që paqësonin plagën e kësaj humbje të rëndë që kishte pësuar Arbëria.
…atë natë- shkruan Marin Barleti në “Histori e Skënderbeut”, që ushtria turke dhe barbare mori arratinë, Skënderbeut, pas pendimit të shenjtë dhe rrëfimit dhe pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur, vdiq duke e dorëzuar veten dhe shpirtin Zotit të madh, më 17 janar të vitit 1466.
Skënderbeu, vijon Barleti, thuhet se u nda këso jete në moshën 63-vjeçare, në vitin e 24 të mbretërimit të tij.
Kur e dëgjoi se po qanin të vdekurin, Lekë Dukagjini, princi epirot, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e më zë të mbytur tha, duke shkulur mjekrën dhe flokët: “Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë o princër e sundimtarë arbëror. Sot u bënë copë dyer e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysën fronet e pushtetit tonë, sot u shumë krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jona.”
Gjithashtu, gjatë kohës që ai (Skënderbeu) po vdiste, kali, të cilin e shalonte kur e kishte për tu përleshur, u bë aq shumë i egër, i tërbuar dhe i pafrenueshëm, saqë s’donte të mbante më njeri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi edhe ai.
Albert Vataj