Nga Albert Vataj
Ju do të thoni, jo, nuk ka mundësi, që këto qasje cytëse të jenë tablo pikture të një hiperrealisti italian, të aftësisë së të mbinatyrshmes së atij përqëndrimi dhe virtuoziteti gjenial, i cili i ribën njerëzoret duke i mëkuar frymën e tij. Një delikatesë të tillë, përshkueshmëria e të cilës është më shumë se reale, ngasëse, pas Krijuesit mund ta gëzojë si privilegj edhe artisti. Dhe ai, penelatat e të cilit është po kaq e ëndshme sa edhe ajo e Krijuesit.
Ribërja e reales, rizgjimi i gjithçkasë jetësore deri në detajet më të imta, si në një shpërfaqje të nënlëkurës së një feksjeje, është e hyjshmja e një dore që bën magji përmes penelit dhe ngjyrës. Duke e ndjerë këtë prekje magjike krijimi, do ta kishim të pamundur të mos e ndjejmë shpirtin e botës së asaj gjendjeje dhe predispozite për të depërtuar thellë në praninë e qenies, për të zgjuar pranisë që jepet me një qartësi si nën një pikë uji. Sy dhe zemër ngaset në këtë lojë mahnitëse arti i tij, e cila është vepruese edhe në këto momente që ne po komunikojmë.
Ne i ribëjmë gjërat, pse jo edhe ato njerëzoret, ndoshta me një përshkueshmëri ndjesore, më delikate dhe më të mprehtë se çfarë vetë natyra e shpreh solemnitetin e saj krijues. E ndërmarrim këtë ngulm krijimi në një tentativë për të kapur caqet e përsosmërisë dhe kjo merr vlerë vepre, përmes zgjimit të një dëshirimi të etshëm estetik për të cekur thellë në detin e syve dhe ndijuar prusht në zjarrin e buzëve. Kësisoj është përjetësimi i çastit në gjithëgjëshmërinë e të atyshmes njerëzore, që ardhur kaq e gjallë nga peneli i një artisti është një lojë përfshirjeje dalldisjeje me joshjen, pulsimin në çdo venë, drithërimin në çdo fragment mishi, epjen në çdogjëshmërinë e gjallë dhe vibruese, që mbetet e tillë si në realen e frytshme ashtu edhe në shpirtjen e frymshme krijuese.
Po cili është ky magjistar i hiperreales, kjo dorë virtuoze, ky penel çudibërës, kjo tashmëri që kërkon të përjetësojë në tablo, atë që koha mund ta ndryshojë dhe vetë ajo mund ta zhbëje deri në asgjësim? Ai është Marco Grassi. Ai ka lindur në Reggio Emilia (Itali), ku jeton dhe punon aktualisht. Pasi është diplomuar si kontabilist, ka vendos të ndjekë rrugën e artit, duke u regjistruar në vitin 2006 në Akademinë e Arteve të Bukura në Bolonja.
Pas përfundimit të ciklit të studimeve, ai zgjedh t’i përkushtohet me kohë të plotë pikturës, një pasion që e ka shoqëruar prej shumë vitesh.Pas disa ngjarjeve ballafaquese artistike në zonën lokale, dhe bashkëpunimeve me krijues të shquar, ekspozita e tij e parë personale do të zhvillohet në vendlindjen e tij, Reggio Emilia, më 14 dhjetor 2013, një ngjarje e dëshiruar shumë nga Pietro Franesi, Drejtor i Bienales së Nju Jorkut dhe Dubai, i cili do ta çojë atë të marrë pjesë në ngjarjen e radhës të planifikuar për në mars 2014.
Ai sot vijon të punojë dhe të aplikojë në këtë art që nuk është thjeshtë ribërja e gjërave, se sa symprehtësia për të depërtuar thellë në përbërjen e qenies, në shprehinë e patrajtuar nëpërmjet ligjërimit. Vetëm syri i tij gjithëpamës dhe kudodepërtues, vetëm ai dhe arti që ai përfaqëson, arrijnë të frymojnë në tablo momente të delikatesës së hyjshme që patjetër ka zgjedhur femrën si modelin që e rrugëprinë atë përnga përsosmëria e krijimi. Sepse ky është arti, ky është krijuesi, kjo është prirja jonë për tu shastisur, ndërsa magjepsemi.