Nga Albert Vataj
Nëse poezia është një zë shpirti dhe shpirti është vërtetë hyjnorja e njerëzores, atëherë njëmendemi të besojmë se Sokol Zekaj është prej atyre krijuesve që e gjithë jeta ka qenë poezi dhe poezia që ai ka shkruar ka qenë rrëfimi më i sinqertë që ai ka bërë.
Të gjithë zgjedhin një shteg të tyrin, për të hyrë në Perandorinë e poezisë, por ai, Sokol Zekaj ka preferuar të hyjë pa bërë zhurmë, pa poterisur me mburrje dhe megalomani për vend të merituar apo polemizime për mosvlerësim e ngrënie të hakut, për çfarë ai kishte bërë dhe çfarë ai i dha poezisë dhe po i jep modelit. Kurrë nuk ankua, por ashtu me urtësi dhe mirësi i’a doli të pranonte vendin që i kishin lënë, dhe me përulësi dhe përkushtim të tregonte se një shpirt i pastër dhe një ndjenjë e sinqertë, të jetë qëllimi kryesor i tij në jetë dhe tharmi i mburrjes poetike të veprës së tij krijuese.
Sokol Zekajn nuk e kemi parë të ngasë t’u tregojë të tjerëve se cili ishte ai, çfarë ai kishte të shenjtë në krijimtari. Qëndroi ashtu i heshtur dhe pa bërë bujë dhe… urtësia e mirësia e tij ishte dhe është vetë poetika e jetës së tij. Ai nuk i dedikon kohë kërkesës për vëmendje, ndere e lavdi. Vetëm pena e tij mbi letër është ajo që bën zhurmë, dhe vepra e mbrujtur me një shpirt të pastër është ajo që zë të flasë për ata që kanë veshë të dëgjojnë dhe vlera të pranojnë.
Malësia e Madhe ka në historikun e saj emra dhe vepra të shumë e shumë artistëve, të cilët me vlerat e tyre dëshmuan se kjo trevë është e pasur si në histori, në tradita, në trimëri e urtësi, në mirësi dhe bujari aq sa është edhe në poezi, dhe prej gjithë atyre që kanë përfaqësuar denjësisht këtë atribut është edhe Sokol Zekaj.
Për të gjithë ata që duan ta dinë, Sokol Zekaj u lind “në t’falun të diellit” më 30 gusht 1948 në lagjen Lujs të Koplikut të Sipërm, Malsi e Madhe. Fëmijëria e tij ka qene e ndarë mes liqenit dhe alpeve, dhe e bashkuar në një jetë si e të gjithëve, plot pamundësi dhe vështirësi, ëndërrvrasje e pengime. Shkollimin fillorë dhe të mesëm e ka bërë në vendlindje duke shfaqur interesim jo vetëm për mësimet por shumë më tepër, për autorë dhe vepra, për pena që kishin skalitur emrin e tyre në memorin e historisë së letërsisë së botës me shkronja ari.
Nga kjo kohë e shnjimeve të para shpirtërore, e trokitjeve të para të fjalës dhe vargut, artit dhe krijimit, ai kujton shoqërinë e tij me poetin Dodë Kaçaj, i cili u nda nga jeta tragjikisht më 23 prill 1998. Nuk nguron ta përmendi se studimet e larta ai ishte i detyruar dhe zemërthyer t’i vazhdonte për bujqësi duke u bërë agronim, punë të cilën ai e fillon në vitin 1971. Një nga emrat që ai citon shpesh për shoqërinë dhe komunikimin për librin, për artin për poezinë ishte, veprimtari i arsimit në Malsi, shkrimtari dhe shqipëruesi, Ramiz Lika.
Dhe kështu do të vijonte jeta e Sokol Zekaj, mes librave, leximit, poezisë dhe profesionit, të cilit ai i dha jo pak nga vetja edhe pse shpirti i kishte mbetur peng i poezisë, i vargut, i “asaj zonje gracioze të krijimtarisë” së cilës ju dha me mish e me shpirt. Poezi për të ishte gjithçka dhe gjithçka që ai bëri ishte poezia, sepse ai e përjetoi fuqishëm atë dhe ishte poezia që i dha një kuptim të themeltë jetës dhe njerëzores së tij.
Do të ishte viti 1984 kohe kur ai do të botonte vëllimin poetik, “Vise me diell”, por veprimtaria e tij letrare intensive nis në vitin 1991. Ajo që do të ishte një ngjarje në veprimtarinë e tij jetësore është ajo e emërimit të tij në Bibliotekën Publike të Bashkisë Koplik në vitin 1993, ku do të punojë dhe kontribuojë për 18 vite. Në atë kohë ai ka botuar librin me poezi, “E pamundura”, libër i cili është i pari në një kohë lirie. “Zogjtë e perëndimit” është një libër që i’u dha publikut dy vite më pas. Në vitin 1998 Sokol Zekaj hedh një hap të fuqishëm si shkrimtarë duke u ballafaquar me lexuesin nëpërmjet romanit “Orët e dëshmive”, që do të ishte i pari dhe i vetmi i tij, sepse ai ishte poet dhe do t’i dedikohej vetëm poezisë, sepse ishte ajo dhe vetëm ajo, zëri i së cilës rrëfente shpirtin.
Dhe do të vijonte rrugëtimin e tij krijues, Sokol Zekaj me “Unaza dhe zjarri” më 1999, “Kantik për hijeshinë e shiut”, 2001 dhe më 2003, “Vera fantastike”, libër me të cilin ai u nderua me Çmimin Kombëtar të Poezisë, “Pena e Argjendtë”. Pas botimit të “Poeti e rren emocionin” 2004, disa sprova esse dhe poezi, boton “Ylberët dalin kur si presim”, 2006, për të vijuar me “Bukurshkrimi shqip”, 2008 dhe një vit më pas “Mollët”, krijim i cili sipas tij mbyll fazën e dytë të poezisë dhe kapitullin e poezive të vendlindjes.
Më 2013 poeti sjell në jetë “E arta që lidh stinët”, i ndjekur nga “Avulli i verës” më 2017, “Toka të pabanuara”. Në vitin 2019, Sokol Zekaj merr një vlerësim, të cilin e ka çmuar, bëhet “Qytetar Nderi”, i Malsisë së Madhe, një nderim ky që e ngre lart në mirënjohje veprën krijuese të tij, si një përfaqësim dinjitoz dhe me vlera i traditës së poetëve dhe shkrimtarëve, artistëve dhe veprimtarëve të veprave të mëdha të krenarisë për Malsinë.
Poezia ime shton Zekaj, si e shumë poetëve është e ngritur mbi jetën time, duke marrë ndijimet në çastin e takimit me botën reale. Kjo është edhe arsye se pse ai e ka quajtur “Nga dëshira për të jetuar” përmbledhjen me jetën e tij poetike, e cila me një publikim dinjitoz të “Princ”, ju dhurua lexuesit në vitin 2020, si një testament poetik.
Tani, Sokol Zekaj, 73-vjeçar, del më pak, lexon dhe shkruan në shtëpinë e tij, pret dhe përcjell miq dhe admirues të poesizë, tregon pa mburrje dhe shumë sinqerisht, se e gjithë jeta e tij është në poezi dhe çdo poezi e tij është një rrëfim i viteve që ka udhëtuar në rritjen, promovimin dhe dëshmimin dinjitoz të malsorit.
Poezia e Sokol Zekajt është një lëmim shpirtëror i jetës, jetës në kuptimin e themeltë të saj. Ai i ka mëkuar asaj një zemër të bardhë dhe një pasion të ndezur në përjetime dhe emocione. Ai ka ardhur në letërsinë shqipe për të shkruar edhe kështu, thjeshtësisht dhe thellësisht, me një metaforë të bukur, varg melodioz, lirshmëri komunikimi estetik. “Në poezinë e Sokol Zekajt nuk mund të hysh dot nëse nuk e di se ç’është përulësia”, thotë shkrimtari dhe dramaturgu, Stefan Çapaliku mes të tjerash në parathënien e “Nga dëshira për të jetuar”. Për novelistin dhe romancierin, Rodvan Dibra, “Sokol Zekaj, është ndër të rrallët, poezinë e të cilit kam nevojë ta lexoj herë pas here…”.
Për Zani i Malsisë
Albert Vataj