Nga Albert Vataj
Gjithçka që del prej shpirtit, n’shpirtje gjen prehje.
“Rrëfenja” jote e shtrenjta mike, është mbajtja në jetë përmes përfytyrimeve t’mallshme dhe kujtimeve, të Tiranës, qytetin që po jep shpirtë çdo ditë nga vrasja e kujtesës dhe pesha e betonit dhe babzisë.
Mëtova sepse e ndiva veten pjesë e këtyre episodeve që e bënë Tiranën një cak zemrash të atyre ndijimeve që masin kohën me trokitje zemre.
“Rrëfenja” asht nji land qiellore. Tue dal prej nji shpirti, i beson letrës, delikatesën e nji force qi kërkon pafundsi andjeje. Krejtkjo, me ju dhan nji shpërthimi t’njasaj drite, qi veç kur e shohim mundena me besu se sa e dritshme asht.
Kah kjo forcë ngulmuese merr trajtë, na kena me besu se gjanat ma të mira e ma të bukura nuk mund të perceptohen nëpërmjet t’pamit të zakontë, përveçse të ndihen me zemër e të rroken me njat ngohtësi qi i ban ata me ken magji. Për me i’u dhan këtij mrekullimi nuk ka ken pa sakrifica, por Gentiana Kone, nuk ka mujt me i ndryshu drejtimin erës, por tan’njaja qi e ka hov në këtë ngulm i ka mundësu t’i kahin velat për të arritun në brigjet ku e presin.
“Rrëfenja” e Gentiana Kone asht njajo kube eteri, qi nderet mbi katër kreshta t’nalta, kulmime qi therin pafundsinë ku krijimi cyt universin e nji shpirti. Sall nëpërmjet njatij qielli qi shpërthen prej gjëmimit të gjoksit, krahnorit qi lyp me iu dhan nji zani poterisës.
Çapitjet filluese gurrojnë s’brendshmi tue marrë trajtë në shkrimet qi përmbajnë ADN-në personale të autores. Gjithçkanë e ngjiz n’havanin e njasaj vullnese qi i beson fjalës, jetësimin e gjendjeve e gjegjjeve me: “Oborri i kumbullës”, tue vijo me “Nën hijen e kohës”, “Letra”, “Pallati i kaltër”, “Kukulla”, “Udha e Kazanit”, “Kujtime rrokullisëse”, etj. Ky konstelacion asht rrugtimi qi merr yjësia e saj, për me ju dhan njatyne kërdisjeve qi shndrrohen n’yje.
N’faqet e kësaj sprove n’proz të Gentiana Kone vijnë edhe skica të cillat kanë lind ndër udhëtime, krejtkah i asht dasht me ndjek rrugën e zemrës, për me marrë mëkim në: “Akuarel vienez”, “Zonja e maceve”, “Ditar udhëtimi”, “Etyd ngjyrash”, “Mbi Vindobonë”, “Rubens”, etj. Këto cekje janë gjurmë inkandeshente që llamburisin në kujtesën e gjanave e gjendjeve që yshtin autoren. E pse jo veç me na tregu, se ku ka ken, e ç’ka ka mëvetësue, por me i mundësu secilit ëndërrtar e zelltar çlirimi prej kufinjsh të burgut të vetvetes, hartën e nji bote shpirti, të lexueme përmes njatyne syve, njasaj pamshmërie qi kqyrin përtej ç’ka shohin dhe kuptojnë njejt sa dhe ndjejnë, ambël dhe rrëmetshëm.
Vijon kjo përqafje e ngrohtë me letra a përsiatje të ndrojtuna të zemrës si: “Mbi libra”, “Motërz e dashur”, “I dashur mik”, “L’incontro”, etj. Për me kulmu me shkrimet kushtu Amelias, mbesës së saj, kapitull i cilli lyp në ne kushtim e kandje me u preh në njat kolovitje ndijimi qi përngjason në nji pend zogu qi e tushkit hukama. Delikatesën e kësaj behje e mëton: “Villa Petrarca”, “Amelias”, “Shtëpia e ëndrrës”, “24 orë nga jeta e një bliri”, etj.
Ardhja në jetë e librit “Rrëfenja”, e nji krijese të lëmueme në ndijime, asht të bekuemit e nji mundsie, qi tue dal prej shpirtit e tue u ngjit në qiell, me piku si një yll në prehnin e njasaj dëshire. Gjithqysh, e ban ate me u ndi hala tue fluturu në pafundsi përjetimi, qi beh e prehet në shpirtin e saj njat’her kur drita e rrezja e ndezin. Tue ken prej dëshirash, fjalësh e përjetimesh, në ne lind shkreptima e nji drite, shpërfaqjeje qi mbush në çdo andje, andrrën e dritës.
Gentiana Kone rivjen në kyt komunikim me t’njejtin puls vërshues. Stili poetik i rrëfenjimit asht jo vetëm veçanti e kësaj autoreje, por edhe muzikaliteti i vibrimit të këtij shpirti. Gjuha e pasunuar në një pranverim të harbuar lilimesh dhe aromash, asht një dehje më vete. Ne hyjmë pa trokitur në këtë realitet idilik. Por për të dalë që andej duhet t’u biem kambanave të shpirtit, atyne gjëmimeve që u mëkojnë heshtjeve dhe apative çlirim prej tokësores. Eteri që shpalon zëri i Gentianës është një frymë e tejnxehur nga ndjenja qi shpërthejnë duhishëm, duke kolovitur çdo trajtë dhe gjëndje. Kjo rendje e platitur mbi stolisjet e stinëve dhe çaprazin e kujtesës që dhemb, është çapitja e atyne hapave, çuçuritjeve të cillat rendin tue u drasht, se mos trazojnë ndionji prehje qi ka xan vend e paqtueshëm përshkon përjetsinë.
“Gurin e qoshes së kësaj ndërtese e përbëjnë shkrimet për ata yje që shpirtin që fëmijë më kanë ndrit si:
për Lasgushin “Ylli mbi Lyknidë” për At Gjergj Fishtën “Lule ndër shi”, mëton autorja. Prej saj dëftime të kësisojshme janë një dorëzim i atyne çasteve, qi tue lanë gjurmë yjësish, thellë në terrin e llamburitun të shkëlqimeve, zgjojnë nëpër paqti, pëshpëritjen e atyre zërave që u flasin heshtjes që kaplon.
“Kubeja e ngritur mbi këto mure do përmbajë akuarele dhe skica ku shpirti flatron në një realitet magjik në tablotë: “Kopshti qiellor”, “Shtriga e dritave”, “Transfigurimi i korbit”, “Sy liqenorë”, “Peizazh verior”, “Ditë marsi”, etj.” Kjo strukturë është imagjinare, por asht shpirti i jetësimit të çdo dëshirimi, ai qi i shndërron në trajta. Ata ndezen në zjarret e përjetimeve, nji e nga nji, si dritat në muzgun e një qyteti. Saora nis të marrë shkas pulsi i pemëve të prera, qi koha i ka flakur tej në një kthinë në pritje për zjarrin e madh të dimrit të shpirtit.
Në libër skicat do të ndjekin njëra-tjetrën në një tjetër rend për të mos ju imponu lexuesit me nji vazhdë kujtimesh të dhimshme. Kafshimët e atyre dhimbjeve qi pluskojnë mbi syprinën e trazuar të ndërmendjeve, shihen teksa struken në hijet e të shkuares pa nxjerr zë, por tafti i ftohtë i natave që gdhendin, lëshohet tue mbetë i stampur si gjurmë terratisje mbi xhamat, tekatje ku trazimet tona të pritjeve hukasin e zoriten.
Gentiana Kone e lodhun prej heshtjes së ditës, si vlaga që përmbys plisat e tokës, shpalon thelljen e atyre zgjimeve qi behin papritmas, si tue dasht me trazu, ma shum se me mëtu. Zani qi zë fill prej kësaj vullnese këndimi, asht za ku treten tana vërshimet e rrëmeteve, e djegen gjithsiishin diejt e ditëve ku ajo u pa me botën dhe veten.
Veç kur ulet me shkru, autoren, e dritë e shpirtshmja dije, se paska diçka për të ç’burgos prej thellsive ku vetja mban të robnume. Nuk ka pse me i’a lan harrimit ato rrëfime, tue ken se shpirti i botës lyp me shue ujën, e dikush çil zemrën dhe i bahet nji vakth i bujarshëm si për kremte. Shumë në ne rendin pa kthey kryet mbas, por tetan e ndijmë brenda vedit dietin e trazuem e shpirtin e flakun të marinarit qi zgjedh me u ndesh.
Të shkruash nuk mundet me pas trajtë të çfarëdoshme dëshmimi. Gentiana Kone vjen kësodore e mbushun me nji qiell qi përshkon skajet e përjetimit, dhe me një dritë që peshon në fulurim ajrin qi mëkon shpirtrat, ata qi i napin za zejeve të harrueme të ligjërimit të naltë.
Anipse mbushet me mjegullnajat e trazimeve e të praruarën e një melankolie. Beh hera-herash në zymëtinë e mrazit e plagimeve për me u shfaq ngjyrshëm në blunë e një syni qi e kundron me adhurim. Asht kjo kimi që cek në trajtat që merr fryma e në fjalët që gërmëzohet, në telat e tendosun të melankolisë së shpirtit, atij gufimi që zgjohet sa herë qi krijuesi përmendet nga rimishërimet qië e kanë bartun nëpër kohna dhe tue ju bind nji vullneti të epërm, nis e i’a shpalon vedin botës.
Gentiana Kone, njajt me këtë udhëtim i asht gjejgj nji zani qi i asht bind pa prit me e shoqnu e shumësu në tinguj e melodi.
Çdo zamje, të cilles Gentiana i epet, za prej zanit të vet i nep dhe ndihet përtej caqeve qi e përcaktojnë prehjen fizike dhe ndijimore. Ata janë ajri i reales ku kumtohet ajo marrdhanie, ai perceptim dhe krejtçka rrethuese i vjen, si me dasht me e mbush.
Na bahena pjesë e rrëfimit të librit “Rrëfenja”, tue ken në nji farë mënyre yshtje e këtij kumtimi krijus shpesh personazhet qi ravijëzojnë të shpirtshmen e rrëfimit të narracionit, ose përngjasojnë në pasqyrimin e saj në krejtçfarë i qaset me e përfshi në vërshimin e të çdopërditshmes. Ose asht vet ajo e tregueme në nji kandvështrim të panjoftun ma parë, të cillin ajo e ka mbajtë për nji kohë të gjatë larg syve dhe andjes së kureshtusve. Me gjas shpesh këto përkime, shprehen në njifarë forme shpalimi, thue se autorja ka zgjedh me hy e me dal prej këtyne kallximeve, si prej nji andrre në reale, në kërkim të atij misteri qi shpirti i’a mban strukun.
Tash andrra e sendërgjimit në trajta andjesh dëftuese përplot përjetim, asht e prekshme dhe ndihet në çdo fijëz inkandeshence qi feks. Njaty lypin shpirtje, ku perceptimet qi e përqarkojnë e kredhin në jetësim. Dhe teksti, solemniteti i formës dhe fokusimit, përmes një loje reflektimi, depërton tue përshku përfytyrimin me njaq përjetim sa me e ba të jetueshme. Andaj, sekush ban zgjedhjen e vet, nëse don të jetë botë e këtij trilli ëmbëlak, a nëse i mundëson rrezatimit thjeshtë ta përshkojë.
Ti duhet ngase don me u ba shkëndij e këtij dritimi, tue ju drasht territ të heshtjes e harrimit. Fjala, fraza, gojimi i amëlcuem n’stolisje gajlesh e gostitjesh solemne i bahet tharm gjithëkësaj ngjizje krijuese, gjithëkëtij ngulmimi shprehës.
Gentiana Kone vjen nëpërmjet kësaj trajte shprehëse krijuese, tue pru bashkë me çdo tregim e rrëfenjë, ojnisje e stoli, pjesën ma të qensishme të vedit, të asaj qi ajo qaset me e shpërfaq krejtsi asht, që prej thellsive, atyne; qi koha e droja, heshtja e mërmëritja i kishte kyç. Tash ajo i rikthehet ç’ka don me tan shpirt siç i druhej me tan zemër, me fol, me këndu, me fluturu.
Krijimi të nep kraht e asaj lirie, qi kurrnji ngucamë tjetër s’mundet.
Asht ky eter qi tue e shndrru në frymë gjithçka kje burgosun në mish, e shpërblen ate me ma të naltin izëm, shenjtnimit të shpirtit në çka beson, në kumtim.
( Parathënie e librit “Rrëfenja)