Nga Albert Vataj
Pavarësisht përmasave të saj, ideja dhe realizimi shquhen për një ngarkesë emocionale, forcë përjetimi dhe gjallëri shkujdesjeje, skulpturë, e cila rrit tonalitetin ndijues nga tërësorja kompozicionale, shprehia dhe një natyrshmëri. Gjithëkjo e një çasti e murosur në skulpturë, rreket të memorizojë jetën rurale, të fiksojë një behje përjetësie sublime arti, dashuri nënash.
Cilido nga ju, sapo të shohë këtë skulpturë të titulluar “Dy Nënat”, realizuar nga gjermano-holandezi, Frans Stracké, në vitin 1893, punë e cila ndodhet në, Rijksmuseum në Amsterdam, haset me dilemën e parë, pse dy nënat. Por një sy vëzhgues do të konstatojë vërtetë dy nëna, është gruaja me fëmijën e saj në krah dhe në bohçe mban dy këlyshët e qenit, i cili e ndjek nga pas.
Franz Stracké e krijoi këtë skulpturë terakote në vitin 1893. Titulli “Dy Nëna” i referohet gruas dhe qenit, të pozicionuar në këmbët e saj duke shikuar lart, këlyshët e të cilëve ajo mban.
Kjo skenë e ëmbël dhe rutinore e një zone rurale, pasqyron interes në rritje për jetën e peshkatarëve. Megjithatë jeta nuk është një shtrat me trëndafila për gruan këmbëzbathur, ajo ka një mision për të përmbushur si nënë dhe një përkujdesje për të përbashkuar me një nënë tjetër, qenin, për rritjen e këlyshëve të saj. Ajo ka vetëm dy peshq në qesen e saj, dhe rrjeta që tërheq pas saj është bosh, ky detaj është sjell nga mjeshtri si një mënyrë rrëfimi për vështirësitë, përditshmëria e të cilave nuk i ndalon ata njerëz ta duan jetën, dhe këtë nënë të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të japë zemrën e saj të blatuar në përkujdesje dhe dashuri.
Gjestikulacionet e kompozimit shpërfaqin një lloj shkujdesjeje, të cilën skulptori është përpjekur ta ruaj deri në detajin më të vogël, si një akt solemn përcjelljeje të atij momenti që ka ngelur tek ai si një shkreptimë e beftë dhe e sjell në përjetësinë e artit si një përjetim. Ja se çfarë është në gjendje të bëjë arti, të jetësojë duke i sjellë nga shumë vite larg, jetën e një gruaje, sfidën e një nëne. Në veçanti sytë e gruas dhe fëmijës janë kaq të gjallë dhe vështrimi i tyre arrin të shquaj edhe sot ëndjet që e shndërrojnë këtë çast në monument.
Albert Vataj