Nga Albert Vataj
Të gjithë kanë mënyra të ndryshme të shfaqin ëndrrën e fluturimit, por fotografi, Jetmir Troshani e shpreh këtë nëpërmjet fotografimit të zogjve. Jeta e tij mes Amerikës dhe Shqipërisë është një fluturim me avion dhe zogj. E njeh qiellin ndoshta më shumë se çdo vështrim që ka pleksur papërmasshmërinë e kësaj lirie.
Kamera e tij fokuson zogj, zogj, shumë zogj. Kjo është një shprehje e dashurisë për pafundësinë, fluturimin, zogjtë, lirinë, të cilat ai i përcjell përmes poetikës të çastit, me një natyrshmëri dhe joshje, Që vetëm një sy shpirti, përmes një lenteje, arrin ta fiksojë. Ai ndalon kohën në fluturim, për ta lënë atë të vijojë të jetë e tillë, e vërshimtë në ndijimet dhe dëshirimet tona.
Ne, vërtetë nuk mësuam të fluturojmë, por çdo fluturak, çdo rrapëllues i qiellt, na jep krahët e asaj lirie, për ta rrokur qiellin me njëjtësinë e afshit të krahëve të shpendëve që përplasen në ajër.
Jeta e Jetmir Troshanit, e gjitha, nuk janë zogjtë, jeta e egër, promovimi dhe mbrojtja e tyre, por gjithqysh këto janë gjithçka për të, sepse ai e ushqen këtë shpirt me zjarrin e pasionit, atij vlimi që i mëkon atij energji eteri dhe shpërblim zëshmërie të ndjenjave.
Vijnë këta zogj, këta qiej, kjo natyrë e begatuar në një shpirtje të tillë bujare, përmes fotove të shumta, por më së shumti përmes një epike durimi dhe vendosmërie, që i bëhen e mundshmja e një fokusi të vetëm.
Ne të gjithë kemi parë dhe fotografuar zogj, por fatlumët për të bërë shkrepjen e artë, janë ata që kalitin durimin dhe përqendrimin në një kohje që ndalon në një çast të vetëm, për të ardhur tek fotoja që thjeshtë të lë pa fjalë. Dhe Jetmir Troshani është ai vullnet i paepur, ai ngulm i pandalshëm që del prej tij, si një mision, për ta shpaluar qiellin përmes fluturimit të zogjve, duke na mëkuar kaq shumë liri, një poetikë kaq dehëse, dhe një ëndje për ta dashuruar natyrën.
Jetmir Troshani ka zgjedhur të na kontaktojë përmes fotos, të na rrëfejë shpirtin e tij përmes krahëve të këtyre fluturakëve, të na zgjojë nga thellë brenda nesh, atë dëshirën e papajtueshme me kohën, dëshirën për t’u ndjerë të lirë si zogjtë, ëndrrën e kahershme për të fluturuar.
Albert Vataj