Nga Albert Vataj
Një vështrim i atypëratyshëm e ka të pamundur të të nxjerrë nga kurthi i reales që përcjell vështrimi i vajzave të norvegjezes së sklupturës, Berit Hildre. Vajzat e Haldre janë aq të shkujdesura, aq të ndrojtura dhe lozonjare, vështrimi i tyre është aq i ngulmët dhe depërtues, aq sa e ke të pamundur të besosh se kjo delikatesë e moshës së pafajësisë është e murosur në përjetësim arti, njëjt si një çast që dehja jonë e adhurimit e struk në një vend të privilegjuar të kujtesës.Këto vajza që sjell Berit Hildre, janë gjithçka që shpirtja e saj krijuese rreket të dëshmojë si një devotshmëri rrëfimi të viteve që zënë të kthehen me të njëjtin puls dhe vitalitet. E ndërsa i përcjell këto skulptura, aq thellë depërton vështrimi i këtyre vajzave, aq e ëmbël është lozonjarja e tyre, sa mënd dhe dëgjon edhe zërat e tyre, heshtjen që u flet me një zhdërvjelltësi ngasëse. Duket se gjithë galeria krijuese e skulptores është e përbërë nga bota e vajzave, nga ajo kujtesë e artistes, e cila i shfleton përditshmëritë e këtyre pafajësive, si për të na treguar se për një vajzë, e gjithë jeta e saj është vajza. Ajo nuk tenton të rritet. Ajo dëshiron të mbetet aty, sot e përgjithnjë, duke na u qasur gjithmonshmërisht ajo, mosha e pakompromistë me asnjë ngulm. Asnjë zëri të kohës, ajo nuk i përgjigjet, as adoleshentes së stuhishme, as rinisë së flakërimave dhe ndrojtjes, as gruas së dëshirimeve dhe ambicies për sfida. Jo, vajzat e Berit Hildre nuk duan të rriten. E gjithë jeta e tyre është përshkueshmërisht nga vajza, ajo dhe vetëm ajo.
Albert Vataj