“Puthja tek dritarja” është një pikturë, vaj në kanavacë e vitit 1892 nga Edvard Munch, tani në Galerinë Kombëtare të Norvegjisë. Ajo është pjesë e serisë së tij të njohur si “Ngricat e Jetës”, e cila trajton ciklin e jetës, vdekjes, dashurisë dhe u realizua midis viteve 1893-1918.Veprat artistike përshkruajnë një çift që përqafojnë njëri-tjetrin, ndërsa bashkohen në një dhe fytyrat e tyre, bashkohen në një formë të vetme pa tipare.Çifti i këtij akti solemn dashurimi, puthjes, është i rrethuar nga errësira e akullt, që vërtitet me burimin e vetëm të dritës së mardhët që shfaqet nga dritarja, e cila është e mbuluar nga një perde, tëjdukshmëria e së cilës, lejon natën të hyjë brena, ku ato janë përfshirë në këtë kopulim buzësh, në këtë njëjtësim trupash.
Në këtë vepër arti, Munch përshkruan të dashuruarit, për të përfaqësuar unitetin e tyre, i cili është i pamundur të ndahet dhe në të njëjtën kohë lë të kuptohet shpërbërjen përmes humbjes së identitetit dhe ekzistencës së dikujt.Dashuria, marrëdhëniet dhe romantika ishin temat e pikturave të tij, që ai i realizoi me variacione, në temat, të cilat do të përcillnin në njëfarë mënyre botën e tij trazuar dhe shpirtin e rrethqarkuar nga ngrica, që rrekej të gjente prehje në zjarrin e një puthjeje, që gjithashtu ndëshkohej nga i njëjti fat tragjik.
Sot tabloja “Puthja tek dritarja” është vendosur në Muzeun Munch në Oslo, së bashku me veprat e tij të tjera që përplotësojnë serinë “Ngricat e Jetës”, të cilat i morën Edvard Munch jo pak, por 30 vite.Kjo seri tregon fazat e ndryshme të marrëdhënieve moderne me portretizimet e njohjes, tërheqjes, realizimit dhe zhgënjimit, gjithashtu edhe me vetë gjendjen shpirtërore të mjeshtrit.Çifti misterioz i portretizuar në këtë pikturë nuk tregon butësi dhe bashkëpunim në këtë akt, edhe pse ata thirren në këtë puthje si në një solemnitet shprehës të ndjenjave dhe trazimeve që i tërheqin nën një magnetizim të tillë aq sa duket se treten në njëri-tjetrin. Fytyrat janë të fshehura në hijen e një përqafimi sensual, por jo të ndezur prej zjarrit të pasionit.
Trupat, të padallueshëm prej shojishojt, janë të ngatërruar në atë që duket se është, më shumë një betejë kacafytëse, sesa një përqafim i ngrohtë.Të dy figurat janë qartë përjashtim ndaj çdo kanoni tradicional kompozimi. Të shtyrë drejt skajit të djathtë të figurës, ata konsumojnë këtë akt nën një gjendje parehatie dhe aspak komode. Shkëmbejnë kështu një veprim vjedhacak pasioni, nën një nevojë të diktuar rrethanash dhe yshtjesh. Duket se edhe vetë ata, më shumë se bota që i rrethon, nuk janë dakord që buzët e tyre të përfshihen në këtë kopulim, por e bëjnë, e bëjnë duke treguar se më shumë se asgjë, zjarri është ai që i thërret ata në këtë papajtueshmëri që kurorëzohet në një puthje, puthje dhe afri fizike që piktori i ka shkrirë në një, duke i strukur mbi njëri-tjetrin, duke i fshehur.
Po ndaj Kujt?
Nata dhe ajo dhomë e akomoduar, kjo shkujdesje plot mëdyshje dhe padëshirim, të cilën piktori e ka skalitur kaq ftohtë në paletën e blusë, e cila zbardhet e erret, për të qenë më shumë një panoramë ngrice, se sa një moment i përpushur përfshirjeje dëshirimi dhe emocioni. Hijet e ftohta të pikturës i referohen atmosferave nordike, por më shumë, trazimit të thellë të shpirtit të piktorit.
Të dy personazhet mistik të këtij përqafimi, është e pamundur ti dallohen veçmas, të ndarë. Paraqesin humbjen e identitetit?! Marrëdhënia midis burrit dhe gruas konfigurohet si një tension midis dëshirës për të dashur dhe frikës së dashurisë.
Marrëdhënia e paqartë shprehet nga bashkimi fizik i dy figurave që përqafohen në një përpjekje për të anuluar ose asimiluar. Në këtë transferim Munch, ndjenja e dhimbshme e vetmisë, lidhet me përvojën e tij personale. Ai rrëfehet kaq trishtueshëm në këtë tablo, ndoshta jo me të njëjtin intensitet si tek “Britma”, por njëjtësisht të ngarkuar me pezëm, ekuilibër të çatrafiluar emocional dhe një marrëdhënie e thyeshme me thellësinë e vetvetes dhe me botën, e cila për të është e ftohtë, refuzuese, armiqësore, por që kërkon të pamundurën të shprehet e ndryshtë, qoftë një çast të vetëm, të cilën ai e ka fiksuar te “Puthja tek dritarja”. Sot, shumë puthje janë të tilla të akullta dhe njëkohësisht përfshirëse deri në tjetërsim, në zhbërjen e fytyrave dhe trupave dhe lejimin e tyre identitar vetëm nëpërmjet siluetave që përpëlitën ne blunë e thellë të errësirës dhe të bardhimtën e akullt që përgjon nga dritarja.
Albert Vataj