Ideali i lartë i Faik Konicës për ta mbrojtur dhe për ta bërë sa më të njohur flamurin tonë kombëtar bie në sy që në shkrimet e tij të hershme në revistën “Albania”, të cilën ai e themeloi dhe e drejtoi.
Në shënimin “Flamuri kombëtar i Shqipëtarëvet” (“Albania”, 15 shtator 1901) në pyetjen e një parapaguesi të revistës “Albania”: “A ka Shqipëria një flamur kombëtar?”, Faik Konica i përgjigjet duke u bazuar në veprën e Lavardinit: “Historia e Gjergj Kastriotit i mbiemëruar Skanderbeg, mbret i Shqipërisë”, botuar frëngjisht në Paris më 1621. Në faqen 44 të këtij libri lexojmë: “Flamurët e Skenderbeut, që ishin të gjithë të kuq, kishin një shqiponjë dykrerëshe të zezë. Ngjyra kombëtare jona është e kuqia edhe e zeza; këto ngjyra të vëna bashkë janë shënji kombëtar i Shqipëtarëvet”.“Shqipëria a ka një flamur authéntik?”, punimi i dytë i këtij atdhetari për flamurin është përgjigje xhonturqve, të cilët, siç thotë Faik Konica, “përhapnë dhe po përhapin fjalën që Shqipëria nuk ka flamur authéntik”.
Përgjigjja fillon me një ton të ashpër polemik, por e argumentuar në bazë të burimeve shkencore të pakontestueshme. Xhonturqve dhe atyre që nuk dinë dhe atyre që nuk duan të dinë për historinë e flamurit tonë kombëtar, i cili është në të vërtetë, histori dramatike e kombit shqiptar, – ai në mënyrë sarkastike ua kujton të kaluarën historike të shqiptarëve, kur ndër të tjera, thotë: “Në keni dyshim, pyetni kockat e stërgjyshërve tuaj dhe do t’mësoni laftin dhe madhërin’ e atij flamuri. Jo kockat e krahërorit, po kockat e kurrizit, – se Turqët, stërgjyshërit t’uaj, të mundur prej atij flamuri në jo më pak se njëzet e dy lufta, i kthyen më shpesh kurrizin se sa qëndruan t’i bëjnë ballë”.
Shqipëria e ka një flamur autentik? – Përgjigje për një të sharë xhonturqve
Nga Faik Konica
Xhonturqit, për të shuar idealizmin në zemrat e shqiptarëve, përhapën dhe po përhapin fjalën që Shqipëria nuk ka flamur autentik, që flamuri i kuq me të zezën shqiponjë dykrerëshe, është i përbërë rrenësisht tani shpejt, dhe që kjo “lëvere” s’ka ndonjë rëndësi fare. Oh jo, o xhonturq, nuk është ashtu! Lajthiteni shumë. Në kini dyshim, pyesni kockat e stërgjyshërve tuaj, dhe do të mësoni lartin dhe madhërinë e atij flamuri.
Dhe jo kockat e kraharorit, po kockat e kurrizit – se turqit, stërgjyshërit tuaj, të mundur prej atij Flamuri në jo më pak se njëzet e dy luftëra, i kthyen më shpesh kurrizin se sa qëndruan t’i bëjnë ballë. Por, që t’u presim guximin xhonturqve, dhe t’u provojmë shqiptarëve padrejtësinë e armiqve të kombit tonë, do të shtrojmë përpara secilitdo tekste autentike që dëftojnë, pa lënë fare vend për dyshim, vjetërsinë dhe vërtetësinë e flamurit që përdorim.
Kur bisedohet një pikë historie, duhet më parë të marrim librat më të vjetra dhe më të shëndosha që e ngasin atë pikë. U botuan latinisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, hispanisht, portugisht, suedisht, greqisht, më tepër se njëqind vepra përmbi jetë të Skënderbeut. Por, lënda e të gjitha këtyre veprave është e marrë, rrjedh nga një burim. Thashë “burim”, dhe këtë fjalë mbajeni mend, se nuk është një metaforë e ardhur pa kërkuar nën pendën time, por është pikërisht fjala teknike e përdorur nga historianë; Thonë frëngjisht “les sources” , “burimet” e një çështjeje historiake.
Kënduat ngandonjëherë fjalën “bibliografi” të përdorur këtu [te “Albania”]. I ndjeri Emile Legrand gatonte një bibliografi shqiptare. Puna e bibliografëve është të ngrehin lista metodike librash përmbi aksh e aksh subjekt, që jo vetëm studentët e një çështjeje të shohin se ç’u botua përmbi atë, po të dinë edhe burimet nga u hoqnë [nxorën] ato botime.
Mjerisht, “burimet” e Skënderbeut tonë janë aq të pakta, sa s’kemi nevojë për kërkime të veçanta, dhe i dimë që janë dy.
I pari burim është një libër i shtypur më 1480 (vetëm 13 vjet pas vdekjes së Mbretit!), në Venedik, latinisht, nën këtë titull: “Historia Scanderbegi edita per quendam Albanensum. Venetiis impressa industria, atque impensa Erhadi Radolt de Augusta anno Domini 1480. Die 2 mensis Aprilis ducante Joanne Mocenyco inclyto Duce”.
Do me thënë: “Historia e Skënderbeut e botuar prej një shqiptari. U shtyp në Venedik me mundim dhe me të holla t’Erhard Radolt-it në vit të përlartë të Zotit 1480, ditën e 2-të të muajit të Prillit, kur ish në fron (të Venedikut) Joanni Mocenigo, duka i shkëlqyer”. Për autorin, i cili me modesti të tepërt, nuk e shfaqi emrin e tij, dimë këto: Ish nga Tivari, dhe një vëlla i tij qe zyrtar ndër truprojësit e Skënderbeut. Nga ky vëlla, autori shqiptar i mësonte të gjitha punët e Mbretit pothuaj ditë pas dite: zakonet e veçanta të Skënderbeut, marrëveshjet diplomatike, fushat e luftës, të tëra janë shkoqitur me shumë kujdes.
Një tregim [episod] do t’u tregoj vërtetësinë e autorit tonë: kur arrin në histori të luftës së Skënderbeut në Itali, ku Mbreti ynë kishte vajtur t’i ndihte mbretit Ferdinando të Napolit kundër frënqve, shkronjësi kërkon ndjesë nëse bën lajthime, sepse, thotë, këto të ngjara i mësoj nga dorë e dytë, duke qenë që i vëllai i tij, i sëmurë në atë kohë, qe i shtrënguar të mbetet në Shqipëri: “Frater meus, qui in ipsis Domini stationariis ordines ducebat, cujus traditiones ego potissimum sequebar, eo tempore morbo implicitus domi manere coactus fuerit”. Si e shihni, libri i shkronjësit të Tivarit është një burim shumë i vlershëm për jetën e Skënderbeut. Për fat të keq, s’ka mbetur më sheshit asnjë ekzemplar; po me gjithë këtë, e njohim me anë të priftit Biemmi, i cili e përdori, pothuaj e përktheu, në jetë të Kastriotit që botoi italisht më 1742 në Brescia.(28)
I dyti burim i jetës së Skënderbeut është vepra e Barletit: “Historia de vita et gestis Scanderbegi, etc”. (“Histori e jetës dhe e të bërave të Skënderbeut, etj). Barleti qe shkodran dhe e kish parë me sy Skënderbenë. Kur ra Shkodra në duar të barbarëve, Barleti u ngrit e shkoi në Venedik, dhe atje botoi më parë historinë e luftës së Shkodrës. Më 1508, botoi latinisht jetën e Skënderbeut, e cila pati shumë edicione dhe shpejt u përkthye në të gjitha gjuhët e Evropës. Edicion i parë, 1508, është shumë i rrallë; po British Museum-i, i cili është fort i pasur në libra për Skënderbenë, ka jo një, po dy ekzemplarë nga ky edicion!
Pas këtyre burimeve, mund të shtojmë një vepër shumë edicionesh (i pari të cilin e kujtoj këtu, doli në Paris më 1576) të Lavardinit: “Histoire de George Castriot, surnommé Scanderbeg, roy d’Albanie. Par Jacques de Lavardin, etc., Paris, 1576”. Libri i Lavardinit, i hequr nga i Barletit, nuk mund të quhet një burim, po ka një vlerë: si e dëftova aq herë te pjesa frëngjisht e “Albania-s”, në atë kohë mbretërit e Francës kishin një trupë shqiptarësh në ushtri të tyre. Lavardini, si burrë i luftës, kish raste mjaft që të piqej me këta ushtarë, të cilët do kishin dëgjuar qindra herë nga pleq të vendit të tyre të ngjarat dhe punët e Skënderbeut.
Lavardini pra qe i zoti të kontrollonte të thënat e Barletit; dhe në mos e akseptofshim si burim, se burim nuk është, kemi të drejtë ta pëlqejmë si një shtim të dobishëm të burimeve.