Ishim në Shkodër në një lamtumirë të të shtrenjtit tonë, por nën këtë hije të vrashtë vdekjeje dhe pikëllimi, zije dhe lotësh, gjetëm shkas dhe biseduam. Biseduam për artin, për këngën në veçanti. Mateus, pati mirësinë të më dëgjonte për disa këshilla në lidhje me lançimet e tij të herahershme, të suksesshme natyrisht, por që tek unë, ai ishte shumë më shumë, kishte më tepër të jepte, më tepër dhe diçka krejt ndryshe. Nuk u justifikua kur më parashtroi “nënshtrimin” ndaj diktatit të komercit, asaj që duan njerëzit, asaj që pëlqejnë ata dhe rrjedhimisht artkrijuesit të binden.
Sot më dërgoi këtë performancë të tijën në Vizion Plus, një interpretim të “Këngë Moj”, në mbrëmjen homazh, “Nata Prodan”. “Në vazhdim të bisedës në Shkodër”, më shkroi, një këngë fantastike që ka marrë për dy muaj vetëm 2,794 shikime. Pak, shumë pak, për një këngë të tillë dhe për një interpretim kaq emocionues. Një kontakt estetik që të pëshkon tejpërtej. Një këngë, si dhe do shumë të tjera kaq “fatkeqe” që nuk i lejojmë të bëhen pjesë e shijes sonë, e atij ushqimi, me të cilin ne u mëkojmë etereve të perëndishme ku “pereht” paqësor ëndja jonë adhuruese.
Këtë informacion ma serviri, jo sepse donte të kishte të drejtë nga ajo që biseduam parimisht në Shkodër, por se ky është fakt dhe përballë tyre çdo kryengritje vihet nën pendesë dhe largohet fajtor.
Mateus, nuk më trishtoi kjo, i them. Ky fatkob ka pleksur shijet tona estetike, duke na shndërruar në krijesa të zbrazëta, duke ngurtësuar çdo shpirtje tonën dhe shuar çdo thërrmi të shkëlqimtë magjie, që mëkon arti i vërtetë, arti që drithëron zemrat e njerëzve në përjetësi, ngase ka ardhur të bashkëjetojë me ne përgjithmonë.
E megjithatë jemi përballë një fakti, tronditës, por assesi shokues. Ajo që duam dhe ajo që duhet të duam, janë dy gjëra që mjerisht kurrë nuk i kemi kuptuar, ose qëllimisht i kemi zhvendosur në periferi të interesave tona bazike. Kemi pranuar të ecim në baltë. Gjasëm për këtë çdo gjë që përbën admirimin tonë artistik, ka shije bale, kudërbon dhe ta shpif, megjithatë na pëlqen. Na pëlqen vulgarja, shija bajate, kotësitë. Kjo vërtetë nuk e ka trazuar jetën tonë, por nuk mund të themi se e ka zhbërë atë nga çdo gjë e hyjshme, edhe pse ka shumë nga ne që pretendojnë se Zoti na ka krijuar sipas shëmbëllimit të vet.
Për cilin Zot bëhet fjalë?!
Çfarë mund të thotë dikush për Johann S. Bach, njeriun që besonte se muzika ekziston për nderimin e Perëndisë dhe për kënaqësinë e zemrës. Tregojnë se “muzika ka zbritur nga qielli si lavde e njeriut për Zotin”, por kur ajo pikon nga shpirti i ngjet një rrufeje që thyen errësirë për të mbjellë dritën e vezullimshme, me të gjithë harenë dhe kopulimin e fuqishëm, si në një akt sublim dëshirimi.
Ndoshta nuk do të na pëlqejë ajo çfarë thoshte Platoni i madh, sipas të cilit “Muzika është një ligj moral. Ai i jep shpirt universit, krahë i ofron mendimeve për të fluturuar drejt imagjinatës dhe hijeshisë ndaj jetës dhe gjithçkaje.” Komentin e kësaj maksime dua t’ua lë juve ta bëni.
Gjithsesi, i shtrenjti im, Mateus Frroku, ajo që më ngushëllon është fakti se si ti, ashtu edhe kolegët tuaj, janë të vetëdijshëm se ajo që bëjnë, nuk është ajo që i përfaqëson ata, por diktati i marketingut dhe shija bajate e konsumizmit, i ka magjepsur, duke i thithur në kënetën përpirëse të vlerave të turmës, ngase turma është përcaktuesja e standardit.
Megjithatë, mendimi im, nuk i hyn askujt në punë, dhe për këtë nuk ka pse të trazohet njeri e të shtrembërohet ndonjë qehre. Koha është ajo që i përcakton ligjësitë e saj, si kudo edhe në art. Ajo është korrekte dhe e pamëshirshme.
Faleminderit Mateus Frroku.