Christian Schloe është një artist i talentuar kilian, puna e të cilit përfshin artin dixhital, pikturën, ilustrimin dhe fotografinë. “Çdo gjë mund të ndodhë në një botë që mban një bukuri të tillë, siç është femra” mendon Christian Schloe. Përmes artit të tij, ai depërton thellë në botën e gruas, përshkon tejpërtej shpirtin e saj, e bën të lexueshme çdo grimcë të vezullimtë dëshirimi dhe ëndrre, pasioni dhe zjarrmimi, rrëmon dhe nxjerr në sipërfaqe botën e saj, dëshirat dhe dëshpërimet, dashuritë dhe zemërthyerjet, duke e mëtuar kësisoj brendinë, fuqishëm përmes një koloriti të toneve të ngasëse dhe shprehëse, aq sa shpesh duket se më shumë flet ngjyra se sa idealizimi i femrës në një trajtëzim ideje dhe mendimi.Christian Schloe paraqet momente të çuditshme që tërheqin shikuesit nga një realitet konkret për ta joshur të përfshihet në një botë ëndërrtare. Përfytyrimi i artistit jetëson idetë dhe mendimet, duke krijuar një botë imagjinative, një reale trillane që na thërret për tu përfshirë në eksplorimin e saj dhe përjetuar emocionalisht atë.Në punën e tij, artisti dixhital krijon histori ekspresive vizuale të mbushura me paleta me ngjyra të buta, zogj dhe flutura elegante, petale të buta lulesh dhe peizazhe të botës tjetër, madhështore dhe solemne, sublime dhe magjike.Iluzioni i një kanavacë të gërvishtur dhe skajeve të vjetruara aludojnë në një kohë dhe vend tjetër ku një ujk ulëritës është gjysmë njeri, gjysmë kafshe; një çift vallëzon mes reve; dhe një vajzë e re mbledh pikat e dritës së hënës në një tas. Nuk është një paradë vizive të një bote përrallash, por të një shpirti gruaje, e cila jeton po aq fuqimisht dhe ndijimisht në botën e realitetit të tashëm siç i qaset me të njëjtën prani dhe përfshirje një botë që shpesh lind dhe vdes brenda saj.
Albert Vataj