Nga Albert Vataj
Pengesa më e lartë që mu desh të kapërceja, për të përligjur të drejtën e të kumtuarit të diçkaje rreth romanit, “Mos harro të më kujtosh” të miku tim, Liridon Mulaj, nuk ishte rileximi i librit, sa ç’ishte shkëputja prej fijeve, përshkueshmëria e të cilave, do ta vinte në dilemë atë që do të shkruaj për librin. Duke ç’koduar personazhin Tador, atë që na rrëfen vetveten me zemër në dorë, me të njëjtin sinqeritet dhe frikë në përngjasimin e jetës së tij me të dikujt tjetër, që ka zgjedhur të hesht, në një botë që e ka më të lehtë të të paragjykojë se sa të të mirëkuptojë, e aq më pak të të ndihmojë t’ia dalësh.
“Mos harro të më kujtosh” i Liridon Mulajt ështe një roman që denoncon shoqërinë, jo më pak edhe individin. Përsonazhet e këtij rrëfimi janë sa real, triller, aq dhe të sinqertë. Ata nuk kanë asgjë për të mbajnë larg syve të njerëzve, edhe pse janë të paktë ata që kanë mirësinë ti fokusojnë në vështrime e tyre përnga ata. Kanë zgjedhur të jenë të tillë sepse, çfarë ata i trazon, është ajo që ka kultivuar në truallin e së tashmes së një individ fatkeq. Nuk i mjafton asgjë morale në këtë bote të ndyrë; as arsimimi, as përkushtimi, as nderi. Gjithçka shumëzohet me zero në nevojat utilitariste që paraprijnë. Atij duhet të jetë hileqar dhe frikacak, të dredhojë dhe t’ia mbath. Ai duhet të ketë frikë nga sinqeriteti, siç ka nga vdekja që vjen prej tij. Ai duhet të ketë frikë nga kujtesa, siç i druhet gjithçkaje që sjell ajo, qoftë edhe një të afërmi që rishfaqet ashtu beftas pas një mungimi të gjatë, jo dhe aq për pendesë se sa rizgjim trazues në dhimbjet që rivjen.
Romanit i mungon fabula, si qëllimsi për ta nxjerrë rrëfimit nga rrethi vicioz i skematizmit dhe klisheve. Kjo më së shumti është një sprovë që autori ka guxuar të ndërmarrë, duke besuar tek gjërat që e ushqejnë këtë shpirt krijues, më shumë se sa të druhet prej fshikujve të gjykatoreve letrar. Liridon Mulaj është rrekur kësisoj t’i qaset një mënyrë të ndryshtë rrëfimtarie dhe orvatje e kësodorshme dukshëm cyt çdokënd të besojë, se ligjërimi është një nevojë afrie dhe mundësie komunikimi me shojishojn. Në këtë përpjekje ai kërkon të ruaj konturimin horizontal të këndshimimit dhe depërtimin e thellë në nënvetëdijes që ngucat shkasi i gjendjeve. “Lënda shkrimore, thotë Umberto Eko, është konvencioni i identitetit të autorit. Sado që ai të bubullojë e të rrëmihë, vetiu kjo lëndë shkrin në të një marrëdhënie me vetveten, përmes një ekstrakti letrariteti”… dhe Liridoni e rrok këtë thelbësore të themeltë të krijimit.
Stilistika e trigimtarisë është e sendërtuar poetikisht. Përmes saj, autori i blaton situatave dhe çasteve shpirtin krijues, kullimin e frazës dhe ligjerimit. Aty-këtu shfaqet e fuqishme figurshmëria e oratorisë shprehëse të poetit, duke e veshur panoramimin e atypëratyshëm me një brerore pathosi. Sepse ne të gjithë jemi qenie të mbikëqyrura dhe të administruara nga pesha specifike e ndijimit.
“Mos harro të më kujtosh” i Liridon Mulajt është roman i njëfrymshëm, por me një densitet të lartë përjetimi. Gjeografia e zhvillimit të ngjarjeve ka shtrirje të kufijshme kohore, por shpirti i personazhit e shpon atë kurm të drobitur lëngimesh të realitetit, thellë. Përceptimi dhe përjetimi bashkëudhëtojnë nëpër një fill përshkueshmërie që depërton tëjemban, çfarë pena e shkrimtarit end panoramën ku pahet e kjartë sotshmëria e një individi të pasqyruar në çdoditshmërinë e krejt shoqërisë.
Romani është një rrëfim i sinqertë, si i tillë ai denoncon dhe akuzon çdo ves dhe apati, çdo shtirje dhe distancim, heshtje dhe frike, si kultivues të atij kërcënimi që rrezikon, jo vetëm jetën e personazhit të romanit të tij, por krejtskrejt ata që hyjnë dhe dalin nga kjo skenë, përfshi edhe ata që sodisin.
Të kesh frik të jesh vetja, ta kuptosh dhe ta trajtosh botën si të tillë, nuk është vetëm fati i keq i të riut Tador, i cili ndeshet spariherë me këtë dhe s’dyti me çfarë e pret në trajektoren, fill e fund.
Nënshtrimi ndaj fatit të keq, dezertimi nga çdo përballje, a betejë, që vë në provë nderin dhe karaktërin, e bëjnë realitetin një fat tragjik dhe jetën e individit një dramë. Ai vjen për të treguar, se ai, ai nuk është një sajesë mendimesh të shpenguara dhe një fantazie të sëmurë, por për të rizbuluar të përditshmen e një individi që kalon para nesh pa u vënë re. Ai ishte, është dhe do të vijojë të jetë kudo, kudo ku ne ndodhemi, sepse është jeta nëpër të cilën ndihet përshkueshmëria e përjetimeve, situatave.
Tador nuk ka ëndrra, në një reale që e kërcënon dhe e vret. Ai orvatet me sot me nesër, si në një përpjekje për të shtyrë ditët, me pak shpresë, nëse e sotmja do të ndryshojë nga e djeshmja. Megjithatë ai nuk dorëzohet edhe pse i janë shpenzuar të gjitha energjitë, ka rëne moralisht dhe shëndeti i keq nuk harron t’ia kujtojë, se çfarë e pret.
Tador, nuk është ai që drejton kahjen e jetës, por është vetë ajo që e gllabëron atë.
Individi pa të ardhme zhagitet në të tashmen e qenieve që e marrin në kërcënim, thua ka për të paguar gjithë mëkatet e sojit të vet. Dukshëm ai nuk mund të jetojë pa këtë trysni, pa këtë sprovë forcash që kërkojnë ta përfundin. Atë ngado e rrethojnë mure që duhen kapërcyer, por ai e ka të pamundur. Përpjekjet e tij janë të një Sizifi fatkeq që orvatet të shpaguajë “mallkimin” mitologjik në një njëtrajtshmëri sfilitjeje të modernitet.
Sado që ai rreket t’i shpëtojë tragjizmit që e ka vënë përposhtë, dukë e qëlluar me keqime që shtohen, ai në pamundësi të kacafytet, ka tentuar të dorëzohet, por atij… përfundimisht i ka mbetur të humb në ndeshje.