Me kohje të ndërmjetme, me shtytje të themeltë përfytyruese që përshkojnë, ata rreken të jenë të ndryshta, por nuk mund të mos jenë secila Led, nga ato Ledat e shijes delikate dhe përshkrimit joshës, nga ato qasje përfytyruese që rrëmetshëm arrijnë të rrëmbëjnë vëmendjen e secilit që i sheh, ose veçuar njëra nga tjetra, ose të treja radhazi, njëra pas tjetrës. Ata janë të stolisura me një mantel dehës joshjeje, epshi dhe erosi, dalldisjeje dhe kopuilimi, aq sa cytin zjarr çdo afshi dhe ngasi ndjimin e prusht të përjetimit çdo krijese zjarri, e perëndishme apo toksore qoftë. Leda u krijua për të qenë petalja më delkate dhe joshja më zjarrvënëse që trilli kishte ngjizuar përfytyrimesh dhe arti e kishte pavdekësaur në shkrepëtima drite, ngjyrash, formash dhe dalldisjesh. Njeriu e pranoi këtë privilegj si një gosti hyjnie dhe ju blatua i gjithi në përgjithmonshmëri përuljeje, adhurimi dhe sakrifice të lartësuar në bekim.
Në rrafshin mitologjik Leda u dashurua nga Zeusi , i cili e mashtroi atë në maskën e një mjellme. Si një mjellmë, Zeusi ra në krahët e saj për t’u mbrojtur nga një shqiponjë që e kërcënonte. Përmbushja e tyre, në të njëjtën natë, natë të cilën Leda qëndronte me bashkëshortin e saj Tindareus, rezultoi me dy vezë nga të cilat lindttë Helenën (më vonë të njohur si ” Helena e Trojës “), Clytemnestra, dhe Castor dhe Pollux (i njohur edhe si Dioscuri).
Në art, Leda e Leonardos është në këmbë , e turpshme, me sytë drejtuar poshtë, linjat gjarpërushe të trupit të saj të bukur valëzojnë me elegancën sovrane dhe të stërholluar. Me një gjest prej bashkëshorti, mjellma, thuajse njerëzore, e mbështjell me krahët e vet, dhe binjakët e vegjël të lindur nga vezët në krahët e saj kanë sy të killtë, si të shpendit. Askund tjetër, mendon kritika, mitseri i kohëve të lashta , lidhja e thellë mes njeriut dhe kafshës, ndjenja e vagullt pagane, filozofia e njësisë dhe universalitetit të jetës. nuk janë shprehur me një kërkim më të rafinuar dhe nuk kanë treguar mprehtësinë e një gjeniu kaq depërtues dhe të kuptueshëm.
Përkundrazi, Leda e Mikelaxhelos, ajo është një mbretëreshë që i përket një race vigane dhe luftarake, motra e atyre virgjëreshave sublime, të cilat, në kapelën e Mediçëve, flenë të lodhura apo zgjohen dhimbshëm për t’u përballur rishtaz betejave të jetës. Trupi i saj i madh dhe i zgjatur, pothuajse ka të njëjtët muskuj dhe të njëjtën strukturë, mollëzat janë të imta, në fytyrë nuk gjendet as gjurma më e vogël e gëzimit apo e braktisjes. Madje në një çast, pamja është serioze dhe e zymtë, i kapitur dorzanisë së një epjeje. Shpirti tragjik i Mikelanxhelos i ngre gjymtyrë e saj të fuqishme dhe i drejton ato krahë heroikia, egërson atë shikim të ngulët nën vetullat e ngrysura.
Pastaj shekulli shkon në kapërcyell dhe ndjenjat burrërore u lënë vendin përvijimit femërorë të manifestimit shprehës përmes hireve dhe shkujdesjes. Te Correggio, skena zhvendoset në banjën e vajzave të reja, nën vezullimën e ëmbëlak e gjelbëroshe të pemëve, mes përkundjes së lehtë të ujrave që rrjedhin duke gurgulluar. Çdo gjë është ëndshme dhe e hirshme, ëndrra e lumtur, hijeshia e këndshme, epshi i përkryer, nuk kanë ndriçuar kurrë apo të kenë turbulluar ndonjëherë me një gjuhë më depërtuese dhe më të gjallë. Bukuria trupore dhe e fytyrave, edhe duke mos qenë fisnike është joshëse dhe përkëdhelëse. Të bëshme dhe të hareshme, këto vajza kanë shkëlqimin e atllastë dhe pranverorë të luleve të shndritura nga dielli. Freskia e adoleshencës tek ta nuk bën gjë tjetër përveçse vë në dukje bardhësinë e brishtë të mishrave të tyre të mbrujtura me dritë. Njëra prej tyre, flokëverdhë e vetëkënaqur, me shtatin dhe floknajën e dykuptimtë të një djaloshi të ri, largon mjellmën; një vajzë tjetër trupvogël, e dashur, lojcake, mban këmishën, shoqja e saj e vesh, edhe pse pëlhura e ajërt e përcikë nuk do të arrijnë të fshehin rrumbullakësinë e bollshme të trupit të saj të bukur, të tjera syresh, me ballin, buzët dhe mjekrën e gjerë , luajnë në ujë më një përhumbje të gjallë dhe të butë. Edhe më e shkujdesur dhe e gëzuar për përhumbjen, Leda, buzëqesh e lodhur. Ndjenja e ëmbël dehëse që përhapet nga e gjithë skena, arrijnë kulmin te dalldisja dhe te mpakja e saj.
Cila prej tyre duhet pëlqyer? Cila është veçoria më e lartë? Bukuria e hijshme e lumturisë së papërmbajtur te Leda e Leonardo da Vinçit, madhështia tragjike e energjisë krenare te Leda e Mikelanxhelos, apo thjeshtësia e dashamirësisë së stërholluar dhe inteligjente kredhur te Leda e Correggios. Të gjitha i përgjigjen larmisë së tipareve thelbësor të natyrës njerëzore, apo të një çasti thelbësor të zhvillimit. Lumturia dhe trishtimi, arsyeja e shëndoshë dhe ëndrra mistike, forca e gjallë apo ndjeshmëria e stërholluar, dëshirat e mëdha të shpirtit të shqetësuar , apo shfaqja e madhe e gëzimit shtazor. Të gjitha paragjykimet e mëdha që kanë lidhje me jetën kanë një vlerë. Shekujt dhe popujt janë rrekur t’i krijojnë përditë, atë çfarë ka shqetësuar historia, arti e përmbledh, dhe ashtu sikurse krijesat e ndryshme natyrore, gjejnë vendin e vet në botë dhe shpjegimin e vet te shkenca, cilado qoftë struktura dhe instinktet e tyre të dashamirësisë kritike, si dhe vendin e vet në art, cilido qoftë parimi që i shpirtëzon dhe cilido qoftë drejtimi që ata marrin. Ky është arti, kësisoj shprehet ai, kjo është Leda mitologjike, Leda e epshme e penelatave dhe përfytyrimit, epjes dhe sendërgjimit të trajtëzuar përmes mjeteve shprehëse dhe gostitjes për dëshirim në ndërkohje.
Albert Vataj