Nga Albert Vataj
T’shkruesh për poezinë, t’eksplorosh atë shpirt prej eteri, ku asht mbrujtun ajo gjithësi çastesh, ndijimesh e drithërimash, asht t’rikrijosh nji botë përfytyrimesh e gjendjesh, t’bahesh fill i atyne dritimeve përshkuese, t’kumtosh shpirtnoren përmes nji ligjërimi poetik, tjetërqysh s’ban. Njajt ishte ngulmimi i zashmërisë qi kumtoj për nji poete shkodrane, e cilla fjalën e shpirtit e ka temperu në tinguj muzike, rrëfimin e sekreteve t’botës së saj e ka mylmye me ambrozin e nji shpirti drite. Ajo asht Desantila Qerimaj dhe libri i saj me poezi, “Arie t’krisuna” vjen si nji zashmëria drithëruese i nji shpirti qi i rrëfehet botës.
“Arie t’krisuna”, nuk asht thjeshtë titulli i një libri poetik, asht vibrimi i nji harmonie tingujsh, nji mëkim muzikor lirik i nji zemre, e cilla pulson në çdo drithërimë dëshirimi, e dihamë dhimbjeje, teptis në çdo dalldi përjetimi, e angështin në mrazin e trazimeve, gjëmon në kumbim fjalësh e shkrepëtimash të befta mendimi, kah na shpërfaqet shpirtnorja e një bote t’larmishme trajtash e jetësimesh.
“Arie t’krisuna” i poetes shkodrane Desantila Qerimaj asht tharmi i ngjizjeje së nji shpirti rrëfyes, përmes krijimit. Asht ajo shkrepëtimë e hyjshme mëkimi drite, që t’çon n’thellsinë e shpirtit t’stuhishëm t’poetes, në brishtësinë e thyeshme të nji zemre gruaje.
Poezia lindi ditën kur njeriu provoi nevojën për tu shprehur, thotë Hegeli. Asht pikërisht kjo nevojë, që thërret poeten me shpalu shpirtin faqe botës, pa u drasht se gabon; kur i difton zemrën pamshmërisë së kjartë, plagën dhembjeve, dashtunisë ndarjen, puthjes kafshimin, braktisjes pritjen, vuajtjes trishtimin.
“U zhyta n’pritjen e syve tuj”, pipëtin ai za ndijimesh përshkuese. “Vet’imë frike tretë n’gjak”… “Çdo nesër vjen e un’ mbes vajza e fjalës”, “…kambana e trisht e kohës”, zgjatet si një jehonë kësaj figurshmërie, zani i poetes, tue mbërri te ajo përpushje përjetimesh, qi e ysht me ju dhan vargëzimit. Kësisoj i kumton ajo çastit, qi bzan për me mbërri te shpirtnorja e rrëfimit, te gjithçmos i gjendjeve, qi duen me marrë formë. Gjithkah nëpër këtë përpushje mendimi ndihet zjarrmia e atij shpirti, tejpahet çdo thërrime vezullimi qi shndrit vokët, ndërsa hijet e sendeve dhe gjendjeve zgjatojnë.
Dhania trajtë e shpirtit, nuk asht vetëm çlirimi i tij prej pezmit, trazimeve dhe shtrëngatave, qi gërmushen tue na derdhun në trishtim, njiherash e mylmimit të hareshëm me zjarre epshesh e drithërima kurmi. Ma s’shumti kjo barrë e randë gjen trupa t’ndishëm, zemra t’brishta, për me i vu përfundi. Ka prej nesh qi e marrin këtë randim të shpirtit, tue e çu nga koha në kohë, derikur pesha ta përfundi. Gjithpoaq e gropos n’vetmin e ligshtueme, tue zatet n’nji jetë ngrysun n’pikllim e dhimbje. Na, t’tan jena pré e këtij ngushtimi, e kësaj zoritjeje, por fatlum janë njata qi zgjedhin me u çliru, prej këtij ngujimi ndjenjash e përjetimesh, dhimbash e idhnimesh, përmes formave shprehëse të artit. Shpirti i tyne i dritun begatimeve të pasionit, e ban zanin dhe fjalën, shprehinë dhe stolisjen në shkallare kah ata nxjerrin faqe dritët botën e tyne t’brendshme, nji thellsi në t’cillën gjindet përzishëm, në një shtjellë të fuqishme zhvillimesh, universi i secilit prej nesh. Asht ky ngulm, kjo forcë, eteri i këtij thellimi qi na e sjell poetikisht botën e një vajze, nji gruaje, nji nane. Desantila Qerimaj, asht nji vullnet fryme qi s’dreshti me na tregu vedvedin me zemër në dorë. Tue pru n’jetë kyt libër, ajo pohon se shpirti e ka lumtunu me bekimin e hylindëses, s’dyti herë si nanë, e s’pari si krijuese.
Përzgjedhja e kumtimit poetik asht nji nga shtigjet, nëpër t’cillat Desantila rrugëton kah takimin me ne, i asaj force t’brendshme, e cila e nxjerr jashtë përmes; fjalës dhe metaforës, figurshmërisë dhe ritmit, simbolikës dhe timbrit. Dhe ne na gjen andshëm në pritje, e zellshëm në përfshirje, shpirtshëm n’përjetim, dëshirueshëm në prehje.
“Çdo natë fjalë t’plasuna flejnë ndër kujtimet tona”, kumbon fjala e vargu i poetes, shtjellon rrapëllimshëm mendimi i një pezmi qi zemrën kris. “Kaloj përmes teje, shikimthyem”, “Ujna t’turbullueme rrjedhin ndër ne”, “Jam buzë pendestare lirie, kthye n’zinxhirë”, “… zgjodha me iu amshua ajrit”, e kësisoj shkon tue vibrua me nji tingull t’pikëllimtë mëkimi, fjalë mbas fjale i trazimeve që i prushen në shpirt. Tue përgju; çdo pëshpërimë e heshtje, rënkim e dhimbë, dihamë e përlotje, gazmim e shpengim harejet. Oërjetimi i saj e peshkon tejembanë kurmin e ndijimeve. “Themeli i poezisë asht uni dhe nevoja e ngutshme qi shfaq ky un poetik për tu shpreh dhe ngushëllu”, thotë Leopardi (1798-1817). “Të jesh vedvedja, kjo asht obliguesja e themelt e nji poeti dhe sinqeriteti është shfaqja ma e bukur e poezisë”, vijon ai. Ajo, Desantila Qerimaj, e përmbush këtë detyrese të hyjnisë së poetes, si një rishtare e devotshme, ngase ajo beson te fjala, te poezia, dhe i blatohet këtij solemniteti krijimi si një martire.
Në “Arie t’krisuna” hyjmë për me u ndi n’thellësi t’ledhun prej nji dëshirimi me shpalue kureshtjet tona dhe andjet, se derikund zbret dhimbja, derikur brishtësia e një shpirti gruaje guxon me u ndesh, dhe sfiduese shprehet se… “Kisha harrue sa i doja dallgët”.
N’poezin e Desantilës nuk ka vetëm trishtim, dhimbje dhe nji gjendje gri, që e përshkon pothuaj krejtskrejti tablonë mëtuese, ka ma s’shumti nji kurajë për të lexu përmes shpirtit të saj botën e shumë simotrave. Vajza, gruaja, nëna, sfiduesja e nji kohe trazimtare, ku haraçin ma t’shtrenjt i bie barrës së saj, vjen përmes këtij mëtimi shprehës, krejt të pangjashme me tjetërkend, njaq e fuqishme sa ç’asht edhe nevoja për me dëshmu, tue mos u nguru.
“Kur mata vedin me trokitjen e mungesës tande”, shpërthen drithërues ky varg i poetes, driton vetëtimshëm shkreptima e këtij mëkimi, e ndërkaq mungimi i një zemre ndihet se si e përfshin shpirtin qi plagohet pritjes. “…prita derisa krahinori mu ba mjegull” vijon Desantila. “T’kam gjetë n’padurim t’gjithkujt”, vibron ngushëllueshëm ky tingull vjolinçele nën lojën e gishtave dhe përjetimit të saj. Dhe… gjegjet rishtaz kjo and rrëfimi, “Jam n’harres t’nji nate që s’vdes”. “Frikën kena me e nda bashkë nën qiej t’huej tue i këndu dritës”, ngadhënjen ajo.
Dhimbja dhe trazimi janë penelatat e ftohta qi gjurmojnë tablonë e korrnizuem hareshëm t’gjendjes qi feks tue marrë trajtë, e tue xan vend kah poetja lyp me kriju. Gazmon hareshëm e vuan dhimbshëm ai shpirt gruaje, në nji botë ku dora dhe zemra e saj jepen si nji blatimi, dorzan përjetimeve, gjithçmosit qi asht e ndihet ndryshe, e tjetërndryshe gaditet.
Sado qi përpiqet me u kacavjerr mureve ku ndihet e kyçun, ajo rishtaz e gjen vedin ngujue, ndërsa i neper përpjekjeve me da e me ik. Shpesh na jena pre e nji shpirti t’ndritshëm, krejt të tejdukshëm, si prej xhami. E kurrë se kuptojnë se ajo ç’ka na jena, jeta qi bajmë, asht lehtësisht e thyeshme, siç asht përshkueshmërishtë e pamshme n’zemrën e nji gruaje, e nji poeteje, ajo qi e ban me u lumtunu njejt si ajo që ysht n’idhnim e shpirtin ia molis.
S’asht çdo çast gri në jetën e poetit edhe pse ajo e vëzhgon dhe e shquan tançka përmes sysh gjithnji t’ujtisun, e rrjedhimisht, gadi gjithherë, trajtat e gjendjeve qi i rrethvijnë, janë t’pikllimta. Sepse te nji grua dhimbja e saj asht lëngim i botës, klithmja e krahinorit i shpërthen, n’qiellin ku prehen sy të pëlotun e zogj krahthyem. Në çdo varg e poezi, kah fjalën e përshkon drita, e shkreptimtë e ndijimit, vibrimi bahet tingull, asht gruaja e ardhur n’bot me dritun tue u djeg. I dhemb shpirti në çdo plagë, i gazmon zemra në çdo hare, e përpush puthja në prekje, dalldiset bukurie në çdo hir, kundërmon në çdo lule… sepse asht am, asht prehën dhe krahinor, asht gji dhe mëkim.
Tue u rikthy, në nji ngulm me deshifru ende këtë rebus shpirti poetik dhe shpirtje përjetuese, mbahet se pikas nji gjendje t’ngurtësuemë, qi ngulmon me i dhan trajtë shkasit me rrëfye, si ai masiv mermeri qi don me ç’burgos prej ngujimit mijëravjeçar hirin e nji gruaje, tue lind nji perëndesh arti dhe altar rrëfimi.
Dhuntia për ta naltësu përmes fjalës atë qi njeriu e ndin në thellsi t’zemrës, asht e pashoqe te Desantila, anipse ajo asht modeste dhe s’ngutet me than ç’ka lexuesi don me ndi. Ajo ven përballë krijimin e vet, si nana fëmijën tue i than botës, ky asht fruti jem n’pemën e dëshirave dhe andrrave tuja. Kësisoj mendimi i shndërruem në fjalë, tingull në ritëm, ngjurë dhe frymë, asht ajo energji eterne qi del prej poetes, për me i dhan gjanave dhe gjendjeve gjallnim dhe puls, me mëku hyjnoren e krijimit, ate çka e ban me u ndi hyjlindëse. Piku s’epërmi, ajo zëshmëri shpirti përshkon krejtçfarë asht shastisun kundrimit të shpirtshëm të poetes, i prek trajtat tan delikatesë e ledhati, tue i dhan formë shprehie.
Kjo vajzë, grua, nënë, kjo forcë përjetimi poetik, na ban me depërtu thellë gjendjeve ku pluskojmë. Përmes fjalës, vargut, metaforës, figurshmërisë, simbolikës, drithërimave e spazmeve, zbraz ndijimet e ndrydhuna e përjetimet e burgosuna, tue i shndërru në art ligjërimi shpirti.
E kush ma mirë se nji zemër e ndishme mundet me i rrëfy botës, se çka e ban ate me vuajt, se ç’ka asht për te gëzimi, se sa qiej zbrazën n’buzën e shkrehun n’nji puthje, e kurmin epun n’kopulim. Ajo din me diftu si tue ju rikthy përjetimeve, sepse ajo nuk shtiret, ajo ndin dhe gojimi i saj i shpirtshëm, asht kretskrejti prej zjarmi dhe fryme, gufu prej saj.
Edhe pse kumtimi shpesh përshkohet prej nji tingulli tragjik shprehshmërie, poetja i mëkon dëshirimit tonë nji shpirt të bukur, nji ndjenjë të thellë dhe një përjetim përpirës.
N’se don me zgju z’brendshmi teje atë vedvedi, atë që druhet me u pa me dritën, hidhe supeve aureolën e mnyrës se si Desantila i vesh përjetimet, dhe mundesh me e ndi se si t’merr në prehje nji gjendje ajri, se si nxen me fluturu. Të zgjohesh prej kllapitje së trishtimit, asht njejt sikur lyp me ju dhan nji dritëpamësie dëshirimi, këtë lyp me kumtu n’thelb poetja, n’kryt cak kulmimi behës.
Nji zemër e bardhë kërkon zashmërinë e nji shpirti t’pasun për me iu fol t’tjerëve, si vedit. Na gjithmonë jena t’prirun me ndigju çfarë ndijmë s’brendshmi nesh, dhe druhena qi pëshpërimat e njatij zani t’ndrojtun t’ua vëmë veshin. Poeti, poetja saora, i bahet urë njasaj botë qi strukun brenda nesh, qi s’ka kurajë me u ba trajtë, me e ndihmu shpirtin me u çliru prej ngurimit. Shenjtëria e poezisë zbret në shpirtin e secilit për me prediku njat besim qi i bahet altar.
©Albert Vataj