Mbi ciklin poetik “Kangët e Bregdrinasve”(lirika bjeshke e vrrini).
Nga Zamira Lek Matoshi
Për krijimtarinë poetike dhe narrative të shkrimtarit Ton Zmali kanë shkruar shumë njohës dhe përcjellës të letërsisë. Në shkrimet dhe komentet e tyre janë analizuar ngjarje dhe personazhe, koha dhe hapsira, figuracioni letrar, metrika, shtresëzimet kuptimore e gjithçka tjetër që i vyen një procesi të tillë.
Sigurisht që mënyra e këndvështrimit të veprës së Zmalit nga autorë të ndryshëm i ka dhënë një ndihmë të vyer lexuesve, të cilët akoma nuk kanë rënë në kontakt me fjalën e tij artistike, për të qënë paksa të përgatitur për të shijuar në të njëjtën kohë qiellin dhe honin, kroin dhe shkretëtirën, parajsën dhe ferrin toksor të sjellë mjeshtërisht në vargje dhe rrjeshta. Ata që e njohin sadopak biografinë e Ton Zmalit, si dhe ata që ia njohin talentin djaloshar të shkollës pedagogjike, të akademisë së arteve, apo pjekurinë profesionale të viteve kur merrej me drejtimin e vatrave të kulturës në rrethe të ndryshme të vendit e kanë më të lehtë për të kuptuar sesi arriti të pikturojë ferrin dhe parajsën nëpërmjet metamorfizimiit të fjalës së pathënë, që pas viteve 90-të shpertheu me forcën e një vullkani shkatërrues, por të domosdoshëm për të arritur deri tek lexuesi i tij, që jo gjithnjë arrin ta kuptojë. Është e vështirë të bëhet një analizë shteruese e veprës së tij, për vetë natyrën thellësisht subjektiviste që ka letërsia. Ata që kanë folur dhe që do flasin për këtë autor do kenë vazhdimisht hapsira ku mund të ketë vend për të shtuar diçka, në veçanti tek krijimtaria e tij narrative, që sipas meje kërkon një studjues serioz dhe kurajoz për të bërë një analizë të datajuar në rrafshin horizontal dhe vertikal, ideor e semantik. Krijimtaria e Ton Zmalit është e bollshme. Falë kësaj pasurie cilido që e ndjen mund të ndalet aty ku do, një prozë që mbart një realizëm magjik të ngjashëm me romanet e Markezit për nga tabloja, një varg sa lirik, aq edhe simbolist, sa meditativ aq edhe filozofik , sa folklorik aq edhe hermetik. Një pakohësi veprimi si në romanet e Camajt apo Pashkut.Gjithsesi unë s’do merrem me kategoritë estetike, as me elemtete e vargëzimit apo metrikës në përgjithësi, me shpresën se dikush tjetër do ndalet mbi to gjerësisht, por do shtoj diçka mbi “Kangët e Bregdrinasve” (cikël lirikash bjeshke e vrrini). Ky cikël lirikash gjendet në librin e fundit “Astmat e Pranverës”. Një cikël lirikash me motive folklorike që siç duket dëshmojnë pamundësinë e shkëputjes së poetit nga rrënjët e tij. E rrënjët e tij janë të ngulura përjetësisht në shkëmbinjtë shekullor përgjatë një lumi të bukur, që ashtu sikurse ka emrin Drin-ndrin-ndriçon, i jep dritë mbarë Shqipërisë dhe jo vetëm. Ndryshe nga një pjesë e mirë e krijimtarisë, ky cikël sjell para lexuesit madhështinë e dashurisë që ka arritur të tjetërsojë natyrën e ashpër tē banorëve që jetojnë përjetësisht me egërsinë dhe butësinë, frikën dhe magjinë e Lumit Drin, që çan mespërmes malet e larta e të thepisura, që nga koha e përmbytjes së madhe (koha e Noes). Bregdrinasit më kujtojnë banorët e fshatit Makondo tek romani “Njëqind vjet vetmi”. Ekzistenca e tyre në brigjete lumit Drin është pazgjidhshmërisht e lidhur me mite e legjenda, që vendasit i kanë ndërtuar e transmetuar ndër breza, si ngjarje që edhe pse kanë subjekt të jashtzakonshëm, duke u vendosur në sfondine e brigjeve të një lumi të gjatë e herë herë të rrëmbyeshëm, që natën në hijen e hënes, apo ditën në shkëlqimin e diellit, orë e zana duken e zhduken sa nga njëri breg tek tjetri, si për t’u kujtuar këtyre banoreve se ato kanë qënë e do vazhdojnë bashkëjetesën me ta. Poeti Ton Zmali nuk është i vetmi që gjeti muzën e frymëzimit nga këto vise të bukura , ku shpatet e maleve bien pingul mbi Dri, ku lulja e çan shkëmbin shekullor, dhe triumfon furishëm në kërkim të rrezes së diellit, ku dashuria për tokën, ujin, ajrin, dashuria për femrën(e dashur, grua ,motër , nënë), dashuria dhe respekti për jetën e vdekjen janë feja e tyre.(kujto motivet e dasmave, ritualet e vdekjes, veshjet popullore, ninullat e këtyre viseve, apo simbolet pagane të gjetura nga kërkimet arkeologjike në të ashtuquajturën “Kultura e Komanit” etj.).
Të shumtë shkrimtarët që i kushtuan vjersha e këngë, romane e skenare filmash banorëve, që Lumi Drin iu ka dhënë jo vetëm mundësinë e mbrojtjes fizike nga pushtues të shumtë e barbar, jo vetëm mundësinë e jetesës nga toka pjellore e brigjeve të Tij, por edhe emrin e bukur Bregdrinas. Nuk është i vetmi që iu referua gurrës folklorike për të treguar shpirtin e bukur të malsorëve, që dashurinë e kanë të çmuar sa jetën edhe pse pragjykohen si njerëz të ftohtë, që iu mungojnë fjalët e politesës e të dashurisë.
Ton Zmali pohon me Kanget e Bregdrinasve diçka krejt të kundërt, duke nisur që nga poezia e parë e ciklit “Kush na prishi gjith kët dashni?”, ku shfaqet tërë hidhërimi i dy shpirtrave të dashuruar, nëpërmjet mallkimeve pafund, kundrejt një të treti, që ka hyrë në mes. Gurra popullore lēshon rrufetë e mallkimit si: “Ujku i preftë kopenë”-malsori e ka ngushtësisht të lidhur jetesën me gjënë e gjallë. “Bletët ia griftë teja”- malsori nuk i mallkon kurrë bletët, ai i quan të shenjta dhe të bekuara. ”Kurrë mos gzoftë lule të reja” – në mënyrë metaforike ai mallkon që ky person mos e shikoftë më pranverën. “U shoftë deri në ka të zi”, – u shkatërroftë nē gjithçka.
Dhe e mbyll me mallkimin më të rëndë dhe që e kalon këtë botë “çoje Zot Lugat”.
Vijon poezia e dytë “Hamadreq bjeshkën pa ty”, ku serish elemtet folklorike mbështjellin emocionet që përjeton djali, që refuzon gjithçka të bukur, siç është psh. dalja në bjeshkë për të veruar, nëse nuk ka pranë tē dashurën e tij. Shprehjet si “hamadreq jetën”, “ ham-dreq-çka-paça”, pasha tokë-e-qill”, “mbeta qyqe” etj etj, që gjenden me shumicë në folklorin e pasur të fshatrave që gjallojnë përgjatë bregut të Drinit, janë pasuri e jashtëzakonshme për etnolingustikën shqiptare. Ato kanë një forcë shprehëse mahnitëse tē pakrahasueshme me folklorin e vendeve fqinjë. Ton Zmali e ka shfrytëzuar mençurisht dhe mjeshtërisht këtë pasuri në vargjet e tij. Në këtë poezi, bukuria femërore, përligj çdo sakrificë, kapërcen çdo pengesë dhe përçmon çdo sy ziliqar.
U shkri bora mbi lëndina,
Kur ta pashë trupin pa t’imta,
Kur ta pashë gjoksin picak,
Si ylber çerpikët hark…
Poezia e tretë “Veç me fatin mos u mat”:
Mesazhi i dhënë që në titulll mishërohet nga vargje të mbushura me antiteza dhe anafora, që krijojnë një gjendje pasigurie për njeriun e çdo kohe e vendi. Njeriu e ka vërtetë në dorën e tij se kush mund të bëhet në jetë, por ndonjëherë sado përpiqesh ndodhin disa ngjarje që tjetërsojnë çdo projekt të ndërtuar, duke mos qënë i zoti të shpjegojë pse-në e kësaj devijese, ngre supet duke ngushëlluar veten – “epo ky është/ishte fati”.
Ka pasë thanë motit një plak,
Kurrë me fatin mos u mat,
Ta merr ditën ta bën natë,
Ta merr ujin të le gojëthatë,
Të fut n’detë të le pa varkë,
Ta sjell t’keqen pa hesapë…
E varsisht kēsaj gjendje pasigurie, poeti në pjesën e dytê të poezisë, nuk i nënshtrohet fatit të paracaktuar, ai gjen burimin e forcës tek dashuria e vërtetë, për të cilën është gati të bëhet “unor”.
Në poezinë e katërt “Përmi Dri kur iku lpeja”
Është sërisht një lirikë dashurie me motive popullore, ku djali i këndon vashës që mbledh gêshtenja. Me anën e epanastrofesë dhe krahasimit “Zbrita malit si rrufeja/
Si rrufeja rashë nē va “ tregohet dëshira e madhe për ta takuar vajzën, që herë shfaqe këtej Drinit e herë matanë Drinit, është lpeja ajo që pengon shikimin…, e vajza herë si njeri, e herë si zanë ikën nëpër lpe, ikën larg “ndoshta në shtëpinë e harrimit”, për të lënë pas dikë që e pret përjetēsisht.
Metafora “shtepia e harrimit” nënkupton kurbetin, një plagë aktuale sot, për mijëra e mijëra shqiptarë, që u harruan rrugëve të botës dhe ku askund nuk ndjehen mirë. Andej janë të huaj, këtej janë harruar…
I njëjti motiv malli për të dashurën gjysmë zanë e gjejmë edhe në poezinë “Ah ta dish sa shumë të dua”, ku në permjet metaforave si: “vasha e veshur me qiell”, “gatuaj andrra”etj, hiperbolës “një mijë puthje/një mijë meshë”, anaforës “më bahesh zjarr që s’din me u shue/ më bahesh qiell me fluturue/ më bahesh det për me lundrue”, krahasime si; “ajo asht si vala e Drinit/ajo asht si rrezja e diellit”, poeti shpreh dashurinë për të bukurën dhe dhimbjen, kur mendon se kjo dashuri do mbetet platonike, sepse ai e ndjen veten si kuzhinjeri që gatuan, por nuk i shijon ushqimet e tij, sepse “Një jetë mbeta tuj gatue / andrra e shpresa pa shijue”.
Në poezitë që pasojnë ciklin, dashuria bëhet leitmotiv, “Dashuria nuk ka moshë” thotë poeti, sikurse kemi dëgjuar shprehjet e popullit. Dashuria si mister “i jep sy qorrit e verbon atë që ka sy”, “bën filozof budallain e të mençurin e bën budalla”.
Në lirikat “Puthja jote venë e vjetër”, “Ku je ti moj luleborë”, “Pa ty zemër më vdes ylberi”, “Hanë e re dil në dritare”, “Lidh gërshetat me ylber”, “E miro pse je idhnue “, nëpërmjet metaforave, epiteteve e krahasimeve poeti i këndon vashës së tij, që ikën si zana herë në Kokdodë, herë në Merturë, herë në Iballë, herë në Lëvoshë, herë në Gegysen, herë në bjeshkë e herë në vrri…
Pothuajse të gjitha poezitë e këtij cikli janë ndërtuar me vargjet 8-10 rroksh, karakteristikë kjo e këngëve tona folklorie. Po ashtu bie në sy rima e puthitur, rima e alternuar dhe rimë e kryqëzuar si dhe një leksik karakteristik i zonës bregut të Drinit.
Gjatë leximit të këtij cikli lirikash më është sjellë disa herë në mendje një personalitet i shquar i gjuhësisë dhe letërsisë shqiptare, albanologu i njohur austriak Maximilian Lambertz, i cili është marrë posaqërisht me folklorin shqiptar. Në disa shkrime të tij botuar në gazetën e njohur të kohës “Posta e Shqypnies” ndër të tjera shkruan për folklorin shqiptar si pjesë e folklorit ballkanit dhe atij europian. Ai ndalet gjerësisht tek veçoritë e poezisë popullore shqiptare. Atij i bënin përshtypje shprehjet mbresëlënëse si: “Lulja e blinit”, “O zambaku i bardhë”’ “ganxhe”, “mollë e kuqe imja”, “moj hyria ime”, “qafëgastare”, “moj faqemollë” etj. “Këto shprehje, që gjenden dendur në këngët popullore të dashurisë, mund t’i krijojnë e t’i përdorin vetëm njerëz me ndjenja të zhvilluara dhe sqimë të hollë.”- shprehet Lambertz.
Edhe pse ky cikël poezish është shkruar gati një shekull pas këtij përkufizimi, më duket sikur eshte shkruar posaqërisht për Ton Zmalin.