TREGIM nga Albert Vataj
– Ju lutem zonjë, ju drejtova me një zë të zvargët, një gruaje, të cilën e pash rastësisht në një nga rrugët e përmbytura nga vërshimi i njerëzve në një ditë të zakontë dalldisje, ikje-ardhjesh.
Ajo ndaloi. Me një shikim të hutuar dhe stepje e një takimi me një të panjohur, arriti të shqiptonte me gjysmë zëri, – urdhëroni zotëri, kush jeni, njihemi gjë, çfarë kërkoni? Shigjetoi me këto pyetje pa më dhënë kohë të përgjigjesha.
– Ju lutem, ju lutem zonjë, nxitova si për të dashur që takimi të mos këputej këtu.
– Zonjë… kini mirësinë të më lejoni tu them se jeni gruaja më vezulluese që ëndja ime ka mundur të rrokë, megjithë pafundësinë e mundësive që popullojnë ngado dhe etheve torturuese të çdo gruaje për të bërë përtej së mundshmes për të rënë në sy, por pa mundur dot që të jenë si ju. Më shumë se sa një kushtim real i një dehjejej adhurimi, ju ngjasoni me përfytyrimin e një shpirti të kapluar nga dëshirimi dhe etja për yje e një krijuesi, që pasi të ka endur me të gjithë nuancat e ngjyrave të ka skalitur në trajtat joshëse dhe përkundur në valët e një melodie, të zbret nga trajtat e përfytyrimit duke të të bërë pjesë të një të sotmeje që vuan nga zbraztësia dhe shtirja.
Ajo përnjëherë u skuq duke rrëzuar sytë përdhe, një palë sy të xhamtë që xixëllonin si diamante. Ishte një gjest që përmbushte tablonë e pikturës ku ajo ishte derdhur me kaq pasion dhe ngjyrë.
– Më ndjeni për shqetësimin, ndërhyra duke mos i’a shqitur sytë asaj, si një luleje që ishte kredhur në këtë platitje për të kërkuar mes hutimit dhe drojes, mundësinë për ta rigjetur fillin shkëlqyes të vezullimit ku ishte shkrirë.
– Ju lutem zotëri, tha me zë të ngrënë, por me një drejtqëndrim solemn, por pa mundur të më shohë në sy, shtoi:
– Ka plot gra dhe vajza shumë të bukura, tha modestisht ajo. Unë… deshi të thoshte diçka, por qëllimisht e la t’i shuhej fjala në buzët e saj, në ato buzë të vizatuara me ëndjen e një epshi zjarrmues puthjeje.
– Ndoshta, vazhdova unë, por ajo hijeshi që është derdhur mbi ju, me kaq bujari dhe sqimë, më shtyn të besoj se natyra ka gjithnjë mirësinë të na mrekullojë duke na befasues dhe mbushur shpesh me besim, se, edhe pse jemi të zgjedhurit e këtij shpërblimi të hyjshëm, sërish mungesa e një përulësie mirënjohjeje dhe kurajoje për të guxuar na lë gjithnjë pas dyersh të presim.
Ajo kishte shtangur si nën shpërthimin e një blici.
– Juve nuk jeni e bukur, vazhdova, jeni vezulluese. Pikërisht këtu ne gabojmë në klasifikimin e diçkaje të bukur, duke harruar të marrim në konsideratë mënyrën se si i shohim dhe i çmojmë gjërat.. Nuk është bukuria ajo për të cilën ne kemi nevojë, ajo e cila grish dëshirimet tona për ta përpirë me ëndje dhe adhurim një femër. Ka fare pak njerëz që rrezatojnë duke të të dhënë mundësi të ndihesh i ndriçuar nga ajo dritë, nga ajo që ju reflektoni. Ndoshta as ju nuk jeni e vetëdijshme për atë diell që rrezaton brenda teje dhe shpërfaqë në sipërfaqe, në fytyrë, buzëqeshje dhe shprehi, në gjithçka tënden, në atë shkëlqim që ndrin dhe ngroh.
– A keni menduar ndonjëherë se nuri tek ju; është ajo begati e harmonishme e natyrës në stinën e pranverës, ku kudo ka ngjyra të hareshme dhe prej ngado gufon një aromë dehëse që të ndjell si në një hipnozë, dhe.. të fton në një spektakël joshës, shkujdesjeje dhe solemniteti delikat, dhe të cyt në ajrin që të mbush, frymën që të gjallëron.
– Ju mund dhe duhet të ndjeheni aq e bukur, sa të mos lejoni askënd të guxojë të u’a tregojë se çfarë ai sheh, se çfarë magjie reflekton hiri juaj dhe çfarë mëkimi të vezullimtë shfaq ajo gjendje që ju rrethon. Reflektimi joshës, jo domosdoshmërisht kërkon t’i marrë borxh bukurisë suaj për të rrëmbyer interesim, ose për të dehur adhurues sa të jenë të marrosur pas jush. Ajo është dëshmie e një dëshirë që me kohën është shndërruar në shprehi që reflekton në finesën dhe klasin, garantuar nga një sjellje dhe veshje rigoroze dhe e hijshme që kaq mrekullisht te ju mbruhen dhe kumtohen tamam si një melodi.
Ndërsa flisja dhe flisja pa pushim, si duke dashur të kredh mbi të gjithë detin që po shtërzentë brenda meje në rrugëtimin për t’u ndërzyer brigjeve, ajo vetëm dëgjonte pa mundur ta zhvendos shikimin nga një pikë e vdekur ku kishte hedhur si spiranca e një ëndjeje hutuese.
– Mjaft, thash me vete, dhe ndalova.
– Përulësisht ju kërkoj të falur dhe i drejtova dorën. Ajo zgjati të sajën me një finesë të admirueshme duke ndezur në fytyrë një buzëqeshje aq të bukur dhe dehëse. I putha dorën që kundërmonte aromë lulesh dhe duke e falënderuar për mirësinë që më dhuroi duke më lejuar t’i flas, u mënjanova në një gjest mundësie që ajo të largohej.
Mirupafshim më tha, dhe me vështrimin e saj shpues shkau dhe ju dha ikjes. Kisha mbetur ashtu i shtangur në anë të rrugës duke e kundruar ndërsa ajo hap pas hapi largohej duke i fashitur mes njerëzve që shkonin dhe vinin.
Pas disa minutave pranova të vazhdoja rrugën, ende nën efektin e asaj goditje magjepsëse.
Megjithëse i njëjti intenerar më çonte çdo ditë nga e njëjta rrugë, nuk arrita ta shoh më. Edhe pse nuk reshta së kërkuari, ajo ishte zhdukur, sikur nuk kishte ekzistuar kurrë.
Shtator 2018