Mes habisë, shastisjes, frikës dhe një lloj gjendje të përzier me gaz dhe trazim, ai shpreh gjendjen e tij të humbëtirës shpirtërore. Në një botë armiqësore ai ngriti në kultin e artit gjithçka që shtjella e territ e ngjizi kohën e anatemës dhe çekuilibrimit mental. Nuk kishte tjetër mjet hakmarrës, me të cilën ai do të mbushte zgafellen e harrimit dhe mohit, ku e hodhën kolegët dhe miqtë, pikërisht atëherë kur ai kërkoi t’i njiheshin meritat dhe të vlerësohej për çfarë kishte bërë në karrierën si artist dhe dijetues në Akademinë vjeneze të Arteve të Bukura.
Ai mund të ishte një skulptor oborri më se i zakonshëm, si armata e pafundme e mjeshtreve të skalitjes së idesë në alabastër, metal apo shkëmb, nëse nuk do të rrëzohej poshtërsisht në një ngulm të karrierës dhe të zgjonte që aty gjeniun që njohim ne sot.
“Kokat e karakterit” është një galeri punësh në alabastër dhe metal, e skulptorit gjermano-austriak, Franz Xaver Messerschmidt, i cili u lind më 6 shkurt 1736 dhe vdiq më 19 gusht 1783. Ai konsiderohet si një nga artistët më kurajozë të alegorisë dhe groteskut në skulpturë. Mjeshtëria e realizmit të karaktereve, gjendjeve emocionale dhe personalitetit të tyre, tejkalon çdo pritshmëri të plastikës dhe shpërfytyrimit, forma ku ai i derdhi “armiqtë” e tij të urryer.
Messerschmidt u rrit në shtëpinë e xhaxhait në Mynihut, skulptorit Johann Baptist Straub, duke u bërë mjeshtri i tij i parë. Ai kaloi gjithashtu dy vjet në Graz, në punëtorinë e skulptorit, Filip Jakob Straub. Në fund të vitit 1755 u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë, duke u bërë nxënës i Jacob Schletterer. Nga veprat e tij të para të njohura, janë bustet në bronz të çiftit perandorak dhe relievet, që përfaqësonin trashëgimtarin e kurorës dhe gruas së tij. Me këto vepra ai e gjen veten pjesë e barokut të vonë. Të kësaj tendence i takojnë dy statuja të mëdha të çiftit perandorak, të porositur nga Maria Tereza e Austrisë dhe realizuar gjatë periudhës ndërvitase, 1764-1766. Përveç portreteve ai trajtoi edhe punët me subjekt fetar. Një numër i statujave të porositur nga Princesha e Savojës kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Periudhën e mëvonshme të skulptorit e gjejmë te arti neoklasik, të krijuara në mënyrë tipike, për Akademinë.
Udhëtimi në Romë dhe njohja e artit të atjeshëm lënë gjurmë dhe gjejnë shprehje në krijimtarinë e tij. Do të vazhdonte kjo marrëdhënie e Messerschmidt me artin deri në vitet 1770-1772 kur ai fillon të punojë në të ashtuquajturat “kokat e karakterit”, të cilat janë argumentuar nga kritiku Ernst Kris si ide paranojake dhe haluçinante.
Pika e kthesës së skulptorit Franz Xaver Messerschmidt shënon vitin 1774 kohë kur ai aplikoi për postin e drejtuesit të zyrës së sapokrijuar në Akademinë e Arteve të Vjenës, ku ai kishte dhënë kontribut që në vitin 1769. Atij jo vetëm i refuzohet kërkesa, por edhe dëbohet nga mësimdhënia. Akademia e justifikon këtë hap të paprecedent përmes një letre dërguar Perandoreshës, Count Kaunitz. Në atë komunikim ata e bëjnë me dije autoritetin suprem se mjeshtri është i papërshtatshëm për Akademinë për shkak të luhatjeve serioze të karakterit dhe neurozave. Kaq do të mjaftonte që ai të merrte fund? Pak a shumë ai përfundoi në buzë të greminës, aty ku do të vinte në jetën artistike një tjetër mjeshtër, ai i polemikës.
Viktimë e komplotit të kolegëve, ai mbetet i mënjanuar dhe anatemuar. Detyrohet të shesë shtëpinë dhe të braktisë përgjithmonë Vjenën për të jetuar në një shtëpi në periferi të Landstrasse, ku u njoh me Franz Anton Mesmer, mjek dhe filozof.
Kur shkrimtari Friedrich Nicolai shkoi ta vizitonte atë në vitin 1781, Messerschmidt paraqiti imazhin e përsosur të artistit mërgimtar. Duke shitur pronat e tij, ai tani jetonte pranë vetes në një “shtëpi të vetmuar”, e pajisur me asgjë më shumë se një shtrat, një flaut, një pip duhani, një enë uji dhe një libër të vjetër italian mbi përmasat e trupit.
Ajo me të cilën shkrimtari u njoh në jetën prej bohemi të skulptorit ishin 60 ide dhe krijime, bust në alabastër dhe metal. Katër prej këtyre, shkruan Nicolai, ishin “kryevepra me të vërtetë të admirueshme”, vetë-portrete që “përputhen me natyrën”. Tek të gjitha këto koka karakteresh ai shprehu shqetësimin e një njeri pa një të vërtetë, që mjerimi dhe mohimi bën tek ai të lind arti njerëzor që kërkon të krijojë diçka mbinatyrore.
Koleksioni i “Kokave të karaktereve”, mbeteshin gjenerata e fundit e krijimtarisë së tij artistike. Nga 60, vetëm 49 krerë mbijetuan. Këto koka skulpturash ishin ato që mbeten, ato të cilat e shndërruan një “të çmendur” në gjeniun e plastikës dhe karakterit.
Askush nuk la në testamentin e krijimit artistik një akt të tillë shprehës estetik dhe thellësisht psikologjik sa Messerschmidt. Punët e tij u diskutuan dhe u komentuan gjatë, u sulmuan dhe u përfshinë në debate të ashpra. Mes gjeniut dhe një të sëmuri, bota nuk ka mundur ta ndajë përfundimisht se çfarë vërtetë ai ishte. Por ajo që mund të thuhet dhe që kritika e gjithëpranon është se krijimet që ai la janë të jashtëzakonshme, si në trajtesë
shprehësie dhe domethënie, në ide dëshmuese shpirtërore dhe në realizim. Një virtuoz i alegorisë dhe groteskut si ai, si Messerschmidt, bota nuk njohu, siç nuk u ballafaqua asnjëherë me një dilemë të tillë krijuese. Në shumësinë e rasteve ajo u detyrua ta pranonte, duke mos mundur ta përjashtonte, sepse ai realizoi punë, të cilat kanë një thellësi mendimi dhe aftësi shprehëse, të tillë që orvaten të të mëdyshin mes të admirueshmes dhe urryeses, mes shkujdesjes, hallakatjes dhe shpërthimit. Në këtë paradë karakteresh ne cekim skajet e ndryshimit ekstrem që përfshijnë identitetin nën trysninë e gjendjeve dhe ballafaqimin me shpërfaqjen e shprehjes që pasqyron njeriu i goditur nga përjetimi. Ai ka skalitur botët shpirtërore dhe karakteret e njerëzve, të cilët ai i kishte për zemër duke i dashuruar deri në urrejtje, gjendje e cila skaliti tek ai gjeniun.
Albert Vataj