Keni parë dhe përcjellë një pafundësi idealizimesh artistike, krijimesh të endura me fijet e holla të ndijimeve dhe forcën e papërballueshme të vullnetit sfidues, që lidhen me besimin në Zot. Ato janë të panumërta, janë dehëse në aromën eterne që përcjellin, janë madhështore në solemnitetin e Hyit që mëtojnë, janë kryevepra të shpirtit dhe përkushtimit, pasionit dhe devocionit. Por, por si “Fiducia in Dio” e Lorenzo Bartolini nuk përngjason asnjëra.
Ajo është e përcjellë jo rastësisht përmes një vajze si shkas idealizues i simbolikës artistike dhe dëshmim i epërm i pastërtisë dhe devotshmërisë. Ajo është vajzë që sinjifikon virgjëreshën, hyjngjizësen, hyjlindësin, gruan, perëndeshën, prehrin e ngrohtë të çdo prehje dhe epje besimi dhe shenjtërimi. Ajo është e lartësuar në këtë gjunjëzim, e bekuar në këtë palosje duarsh, e blatuar në këtë dlirësi të kulluar fizike, në këtë hir të dritur shtati dhe shpirti, në këtë epje dorzan asaj që është gjithçka në të, besimi në Zot

Nuk është aq realizimi i kësaj statuje, ajo që e lartëson në altar këtë kryevepër, është shprehija e gjestikulacioneve dhe qëndrimit që vajza mëton në këtë akt solemn blatimi.


Ese dhe ode u shkruan për lavdërimin e pjesës dhe modeli u bë një sukses komercial, si dhe një referim studimi akademik.

Është e pamundur që ai që e ka përcjellë këtë vepër, e ka ndjerë në shpirt, shpirtin e krijuesit, të mos ketë rrokur qoftë edhe për një çst të vepër Besimin në Zot. Kjo skulpturë altar është një emblemë e bukurisë artistike dhe shprehisë estetike.
Albert Vataj