“Poezia mund të na bëjë herë pas here pak më të vetëdijshëm për ndjenjat më të thella, pa emër, të cilat formojnë nënshtresën e qenies sonë, në të cilën rrallë depërtojmë; sepse jeta jonë është kryesisht një evazion i vazhdueshëm i vetvetes.” përkufizon, TS Eliot. Është kjo pamje, me të cilën ai vizaton marrëdhënien e poezisë me krijuesin, ajo që ka udhëprirë poetin dhe shkrimtarin, Halil Teodori të gjej shtegun për të riardhur.
Ai rivjen me këtë vëllim të ri poetik, jo dhe aq për të ndryshuar diçka në rrugëtimin e tij krijues, se sa për të përmbushur një amanet të vetvetes, ribërjen e gjërave, rijetimin e emocioneve, rikthimin te koha e mbetur pas, djegie në zjarrin e kujtimeve dhe mallit, si një formë përtëritjeje.
Ai vendos të dëgjojë zërin më të ëmbël të shpirtit, t’i përgjigjet thirrjeve më të thekshme të zemrës, t’i shkojë pranë zjarrit më të shpenguar të ndjenjave dhe të shihet sy më sy me dashurinë, me momentet e ngacmimeve të forta emocionale, dhe e bën këtë duke u zhytur thellë në këtë llavë të nxehtë që ai të shndërrohet në një shkëndi sysh dashurie, ndijimesh reinkarnuese, me të cilën sheh shkëlqimin e të gjithë qiejve.
Kjo spovë e vazhdimsisë krijuese dëshmon për një forcë shprehëse poetike, për një qartësi dhe depërtim përshkues të momenteve dhe përjetimeve, për thjeshtësi dhe sofistikim të mendimit dhe botëkuptimit. Ai flet për dashurinë dhe për të gjitha shkëndiat e tjera të jetës, duke i rindezur zjarret dhe përpushur kujtimet. Ai përjeton çastet më flakatare të dashurisë dhe mallit, kujtimeve dhe ngacmimeve duke u kthyer pas në kohë, duke riparë dhe rijetuar në tempin e vet më të rrëmbyer ato çaste që të bëjnë të ndihesh si vetë fryma, zjarri, drita, shpërthimi. Teodori e sjell ndjenjën magjepsëse të këtyre momenteve që kanë strukturuar njeriun e ngulmeve tek ai, me të gjithë ngjyrat dhe aromat, me të gjitha trajtat dhe transformimet. Dashuria në këto poezi zë një vend të privilegjuar që shkrep aty këtu. Dhe ai nëpërmjet këtyre poezive, e sjell këtë forcë ndijimi dhe përfshirjeje, e cila vjen e tillë siç është, e bukur dhe marramendëse, ngasëse dhe përfshirëse, magjepsëse dhe e dhimbshme. Në dashuri si në jetë, ka lot, ka ëndrra, ka puthje, ka trishtim, ka gjithçka që na bën të ndihemi jetues të çdo çasti, blatues të çdo shenjtërie… kryesisht asaj të dashurisë.
Në këtë betejë poetike ai nuk e lë mënjanë edhe vetminë, e cila në këtë shprehi estetike është një tjetër hap në rrugën plot yje të ligjerimit shpirtëror të këtij autori. Në ngulmet për komunikim, për grishje përjetuese ai rrëmon në nevojën e shpirtit të poetit për të thurur vargje për vetminë, këtë gjendjen plotësie dhe boshi, këtë sprovë të ndjenjave dhe emocioneve të ndryshme. Vetminë, shpirti i poetit e ndjen si një zbrazje, e cila është me thellë dhe më e trishtë kur atë e gërryen braktisja e dashurisë. Nuk ka vetmi më të dhimbshme se sa ajo që ikën duke lënë pas kujtime dhe plagë. Por shpirti i poetit nuk jepet, ai është sfidues i të gjithë dhimbjeve dhe asaj të vetmisë. Sepse vetë jeta është një vetmi që kërkon shenjtërimin e vetmisë së vet në një betejë afrie dhe bashkëjetimi me njerëz, gjendje, emocione, dëshirime. Një vetmi që vjen për ta shuar vetminë e poetit është një vetmi që vjen për t’i mësuar atij se si s’mund ta lërë atë vetëm asnjë vetmi që i qaset.
Ai beson te përkufizimi i Percy Bysshe Shelley, sipas të cilit: “Poezia heq velin nga bukuria e fshehur e botës dhe i bën objektet e njohura të jenë sikur të ishin imagjinative.” Sepse ai këtu e sheh botën. Në këtë mënyrë kërkon t’i qaset e asaj. Në këtë mënyrë ai shfleton të shkuarën dhe të tashmen, me delikatesën e një ndjenje që jeper fuqishëm në përjetim
Poezia e Teodorit është një zë burues që priret të shuaj ato etje që mbushin zemra, të dehë ato pasione që ka përgjumur koha, të harbojë ato drita që fikur i mban ikja. Ritmi dhe muzikaliteti, vokacioni dhe mesazhi, janë një shprehje e kthjellët dhe një marrëdhënie e sinqertë, që poeti ngulmon të ndërtojë me lexuesin e tij, me ata, të cilët gjejnë pjesë të vetvetes në këtë rrëfim të shpirtit poetik. Thjeshtësia dhe delikatesa, lirshmëria dhe brishtësia janë tregues të një nevoje që ai kumton për të çelur zemrën dhe për të zgjuar te të gjithë atë që po shuhet. Teodori kërkon dhe i’a arrin të rizgjojë emocione dhe përjetime, të rikthejë në kujtesë gjëra të gëzueshme dhe dhimbje, të cilat duke qenë pjesë e jetës sonë, janë gjithçka që na bashkon të gjithëve nën këtë qiell, në këto përjetime, brenda flakëve të zjarrit të dashurisë. Ai rrëfehet poetikisht dhe jetëson tek të gjithë atë realitet, atë që më çon atje ” ku malli është më i trishtë se dhimbja”.
Ai beson në atë që thotë piktori i famshëm, Vincent Van Gogh se: Poezia na rrethon kudo, por ta vendosësh atë në letër, mjerisht, nuk është aq e lehtë sa ta shikosh. Fatmirësisht ai i’a ka dalë ta gjejë poezinë kudo dhe ta kompozojë në fjalë, mendime, metafora dhe figurshmëri, duke dëshmuar një shpirt që i dorëzohet ndjenjave, përjetimeve, atyre forcave që mund t’i shndërrojë në këngë poezia.
Albert Vataj