Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, Besim Zekthi, mjeshtri i valles popullore mbarëshqiptare si dhe i vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Lajmi është bërë i ditur nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ku mjeshtri Zekthi humbi betejën me një sëmundje të rëndë, në shtëpinë e tij në Tiranë, pasditen e sotme, 28 qershor 2020.
“Talenti i rrallë dhe mjeshtëria jote virtuoze interpretuese kanë qenë dhe mbeten jo vetëm shfaqje artistike të jashtëzakonshme, por edhe burim i pashtershëm frymëzimi për brezat e rinj të artistëve dhe valltarëve shqiptarë, dhe jo vetëm” ka qenë ky motivacioni, i dekoratës së lartë, “Nderi i Kombit”, me të cilin e ka nderuar vlerat dhe kontributin e tij, Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e 60-Vjetorit, Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.”
Nga Azia në Afrikë e në Evropë. Në Egjiptin e lashtë të piramidave deri në Kartagjenë, Algjeri e Marok, nga Kina në Kore, Vietnam e Kamboxhia, Francë e Itali, Danimarkë e Norvegji, Suedi e Finlandë, nuk ishte vetëm harta e turneve të Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, por edhe e përfaqësimeve triumfuese të Besim Zekthit me vallen shqipe. Emri dhe vepra e tij interpretuese e shpirtit dhe energjisë ishte vërtetë një larmi shtetesh dhe skenash, ku trupa shqiptare ku ai kishte një rol të rëndësishëm është ngjitur me duartrokitje dhe ka zbritur me trofe, nderime dhe vlerësime maksimale. Kudo ai ka marrë vlerësime dhe është pritur me ovacione të publikut, i cili e ka mirëpritur vallen shqipe, lojën mahnitëse dhe larminë e gjallë të kulturës popullore shqiptare.
Jeta e tij në skenë ishte e gjatë, vitet dhe mosha, sëmundja dhe pleqëria bënë që ai të jetonte me kujtime, të frymëzonte me shembullin e tij brezat e kërcimtarëve, atyre që kanë përgjegjësinë e ruajtjes dhe përfaqësimit të valles shqipe.
Besim Zekthi u shua për të mbetur në adhurimin e të gjithëve një shqipe që vallëzon, një shqipe që fluturon e lirë, një shqipe që ndez skena dhe zemra. Ai nuk është më mes nesh, por vepra e tij krijuese dhe interpretuese, është dhe do të mbetet një faqe lavdie e traditës së valles popullore.
Përshpirtje dhe nderime, Besim Zekthi!
Pushofsh në paqe!
E gjatë qoftë rruga jote e përjetësisë!
Për “Zani i Malsisë”, Albert Vataj