Poetika e një ndjesie e shpie shpirtin tonë atje ku llamburitin vetëm drita hiresh të kthjellëta, atje ku idilika e bukurisë dehet ndër ëndje dalldisëse që pulsojnë rrëmbimshëm në vërshimin e dëshirave për prehje. Atje fjala ushqehet në polen lulesh dhe thith vesë agimesh të bardha bilur në gjithnjë vashash e zgjohet krahëbardhë ndër puthje dhe prushje. Atje ku gjithçka ka lindur nga përfytyrimi, shpengimi dhe dalldisja e merr kaluar aromave që e ledhin. Jeton çastin e botës një një shkrepëtime, ashtu siç shndërrohet në yll në pulitjen e buzëve që kallet. Ne jemi krijuar për të qenë frymëmarrje e këtij manifestimi solemn bukurishe, ngjyrash dhe ndijimesh. Edhe pse nuk mund të jemi lule, ne jemi shpërblyer me femrën për ta begatuar kopshtin tonë të Edenit me të gjitha frutat dhe fluturat, me krejt andje e njeriut për mrekulli.
Magjepsëse si ëndja e një përjetimi.
Depërtuese si shpërthimi i një ylli të mbarsur më ëndje dëshirimesh të epshme.
Dehëse, si ngulmi i një ngasje idilike pasionesh. E bukur, magjepsëse deri në dhimbje. Delikate dhe përplot ngulm joshës.
Asnjë spektakël i natyrës, asnjë përkujdesje forcash të epërme, kurrnji energji transformimesh, nuk mëton një shfaqje kaq të shkëlqyr dhe adhuruese, se sa bukuria e femrës dhe lules.
Lulet dhe femra, një kërshëri e ushqyr me kaq ëmbëlsim e bukuri, një adhurim i dengur prej kaq pasionesh shkulmuese, një lojë kaq ngasëse dhe një betejë e kacafytjesh titanike, një puhizë që tretet me asgjënë e josh gjithsinë.
Me një numër të kufizuar notash; tela të tendosur si vërshime të potërshme gjaku, kur zemra flakërin në dëshirën e zjarrit;
gishta që ngasin me erën, t’u bien këtyre telave, të ladrojnë me këto taste siç bën flladi me fijet e barit dhe profilet e kurmeve;
mëkojnë atë melodi,
gërmëzojnë drojshëm fjalë që bien si fruta të pjekur prej buzëve që dridhen;
pëshpërisin dhe hukasin në vesh, si grimca joshëse që gurgullojnë nëpër gjokse të kreshpëruara e turravrapen nëpër cohën e hollë të lëkurës që skuqet e trucen në harbimin e një kafshe me uri prehistorike.
Është çasti i një përjetimi, i shprehjes më të pafajshme të një mëkatimi, është lindja e një ylli që shkëlqen si vesa në petalen e një luleje, si loti nën qerpik.
Janë në ëndjen tonë të harbuar këto bukuri, si nevoja me e epërme e manifestimit të admirimit dhe mirënjohjes së përkorë që ne i detyrohemi jetës.
Dashurohemi marrëzisht dhe gjithçka e përsosur lëvrin nën shpërthimit ndritës të këtij përjetimi.
Një çast sa një shkelje syri, është gjithësia që na përpin në epshin e kësaj bukurie, ngasëse dhe vrasëse, këtij hiri joshës dhe trandës, këtij kumtimi dëshirues dhe zemërthyes.
Jeto si një rreze dielli e jepi gjithçka që zemra jote dëshiron kësaj luleje, ledhatoje me çdo pikë djerse dhe loti gonxhen e mëngjeseve dhe petalen e mbrëmjes.
Jeto me të bukurën e dëshirimeve dhe jeton me hiret e adhurimeve.
#DHE…
Kurrë në ëndjen tënde nuk do të mungojë bukuria e asaj lule që ujtis sytë e tu dhe të hov një energji përtëritëse që gufon së brendshmi.
Kurrë nuk do të shuhet ajo aromë që deh ëndjen tënde, e s’do të vyshket asnjë herë ajo petale, lule do të çel gjithnjë dëshirimi yt në epjen tokësore të kurmit.
Ti je një lule, e dashur, dhe lulja është një dëshirim i bukurisë së përgjithmonshme.
Unë jam një çast përjetimi tokësor, një shkrepëtimë yjësie që rrëzohet nga thellësia e territ të universit e bulon në gishtat e mi si një prekje që zbret në petalet e kurmit tënd si një gjurmë drite. Shkëlqe në sytë e ëndshëm të një zemre, ti bukuri që vjen në jetë me lulen, hyjnizohesh me femrën dhe meriton përjetësinë prej adhurimit.
Albert Vataj