Gjithë burrat janë gënjeshtarë, të paqëndrueshëm, fallco, llafazanë, hipokritë, sedertarë dhe të poshtër. Gjithë gratë janë të pabesa, artificiale, vanitoze, kurioze dhe të shthurura. Bota është një gjiriz i pafund ku foka me forma nga më të çuditshmet hiqen zvarrë mes malesh prej lluce. Por ka në botë një gjë të shenjtë dhe sublime e cila është bashkimi i dy prej këtyre qenieve kaq mëkatare e të frikshme. Jemi zhgënjyer shpesh në dashuri, jemi plagosur e ndjerë shumë herë fatkeqë; por ama gjithmonë kemi dashuruar. E, kur ka ardhur koha të ndodhemi buze varrit, kemi kthyer kokën pas dhe i kemi themi vetes: “Kam vuajtur shumë herë, shpesh jam zhgënjyer, por megjithatë kam dashuruar. Jam unë ai që kam jetuar jetën time e jo një krijese e rreme krijuar prej sedrës dhe mërzitjes sime ” …
… Më shumë se një lirik, frymëzimi i tij është i një moralisti të kthjellët, që heton kontradiktat, të pakalueshme dhe shkatërrimtare të qenies njerëzore. Tek Alfred dë Mysé dëshpërimi dhe ndjenja e tragjikes, e kanë burimin kryesisht nga ndjesia e zbrazëtisë së ekzistencës, por edhe nga marramenthi i kotësisë së jetës, pafuqia e gjuhës në komunikim, në njëfarë mënyre, për të kapur botën.
Cili është Alfred dë Mysé
Alfred dë Mysé lindi në Paris më 11 dhjetor 1810 – vdiqë po në Paris më 2 maj 1857. Ishte poet dhe prozator romantik francez. Lindi në një familje të pasur dhe të kultivuar. Duke filluar nga 1828 frekuanton *Cenacle-n romantik të Charles Nodier (1780-1844), pra pas studimeve së pari, të drejtësisë e më tej të mjekësisë por që kurrë nuk i kreu.
Më dhjetor të 1830 pësoi me komedinë e parë në prozë, “Nata venedikase”. Nga këtu, fillon të shkruaj “teatër për fotele”, do të thotë, drama të thurura për lexim e jo për paraqitje në skenike.
Më 1833 takon shkrimtaren George Sand (1804-1876), me të cilën qëndron në Itali. Dashuria e tij e pafat me shkrimtaren George Sand e inspiroi për këngët më të mira dhe më impresionuese lirike “Nata”, “Letra për Lamartinin”. Vepra të tjera: “Rrëfime nga Spanja dhe Italia”, “Me dashurinë nuk luhet” dhe të tjera. “Rrëfimi i fëmijës së shekullit” lindi po në këtë kontekst, në vitin 1836, një vepër midis trillimit dhe autobiografisë. Në të vërtetë, nëse pasioni që ndiente për Xhorxh Send nuk është i vetmi motivim, burimi kryesor i “Rrëfimi i fëmijës së shekullit”, është katalizatori për shkrimin e këtij teksti unik dhe të dhimbshëm. Ka shkruar po ashtu edhe “Kontesha Gamiani”, “S’bëhet shaka me dashurinë”, “Nata veneciane”, etj. “Rrëfimi i një fëmije të shekullit karakterizohet” nga një aspiratë e dyfishtë, një tension ndërmjet individit dhe epokës së tij.
Ai analizon me pesimizëm, nisur edhe nga eksperienca personale, vështirësitë e sinqeritetit, të dashurisë, të nderit dhe të angazhimit politik. Vdiq më 2 maj 1857.