Raffaello Sanzio u lind më 6 prill 1483 në qytetin e Urbinos, në Italinë qendrore, ku i ati punonte si artist në oborrin e Dukës së vendit. Kur u largua nga Urbino, në vitin 1500, Raffaello shkoi fillimisht në Peruxhia, ku shërbeu si nxënës për 4 vite, para se të transferohej në Firence.
Piktori i ardhshëm u magjeps dhe u ndikua shumë nga veprat e artistëve të tjerë të Rilindjes si Leonardo Da Vinci dhe Michelangelo, por zhvilloi stilin e tij personal të pikturës, unik dhe tejet shprehës. Gjatë kësaj periudhe të karrierës së tij, Raffaello bëri një sërë pikturash të Zojës dhe u bë piktor i mirënjohur portretesh.
Në vitin 1508, vetëm në moshën 25-vjeçare, Raffaello shkoi në Romë, ku qëndroi për gjithë jetën. Këtu, punoi për Papën Juli II dhe pikturoi një sërë afreskesh në pallatin papnor. Raffaello ishte jo vetëm artist, por edhe poet, skicograf e arkitekt. Në vitin 1514, u emërua nga Papa Leoni X kryearkitekt i Vatikanit, pas vdekjes së një italiani tjetër të madh, Donato Bramante-s.
Porositur nga Papa Leoni X, këto sixhade madhështore pasqyrojnë ngjarje nga jeta e shenjtorëve Pjetër dhe Pal. Ato u qëndisën në Bruksel, gjatë katër viteve, duke përdorur fije mëndafshi, leshi dhe argjendi të praruar. Vetëm shtatë skica origjinale të sixhadeve të Raffaello-s i kanë mbijetuar kohës dhe ruhen në “Victoria and Albert Museum” të Londrës, ndërsa vetë sixhadet varen rregullisht në të ashtuquajturat “Dhoma të Raffaello-s” në Muzetë e Vatikanit.
Pesë shekuj pas vdekjes së tij të parakohshme, trashëgimia e Raffaello-s si një nga figurat artistike më të rëndësishme të periudhës së Rilindjes Italiane shndrit më me shkëlqim se kurrë. E nuk mund të mos i bëjë artdashësit të mendojnë ku do të kishte arritur piktori e arkitekti i madh, nëse jeta e tij nuk do të ishte shkurtuar kaq tragjikisht.