Ata janë po kaq të ngjashme sa dhe unike në veçantinë e tyre. Janë dy gra të ndryshme që piktori i ka derdhur në një përsosmëri të idealizuar alegorike të melankolisë, e cila në një vështrim të imët, të lejon të kuptosh se njëra plotëson tjetrën dhe të dyja ravijëzojnë atë tension shtypës që yshti shpirti i lënduar, për ti zhveshur këto personazhe nga pamja e zakontë, dhe për t’i veshur ato me një melankoli të trishtë dhe drithëruese. Ne nuk mund ta kuptojmë nëse ishte shpirti i tyre që vuante, gruaja tek këto dy pozuese është i tillë që nuk mund ta fshehi trazimin, aq sa në pikëllon edhe sot pas kaq vitesh… apo është piktori, i cili ka “viktimizuar” këto dy gra të gjora, për ti treguar botës dhe përjetësisë, se diçka e lëndonte, anija e tij e derhur përjetimit, puskonte në një det të trazuar dhimbjeje.
Hayez Francesco është një artist i suksesshëm i njohur në të gjithë Italinë në gjysmën e parë të shekullit XIX. Ai u tregoi të gjithëve aftësinë e tij të spikatur si piktor, e cila i lejoi atij të marrte detyra edhe nga klientë shumë të pasur. Punët e tij janë të tematikës historike dhe mitologjike, në to dallon fryma realiste dhe shprehshmëria e idealizuar e ngjarjeve dhe legjendave, të cilat ai solli në jetë për t’i bërë “të vërteta” dhe të pavdekshme. Por ato që arrijnë të nxjerrin në pah gjithëçfarë fshihet brenda atij trupi të ndjeshëm dhe peneli të ngopur ngjyrash dhe drite, veçanërisht janë tablotë e grave.
Hayez Francesco ishte i vetëdijshëm sakaq për rritjen e popullaritetit të tij. Ai vendos për të realizuar pikturat, të cilat kanë brenda tyre elementeve romantike dhe vartësinë njerëzore të ofruar me kaq brishtësi dhe ndijim si në një marrëdhënie. Është pikërisht kjo qasje përjetuese që i solli atij frymëzimin për krijimin e tablove nën një emër dhe në dy shtjellime estetike me të përbashkëta dhe të veçanta e “Melankolisë”.
“Melankolia” është një krimin alegorike. Duhet ta dini se në vitet, në të cilat lindi kjo vepër, Hayez ka punuar me ngulm në shumë kanavaca me protagoniste femra. Pikërisht kjo pozitë mund t’i ketë krijuar gradualisht ose në një moment shkrepëtitës idenë e melankolisë, e vizualizimit dhe realizimit estetik të kësaj gjendjeje.
Gratë janë vetëm në këtë spovë shprehjeje përballë piktorit, të dyja janë të mbështetura në anën e djathtë, ndërkohë që pozicioni i duarve ka në secilën nga pikturat një veçanti specifike. Në njërën prej grave, njëra dorë kap tjetrën, ndërkohë që tek tjetra ku melankolia është më e trishtë dhe reflekton një gjendje më të mbingarkuar emocionale, duart janë të shkrehura në një pamundësi për tu përfshirë në asnjë tendosje dhe veprim. Është kjo tablo që në ndryshimet themelore të saj të shprehisë melankolike që artistikisht sjell edhe nëpërmjet fytyrës, të cilën mjeshtri e tonalizon me kolorit të fortë dhe e kompozon kaq pikëllueshëm në atë kumtim.
Sfondi ka ngjashmëri ashtu si dhe personazhet, pozicioni i grave në të dy tablotë, gjithashtu ka të njëjtën qasje. Të dyja mbajnë në qafë kryqe që zgjatojnë deri në qendër të gjoksit si një element jo vetëm i besimit, por edhe i dëlirësisë, pastërtisë dhe devocionit, që secila nga ata ka në detyrën e saj si grua, si nënë, si bashkëshorte. Pavarësisht se veshja e tyre është joshëse dhe deri diku ngasëse në feminilitetin që qëndron varur në këtë gjendje të platitur nga melankolia, piktori nuk harron se ato janë gra, ato janë ai kompleksitet shpirtëror i gjendjes, që del prej tyre për t’u bërë shprehje estetike, të cilën mjeshtri është kujdesur ta përcjellë me shumë finesë dhe klas.
Gjendjen e këtyre grave piktori e përcjellë edhe nëpërmjet luleve, të cilat kanë pak dallim nga njëra-tjetra, por që kanë si të përbashkët një gjendje dorëzimi të freskisë së tyre. Trëndafilat dhe karajfilat janë kokulur, gati ti jepen një lveshkjeje, si dëshmi e kuadrit pikëllues. As ato nuk gëzojnë siç nuk munden që edhe këto gra të jenë më shumë se melankolike dhe dhembshurisht të ndjeshme.
Albert Vataj