Adem Jashari, “Qëndresa e Kombit” është bërë pjesë e Fish City, e qytetit që u krijua si shprehje e forcës së vullnetit, e asaj krijese vetëmohimi dhe besimi, e atij ngulmi për të ndërtuar ëndrrën në themelet e një botë të shuar shkatërrimit.
Pas bustit të Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, më të madhit të ndërtuar ndonjëherë, është Adem Jashari që ka marrë jetë në këtë dëshmim vullneti mirënjohjeje të veprës së qëndresës dhe guximit kombëtar.
Gjergj Luca kësaj panorame historike do ti shtojë edhe bustin e Lek Dukagjinit, këtij prijësi të urtë dhe ati të ligjësisë dhe të së drejtës, duke krijuar një trini të shenjtë kombëtare, si tempull i kombit në Fish City.
Busti i Adem Jasharit është një punë e përkryer e skulptorit, Elton Vaska. Ana kompozicionale e veprës, forca e shprehëse e portretit të një heroi përmasash kombëtare, është përcjellë përmes trajtës shkëmbore të tipareve dhe karakteristikave të portretit të heroit. Shprehia e fytyrës së Adem Jasharit është dëshmim force dhe kurajës, e cila trajtohet duke u formësuar nëpërmjet shkëmbit. Skulptori e ngjiz këtë tipar dallues në shkëmb, duke sinjifikuar në tërësinë e vet qëndresën e gjithë atyre përpjekjeve dhe gjithë atyre luftërave, që shqiptarët e shkrepave bënë për liri dhe identitet nacional.
Bjeshkëve të Namura, legjendës së Mujit dhe Halilit, ju bashkangjit dhe Adem Jashari, ai zë i fuqishëm që shpërtheu nga thellësia e kohës, ai zë zjarri që shkrepi nga stralli i etjes për diellin e dritshëm të qëndresës, lirisë dhe sakrificës për tokën që u vadit me gjak dhe vetëvendosjes që u shndërrua në altar.
Ishin këto shkëmbej të shndërruar në kala, këto gurë të kthyer në ndalesa të pakapërcyeshme, të cilat u bënë bedena të pakalueshme, mure të skalitura në gjokse kushtrimesh, prej nga shqiptarët do të ngjiznin qëndresën epike në eposin e lavdisë dhe legjendave.
Skulptori ka sendërtuar në shkëmb portretin e heroit si personifikim i kësaj force, i kësaj qëndrese, i këtij ngulmi të ethshëm pathyeshmërie. Një portret që del nga shkëmbi, një fytyrë që merr trajtë nga shkrepat, një tipar force dhe krenarie që gjallon në përjetësi vlerash arti në qytetin e ëndrrave, në Fish City.
Simboli i malit, gurit, shkëmbit, qëndresës që mori jetë në rrjedhat e brezave dhe kapërcyellin e kohërave, është e gjallë në këtë vepër arti, është shprehëse në këtë komunikim estetik, është kushtruese dhe e pamposhtur në të tashmen e atij amaneti që hirshëm shëmbëllen në malet tona.
Adem Jashari është “banori” më i ri në qytetin më të ri, në Fish City, në qytetin që po shndërrohet në një tempull i vlerave të lartë të kombit.
Albert Vataj