* Kur Bajroni ishte fëmijë jetonte në kështjellën e xhaxhait të tij plak. Atij i kishte hipur në kokë që të mos i jepte asgjë trashëgimtarëve. Për këtë kishte vrarë shtatëqind drerë në parkun e tij, kishte prerë pyllin e tij të madh, por nuk ishte mjaftuar me kaq. Xhaxhai bënte lloj-lloj marrëzirash. Ngrihej natën dhe hapte portat e kanaleve të ujit, që të dëfrehej në mëngjes duke parë përmbytjen e gjithë fushës dhe shkatërrimin e kulturave bujqësore. Në një liqen të vogël që ndodhej në pronat e tij, kishte ndërtuar një mur me gurë dhe një flotë të vogël me barka. Kalonte ditë të tëra duke u dëfryer me bombardimet që i bënte flotës, e cila komandohej prej shërbëtorit të tij. Herë të tjera organizonte garat e bulktheve dhe ngacmonte me gjemba ata që nuk ecnin shpejt. Ky xhaxha i marrë ishte titulluar i Par dhe vetëm pas vdekjes së tij Xhorxhi u bë Lord.
Kur Xhaxhai plak vdiq, Xhorxhin e vogël e njoftoi mësuesi i shkollës dhe i shpjegoi se tashmë ishte lord. Pastaj u dha një pritje me verë dhe biskota dhe në këtë ceremoni mësuesi i tij foli me shumë respekt. Kur u kthye në shtëpi shkoi me vrap te pasqyra dhe u pa gjatë. Pastaj shkoi te e ëma dhe e pyeti:
– Unë nuk arrij të gjej në veten time asgjë të ndryshuar. Po ti sheh ndonjë gjë tek unë?
Të nesërmen, kur bëhej apeli, mësuesi nuk e quajti më Xhorxh Bajron por Lord Bajron. Këtë emër të ri ai e shoqëroi me një solemnitet të tillë, saqë Xhorxhi nuk ishte në gjëndje të përgjigjej “këtu” si zakonisht, por nisi të qante.