Ky punim, që për mua duhet vlerësuar si kryevepra e Tahir Kolgjinit, është botuar në Stamboll, më 1969, si libër më vete, mbasi “për madhësi vëllimi nuk mundi me u shtypun në “Shejzat” (Letër E. Koliqit, 3. 12. 1965, Shpalime… , f. V). Vepra ngërthen 300 faqe plus tetë të tjera.
Libri hapet me një letër – siç thashë – që autori i dërgonte nga Stambolli E. Koliqit, drejtuesit të revistës “Shejzat” që botohej në Romë, për ta vënë në dijeni se vepra e tij, “Shpalime rreth Lahutës”, ishte mbaruar dhe për ta përgëzuar për punën që kish bërë dhe po bënte për gjuhën shqipe.
“Flijimet, qi ke bamë, gjatë gjithë jetës tande, për gjuhën tonë, bashkë me shërbimet e vlefshëme qi i ke sjellun – shkruante L. Limthi (T. Kolgjini) – i kam pasë pritun e çmue si përpjekje të njij vigani. Nuk të çarmatosi, mosha; nuk të lodhi jeta e mërgimit; nuk mundi me t’i cungue shpresat, as jeta e vështirë e mërgatës sonë,e cilla, shpesh herë, na u shfaq, disi, edhe me ngatrresa zimëtuese…”. Po këtu, Tahir Kolgjini e ve në dijeni se “shkrimet e tija modeste (pra Shpalimet…) merrnin fund…, prandej kishem me t’u lutun – vijon ai – qi të më veshë në dijeni, në se të kanë ramë në dorë, të gjitha.”
Dhe “mbasi për madhësi vëllimi, kjo vepër, nuk mundi me u shtypun në “Shejzat” m’u desht me e botue vetë n’Istanbul” – përfundon Tahir Kolgjini – e megjithë këte, shprehjet dhe ndiesinat e mija, qi përmban kjo letër, kundrejt profesor Koliqit, janë të pa ndryshueshëme.”
Pra vepra “Shpalime rreth Lahutës” është kryer në vitin 1965.
Pas kësaj letre vjen “Parathanja” f. VII-XII), e cila është një punim më vete, shkruar me një gjuhë të zgjedhur e të kthjelltë; është një himn për “Malsinat e Shqipnis së Veriut” për “Kanunin e Maleve”, për “Lahutën e Malcis” e autorin e saj, Poetin Gjergj Fishta, si dhe një falenderim e mirënjohje për prof. E. Koliqin. Kjo parathanie është përfunduar në Stamboll, më 3 gusht 1965.
Me që vepra “Shpalime rreth Lahutës” është shkruar në gegërishten e Maleve të Veriut, Tahir Kolgjini në disa sythe të saj përshkruan me mjeshtëri natyrën dhe relievin e këtyre Maleve, historinë mijëvjeçare të tyre, si “logu i ndeshjeve të përgjakshme” dhe si ruajtëse të denja të dokeve e zakoneve të të parëve”, që ishin të përpunuara me një mjeshtri shumë të hollë.
“Në këto vise – vijon Tahir Kolgjini – ka qenë në zbatim “Kanuni i Maleve”, qi ma vonë ka marrë emnin “Kanuni i Lekës”, i cili i ka rranjë deri në thellësi të shekujve. Kanuni i mbështetun dhe i forcuem prej dispozitave proceduriale dhe prej zakoneve, pat përbamë institutin e marrëdhanieve njerëzore në lamën civile e ndëshkimore në fise, ndërmjet fisesh dhe në mbarë turmën.”
Populli i Maleve të Veriut – gjithnjë sipas Tahir Kolgjinit – me qëllim që të përballonte jetesën nëpërmjet vështirësive të kësaj natyre vigane, duke qenë gjithmonë në luftë me armë në dorë e me zjarm në gji…, rrethuar nga zakone të lidhura si veriga rreth njëra tjetrës dhe për të mundë “me pruejtun dhe me nxjerrun të drejtat e veta”, mundi të krijojë e të strugojë një shprehje më të pasur se ajo e krahinave të tjera. E Fishta këto shprehje tejet të bulmuara të Malsive të Veriut i përjetësoi në veprën e tij të madhe, Lahuta e Malcis, ku “me nji mjeshtri të hollë e me nji stil të pashoq, ka endun dhe pralmendun gjuhën e popullit, pse ai kishte lemë e rritun në gjinin e tij.”
Dhe kjo është aryeja që shumëkush, i pamësuar me këto shprehje lakonike dhe me këtë fjalor tejet të pasur e të laryeshëm, që janë, padyshim, thesar i gjuhës sonë, ngren zërin e thotë se nuk e kuptoj si duhet “Lahutën e Malcis” dhe vërtet shumëçka nuk kupton prej saj. Prandaj, për t’i lehtësuar këta njerëz dhe për të bërë që kryevepra e Fishtës, e cila është një pasqyrë e së kaluarës dhe një program veprimi për të ardhmen, të kuptohet nga masat e gjera të popullit, në Jug e në Veri, Tahir Kolgjini, në fillim studioi e botoi fjalët turkisht ose të hyra nëpërmjet të turqishtes në gjuhën shqipe e në këtë vepër e, më pas, vijoi të shpjegojë shumë fjalë shqipe të qëmtuara në vargjet e kësaj kryevepre letrare, të cilat përbëjnë Fjalorthin prej njëmijë e sa fjalësh, në 300 faqe të Shpalimeve.
Dhe vepra “Shpalime rreth Lahutës” e Tahir Kolgjinit, megjithëse është botuar pas “Fjalor i Gjuhës Shqipe” (1954) dhe pas komenteve e shpjegimeve të P. Danjel Gjeçaj për këtë vepër (1958), ndjehet gjithsesi e nevojshme, madje e domosdoshme, sepse vëllimi i Gjeçajt qe i vogël për të shpjeguar gjithë thesarin leksikor të Lahutës, ndërsa vepra leksikore e ish Institutit të Shkencave të Tiranës – sipas autorit të Shpalimeve (dhe sipas nesh) – ka gabime jo me thes, por me thasë, pse shumë e shumë fjalëve “iu asht shërtue pipi shtrembët”. Prandaj – përfundon autori i Shpalimeve – “kam pasun shtek me lexue edhe kritikat qi i janë bamë (Fjalorit të 1954-ës – Sh.H.), por asht kot çdo kritikë. S’ka rrugë tjetër, veçse me fillue punën rishtas.”
Në sythet e Parathanies që vijnë më poshtë, Tahir Kolgjini pohon se Lahuta si prodhim i 30 vjetëve, domosdo nuk ka unitet gjuhësor, sidomos në rrafshin e fonetikës, po edhe në rrafshe të tjerë. “Në kangët e para – shkruan Kolgjini – Fishta ka ndjekun ma tepër stilin e anës së djathtë të Drinit, sidomos të folmen e popullsisë shqiptare në kufi me Malin e Zi… Dikur, Poeti, tue ndjekun zhvillimin e ngjarjeve, ka kapërcyem në Kosovë e në Metohi, ku edhe shprehjet e këtyne krahinave i ka ringjallun mjeshtrisht, tue i shoqnue e forcue me ato të Lumës, të Dibrës dhe të Krujës…”.
Dhe ky është një konstatim tejet i mprehtë i Tahir Kolgjinit.
Në njërin prej sytheve, Tahir Kolgjini shprehet: “Gjuha e jonë nuk asht e papasun, por elementet e para i ka të shpërndame andej këndej nëpër katunde e nëpër krahina. Fjalët e saja, në pjesë bukur të madhe, enè nuk janë ngulun në vendet e tyne të përshtatëshme nëpër fjalina, tue u përdorun, simbas rasës, me fjalë të tjera, gjuha e jonë asht e papunueme, në krahasim me gjuhët tjera të kombeve, qi kanë pasun fatin e bardhë me hymë në rrugën e përpunimit para shum e shum shekujsh… Prandaj (për t’i mbërrimë ata) jemi të shtrënguem qi të hecim vrap e me siguri.”
Autori i Parathanies vëren jo pa dhimbje se Lahuta qe e ndaluar prej regjimit komunist në Shqipëri, pra një kohë e bjerrun kot kjo për linguistët, kur dihet se “gjuha – sipas tij – asht arma kryesore për vetëmbrojtjen tonë nga tallazet, qi mund të na vërsulen edhe mbas këndej. Kush ka ruejtun gjuhën, ka ruejtun kombësinë e kombin. Të gjitha tjerat janë të randësis së dorës së dytë.”
Dhe diku tjetër, jashtë kësaj parathanieje, T. Kolgjini jep një vlerësim tjetër për gjuhën: “… Gjuha asht shpata, gjuha asht arma, gjuha asht zemra, gjuha asht shfaqja e gjallënisë, e, ma në fund, gjuha asht vetë jeta dhe vetë kombi. Pa gjuhë s’ka komb. Kush ka hupë gjuhën, ka hupë vetvehten. Asht fikë përgjithmonë.”
Në Parathanie T. Kolgjini kritikon ata që përdorin fjalë të huaja, kur tonat gjenden plot në ndonjë skaj libri ose në ndonjë skutë të ndonjë krahine. Por kritikon edhe ata që imitojnë shkrimtarët mediokër dhe jo ata që gëzojnë merita për t’i pasur si shembuj; ndër ta, besoj, ai ka parasysh edhe Fishtën, Karl Gurakuqin, Shpend Bardhin…
“Lahuta njiherë asht shkrue – thotë Tahiri – e nuk mund të shkruhet ma, së dyti. Kanë për t’u shkrue edhe shumë kangë e shum vargje, por Lahutë kurr nuk kanë për të qenë. Qe zemra e Fishtës ajo që gufoi ma s’pari dhe këndoi me nji tingull aq tërhjekës e me nji shkëlqim të pa matshëm në majen ma të naltë të letërsis shqiptare.”
Dhe, sigurisht, vepra e Fishtës ka për të qenë një gurrë e pashterrshme për studimin e zakoneve e të traditave të Veriut, të gjuhës e të vlerave letrare të tij, të kanunit e të atdhedashurisë, të mitologjisë… “Prandaj çdo përpjekje e punim, qi asht bamë deri tash për mbi Lahutën e Malcis – bashkë me këte fjaluer temin modest, jo qi të cillësohet i tepërt, por do t’ishte gabim, sikur të cillësohet i mjafët” – arsyeton T. Kolgjini. Dhe kjo është e vërtetë. Vepra e Fishtës sa më shumë që të lexohet, aq më shumë të tërheq, ajo është një gurrë e pashterrur me ujë të cemtë; sa më shumë të pish ujë në atë gurrë, aq më shumë të shtohet etja…
Për punën e tij Tahiri jep këtë vlerësim: “Unë e mora guximin me i hymë kësaj pune, ma tepër si nji njeri i lemë dhe i rritun në nji katund të Veriut e qi ka pasun takime e bashkëjetesë, për shumë e shumë vjet me radhë, me katundarë të krahinave të ndryshme të Malsinave të Veriut. Sigurisht, edhe unë do të kem gabime – thotë ai – sepse nuk asht aq e lehtë puna qi ia kam ngarkue vetes. Por, më rrenë mendja se, diku në nji skaj, nji farë shërbimi të vogël bamë e kam. Në mos tjetër, me vullnet e mirëbesim, rrugën e diskutimit për nji ndërmarrje kësodore me randësi e kam hapun. Le t’i mëshojnë tjerët, qi janë ma të përgatitun!”
Dhe – do të thoja unë – vepra “Shpalime rreth Lahutës” e T. Kolgjinit nuk është një studim i vogël, por tejet me rëndësi për kulturën shqiptare. Ajo është punë e një njohësi të thellë të krahinës së Lumës, por edhe të viseve rreth saj, i së folmes, traditave, zakoneve, të së drejtës zakonore. Mbi të gjitha është punë e realizuar me shpirt e me zemër, me dashuri e respekt të pamatur për malësorët e Veriut, ndër ta edhe të atyre të Lumës. Pra, ai meriton t’i themi: Të lumtë!
Bash në fund, Tahiri jep edhe një vlerësim për Poetin Kombëtar, aq të dashur për popullin dhe aq të urryer nga komunistët, të cilët e lanë edhe pa varr, por jo kurrë pa emër. “Nuk jam i zoti me shkrue ma për Ty, o Poeti ynë Kombëtar, Fishta i Madh! Ti, tue njomun ndiesinat e kombit me kryeveprën tande të përjetëshme, e ke kryem përsosunisht detyrën tande shqiptare dhe, prandej, e ke fitue të drejtën me qendrue i qetë e me krenari burrënore, edhe atje në jetën e amëshueshme. Në krye të vendit…
Përulem me heshtje e nderime përpara Teje…”.
Këtu mbaron Parathanja e fillon Fjalorthi i veprës “Shpalime rreth Lahutës”, plot 300 faqe, ku autori, T. Kolgjini, analizon më shumë se 1200 fjalë të përdorura në Lahutë nga Gjergj Fishta. Gjatë analizës, shpesh, autori gjykon edhe Poetin për ndonjë trajtë që ai e kish shënuar dhe përdorur gabim, ose qorton edhe gabimet e shtypit, po më shumë merret me komentuesin e Lahutës, P. Danjel Gjeçajn, dhe me autorët e Fjalorit të Gjuhës Shqipe (1954) të Institutit të Shkencave, të cilët edhe i qorton keqas, u korrigjon gabimet që kishin bërë dhe u rekomandon trajtat ose kuptimet e drejta të shumë fjalëve që i kishte qëmtuar gjithandej nëpër viset e Shqipërisë së Veriut.
Ky Fjalorth tregon, pa mëdyshje, se Tahir Kolgjini kishte një njohje të gjerë për leksikun e të folmeve të Malësive të Veriut, por sidomos atij të Lumës, vendlindjes së tij. Në këtë Fjalorth gjenden qindra fjalë të qëmtuara me kompetencë në fshatrat e Lumës, shumica e të cilave të panjohura më parë dhe të pashënuara deri atëherë në fjalorët e Shqipes. Po të lihen mënjanë fjalët e përdorura në Lumë dhe që kishin qenë botuar në revistat e Ministrisë së Arsimit para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, leksiku i kësaj krahine i regjistruar në “Shpalime rreth Lahutës” është më i shumti që ka dalë në dritë deri tani.
Veç analizave e shënimeve leksikore, fjalëformuese e gramatikore që përmban vepra e Tahir Kolgjinit, aty janë bërë edhe analiza historike për shumë fjalë, madje ka edhe shënime etimologjike për mjaft fjalë të tjera që autori i ka gjykuar të burimit lindor (persisht, arabisht, turqisht). Ndonjëherë autori bën edhe vërejtje për fjalë të hyra në shqipen nga perëndimi. Kështu, T. Kolgjini me këto kërkime plotëson leksikun që ka botuar më parë në revistën “Shejzat”: Fjalët turkisht ose t’ardhuna me anën e turkishtes të përdoruna në Lahutën e Malcis” (Romë 1961).
Fjalorthi – siç thamë – ka edhe plot vërejtje morfologjike, po edhe sintaksore, për fjalë që janë regjistruar aty, çka tregon se T. Kolgjini kishte të dhëna dhe përgatitje edhe për analiza të tilla, pra qe, në radhë të parë një leksikolog, por edhe një gramatolog, sidomos morfolog.
Në një vështrim më të gjerë “Shpalime rreth Lahutës” është një enciklopedi e mirëfilltë gjuhësore, por ajo ka të dhëna me interes edhe për folklorin, etnologjinë, sidomos për doket dhe Kanunin, por nuk mungon edhe ndonjë e dhënë për historinë e popullit shqiptar.
Parë në tërësi, vepra “Shpalime rreth Lahutës” është një punim që e nderon autorin, qoftë me të dhënat që jep, qoftë me analizat që bën. Dhe kjo të çudit, sepse T. Kolgjini nuk pat përgatitje të njëmendët gjuhësore e filologjike, por plot vullnet të çeliktë për të zgjeruar njohuritë, për të fituar një kulturë gjithsesi të gjerë, edhe në kushtet e një emigranti politik, që duhej, së pari, të punonte për sigurimin e jetës.
Dhe në këtë ndërmarrje vigane atij nuk i mungoi vullneti, këmbëngulja, largpamësia dhe mprehtësia e mendjes. Shtoju këtyre edhe dashurinë e pamasë për gjuhën shqipe dhe popullin që e flet atë. Ai qe jo vetëm një shqiptar i mirë, po, në radhë të parë, një lumjan i devotshëm, me dashuni të pamasë për vendlindjen, Lumën e tij.