Lufta e Parë Ballkanike filloi në tetor të vitit 1912. Serbia përparoi duke e shfrytëzuar vakumin e lënë nga thërrmimi i përandorisë Osmane në drejtim të invadimit dhe pushtimit të Kosovës dhe rajonit të Dibres, që tash gjendet në kufirin mes Shqipërisë e Maqedonisë. Kjo ndodhi në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit të atij viti. Derisa Fuqitë e Mëdha e njohën Shqipërinë si shtet sovran më 29 korrik 1913, Kosova, Dibra, Ohri dhe Manastiri mbetën nën sundimin ushtarak serb dhe më 7 shtator 1913, Mbreti Peter I i Serbisë deklaroi aneksimin e territoreve të pushtuara. Një kryengritje e gjerë kundër sundimit serb filloi në Lumë (në jugperëndim të Prizrenit) dhe në bjeshkët në perëndim të Gjakovës, që u shtyp nga një forcë serbe prej 20.000 trupave, që përparuan drejt Shqipërisë dhe për pak që nuk arritën deri në Elbasan. Një amnisti u shpall në Beograd nga qeveria në tetor 1913, por masakrat kundër popullit shqiptar vazhduan. Një vit pas informacioneve të tmerrshme të përpiluara nga Leo Freundlich, “Raporti zyrtar drejtuar Fuqive të Mëdha” i botuar në dhjetor 1913, shpalos më imtësisht kërdinë e bërë pas amnistisë në Dibër dhe Lumë.
Raport zyrtar paraqitur Fuqive të Mëdha
Ne jemi të parët që po paraqesim listën e plotë të vrasjeve të bëra nga armata serbe në Krahinën e Dibrës, Dibrës së Ulët dhe Lumës, që shtrihen në Shqipërinë veriore, pas amnistisë së tetorit të kaluar të akorduar nga qeveria e Beogradit, masakra të bera pas revoltës së malesorëve shqiptarë. Ky është një dokument i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe tashmë është dërguar te qeveria e njërës nga Fuqitë e Mëdha nga përfaqësuesi i saj i plotfuqishem, që e ka përpiluar përsonalisht me shënime dhe emra të vendeve të vrasjeve dhe terrorit. Ja versioni i plotë i raportit zyrtar.
Krahina e Dibrës
Ne Klos, bandat serbe kanë therur Ahmet Aliun dhe vëllain e tij, sikurse edhe Nezir Sulejmanin dhe Mehmet Salihun. I tërë fshati është grabitur.
Në Valikardhë, në pikë të ditës dhe në prani të krejt banorëve, Ymer Halili, Osman Qira, Qerim Zejneli, Ismail Alushi dhe Sul Hoxha (hoxhë mysliman) janë prerë me bajonetë dhe janë katandisur në kufoma të panjohshme. Shtëpitë u janë djegur pasi më parë u ishin plaçkitur.
Në Peladhi, janë bërë kontrollime shtëpi më shtëpi, me pretekst të kërkimit të armëve. Shumë shtëpi janë plaçkitur. Shtëpia e Hasan Patajt është djegur dhe pronari është prerë në fyt në prani të nënës së vjetër, gruas dhe fëmijëve.
Në Krajkë, shtëpia e Muharrem Dervishit është djegur pasi ishte grabitur. Në Zerqen, krejt shtëpitë janë grabitur dhe djegur.
Në Sopot, i tërë fshati është rrënuar dhe plaçkitur. Shumë shtëpi janë djegur. Të gjitha kafshët janë vjedhur dhe këta persona janë therë në bajonetë: Ali Kamberi, shërbëtori i tij, Hamza Disha, si dhe Salih Selimi.
Në Dibër (qytet), disa orë para sulmit të malesorëve, prefekti lokal dhe komandanti ushtarak arrestuan tetëmbëdhjetë udhëheqës të qytetit, që janë ekzekutuar pa u gjykuar: Ramiz Karanfili, Sheh Husejni, Numan Hasani dhe Safet Bej. Të tjerët mbijetuan falë hyrjes në atë kohë të malesorëve në qytet dhe ushtria serbe u detyrua të ikë me ngut.
Kur u kthyen në qytet, serbët e plaçkitën krejt qytetin dhe morën me vete mbi një milion lira turke të vjedhura. Shumë shtëpi u dogjën, posaçërisht ato e Ali Beut, Rakip Qatibit dhe Kurtish Agait. Me vrazhdësi të paparë, serbët po ashtu i masakruan shumë njerëz të tjerë, mes të cilëve kishte edhe të tillë që bënin punët e tyre dhe s’merrin pjesë në kryengritje. Mes të masakruarve ishin: Kurtish Aga, Behgjet Efendi, Haxhi Syreja Efendi, Reshid Efendi Kusari dhe Sadullah Shtrazimiri.
Në kete çast, qyteti i Dibrës është thjesht i shkretë, sepse banorët kanë ikur në malë. Në qytet kanë mbetur vetëm dyqind apo treqind veta të të dyja gjinive.
Në Gjoricë, një ditë pas vizitës së një oficeri të dërguar nga qeveria austriake, që ishte duke kaluar dhe verifikuar tërheqjen e ushtrisë serbe nga rajoni, serbët u rishfaqën në fshat dhe vranë një grua dhe një fëmijë pesëvjeçar. Ata, po ashtu, e plagosën një grua tjeter.
Në Homesh, vetëm tri nga 150 shtëpitë e katundit qëndrojnë në këmbë. Të gjitha janë djegur pasi që ishin plaçkitur. Pasi janë dorëzuar, serbët i kanë vrarë: Musa Ismajlin, Shemsedin Bajramin dhe Halit Sulejmanin, që ishin kthyer në fshat pas amnistisë. Herën e parë i morën 1000 krerë dele, 150 krerë gjedhe dhe 40 kuaj. Herën e dytë, ata morën 50 krerë dele, nëntë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj.
Në Shupenzë, pas vjedhjes së shtëpive dhe marrjes së gjërave të vlefshme, serbët masakruan: Ali Myslimin dhe vëllain e tij Abdiun, Hasan Abazin dhe Dalip Elmazin.
Në Okashtinë, vetëm një shtëpi qëndron në këmbë nga 74 sa ishin. Të gjitha janë plaçkitur dhe djegur. Dy burra të quajtur Ferhat dhe Nazif janë prerë me bajonetë. Krejt kafshët janë marrë.
Në Topojan, fshat me 68 shtëpi, kishte plaçkitje dhe djegie të përgjithshme. Një burrë me emrin Abdullah Xhaferri u pre në qafë pasi nuk ishte në gjendje të paguante pesë lira turke (115 lira italiane) të kërkuara haraç nga oficeri komandues i detashmentit. Ushtarët serbë i morën me vete të gjitha kafshët.
Në Kovashicë, Malik Bajrami, Aziz Haxhi, Ahmet Ramadani, Leka, Destan Jashari, Sejfedin Elezi dhe Sulejman Ramadani janë masakruar. 150 krerë delesh, 41 gjedhe dhe 13 kuaj janë vjedhur. Burri me emrin Rashid Rexhepi është kursyer nga vrasja vetem së i ka paguar haraç prej 150 lirave turke (rreth 3450 franga) komandantit të detashmentit serb.
Në Gjuricë (katundi afër Topojanit) janë masakruar 14 burra. Dy gra po ashtu janë vrarë: Naile Seferi dhe Zemane Ibrahimi, si dhe djemtë e vegjël: 8-vjeçari me emrin Ismail Mehmedi, 10- vjeçari me emrin Bajram Elezi, 7-vjeçari me emrin Rrahman, dy dymbëdhjetëvjeçarë, njëri i quajtur Hasan Ali dhe tjetri Elias dhe e bija e Husein Cokës.
Në Golevishtë, i tërë fshati është grabitur. 74 shtëpi janë djegur dhe dy burra, njëri me emrin Halil Numani e tjetri Nuredin Mustafa janë prerë në fyt. Sa u përket kafshëve, herën e parë serbët i kanë marrë 1000 krerë dele, 30 krerë gjedhe dhe 35 kuaj, kurse herën e dytë 23 kuaj, 40 gjedhe dhe 500 krerë dele.
Në Kërçisht, dy shtëpi të vetme myslimane janë djegur. Pastaj janë vjedhur 60 krerë dele, dy dema dhe katër lopë.
Në Bllatë, serbët kanë djegur 75 shtëpi dhe kanë masakruar Rexhep Lleshin së bashku me të vëllain Abdiun dhe djalin e vogël Bajramin, si dhe gruan e Islam Kuaranas. Fshati është plaçkitur tërësisht dhe kafshët e mbetura, 90 krerë dele dhe 50 krerë gjedhe, janë marrë.
Në Zogjaj, fshati është plaçkitur të gjitha të mirat. Drutë e dimrit dhe kafshët janë marrë. Serbët i kanë shkatërruar 124 shtëpi dhe, derisa zjarri shndërronte çdo gjë në hi, ata i kanë hedhur këta njerëz për së gjalli në flakë: një grua me emrin Rihane, dy vajza me emrat Fazile e Myslime dhe një 7-vjeçar me emrin Bajram. Ata gjithashtu i prenë me bajoneta Haxhi Myslimin, Nezir Azizin, Halil Numanin dhe Zenel Hasanin. Duke u kthyer për të dytën herë në Zogjaj, serbët masakruan: Musafa Myslimin, Aziz Jusufin, Adem Shabanin dhe Edin Nurkën. Ata, po ashtu, i vodhën shtatë lopë dhe gjashtë dele, që i kishin shpëtuar plaçkitjes së parë.
Në Maqellarë, 10 shtëpi janë grabitur dhe janë djegur. Për me shumë, serbët i kanë prerë: Elmaz Selmanin dhe të birin e tij Selmanin, Malik Rexhepin dhe të birin e tij Muratin, Hasan Sulejmanin, Abdullah Qehajën, Hajredin Hasanin dhe të tre bijtë e tij Ymerin, Ramizin dhe Tevfikin, të vëllain Rakipin, babën Hasanin; Rrustem Mehmetin, Numan Shemsedinin, Ramadan Bajramin dhe Ejup Edhemin. Banorët e tjerë të fshatit u detyruan të sjellin 50 krerë gjedhe, dy lopë dhe 113 dhi, në mënyrë që të mos masakrohen.
Në Poçest, serbët e kanë vrarë Muharrem Muharremin dhe të birin e tij Behgjetin. I morën 100 krerë dele dhe nëntë copë bagëti, si dhe 150 lira turke (afër 3450 franga), që i zbuluan nëpër xhepat e katundarëve.
Në Kërçisht të Poshtëm, serbët kanë vjedhur shtëpinë e Mehmet Ejupit pasi ia pre në fytin atij në prani të familjes.
Në Çerenec, ata dogjën 23 shtëpi dhe e masakruan Hasan Abazin bashkë me gruan e tij, Ramadan Salihun dhe Rrustem Sulejmanin. Ata e kanë vjedhur krejt fshatin duke i marrë me vete të gjitha gjërat e vlefshme, furnizimet dhe kafshët. Në Bllacë, i gjithë fshati është djegur pasi ishte vjedhur. Banorët janë prerë me shpatë, krejt pa shkak, kështu që ka qenë e pamundshme përpilimi i listës së viktimave. Kur u kthyen në Bllacë, serbët e panë së i kanë lënë pa marrë 250 krerë dele, 37 1ope dhe 28 kuaj, kurse barinjtë i masakruan.
Në Spas ata i plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe i dogjën dhjetë prej tyre. I morën të gjitha kafshët që mundën t’i zinin, 150 krerë dele, katër kuaj dhe 13 krerë bagëti.
Në Klobuçishtë, pas grabitjes së të gjitha shtëpive, ua vunë pastaj zjarrin. Tridhjetë shtëpi u bënë shkrumb e hi. Po ashtu, në prani të katundarëve i vranë: Adil Bilhalin, Ahmed Abazin, Mustafa Murtezin, Xhelaledin Destanin dhe të vëllain e tij Musën, Hajredin Maksutin, Lutfi Fejzullahun, Reshid Murtezin dhe të birin tij Fetahun, Gazanfer Zejnelin dhe të tjeret. Serbët po ashtu i vodhën 150 dele dhe dhi, 11 bagëti të tjera, dhe një gomar.
Në Pulçishte (Poçest?) serbët i morën 103 krerë dele, l5 krerë gjedhe, 14 kuaj, shtatë gomare dhe 65 lira turke (afër 1500 franga). Kur u kthyen herën e dytë, ata zunë dhe morën edhe pesë dele, 10 gjedhe dhe një kali.
Në Obok, i tërë fshati është plaçkitur dhe udhëheqësit të fshatit, Ramadan Bajramit, i është prerë fyti. Kur kaluan herën e parë, serbët morën një tufë prej 120 deleve dhe, herën e dytë, ata morën 25 dele, dy dema, një kalë dhe dy gomarë.
Në Pesjakë, ata kanë djegur dhe shkatërruar të gjitha shtëpite. Prej banorëve kanë vrarë këta: Jahja Ismajlin, Malik, Mahmut, Sejfullah, Abaz dhe Vehbi Sulejmanin. Serbët, po ashtu kanë marrë me vete 14 bagëti, 50 dele dhe një gomar.
Në Erebarë ë i gjithë fshati është plaçkitur dhe këta përsona janë masakruar: Ibrahim Osmani, Junus Kurtishi, Xhafer Demiri dhe Destan Ishaku. Po ashtu i kanë marrë me vete tre kuaj, një gomar dhe tetë krerë dele. Ata ia kanë marrë një tufë prej 150 deleve Shukri Beut nga kullota afër fshatit.
Në Vojnik, serbët plaçkitën e dogjën të gjitha shtëpite, 51 sish dhe, derisa flakët e shkretonin fshatin, ushtarët serbë e therrnin me bajoneta kë e gjenin. Mes viktimave ishin Sinan Ibrahimi, Nazif Numani, Ali Selimi dhe Idriz Shabani. Për më tepër, një grua me emrin Shame është torturuar dhe i është prerë fyti në prani të fëmijëve të saj. Të gjitha kafshët, 100 krerë dele, tetë krerë gjedhe dhe nëntë kuaj janë marrë.
Në Allajbegi, serbët e plaçkitën tërë fshatin dhe dogjën 65 shtëpi. Ata masakruan këta përsona: Ibrahim, Zejnel Dalipin, Salih Ahmetin, Ali Selimin, Hajdar Shabanin dhe vëllain e tij Hajredinin, Hajredin Muçajn, Ali Osmanin, Numan Elmazin, Sejfedin Selimin, Zejnel Saipin, Salih Sulejmanin, Fazli Abazin dhe gratë: Shame, Qamile, Alie, Nimetallah, Hibe, Zaide, Fatime dhe një vajzë pesëvjeçare. Të gjitha kafshët e kullotave përreth janë vjedhur e marrë.
Në Avalan, fshati është plaçkitur dhe katër shtëpi janë djegur. Kryeplaku i katundit Ismajl Ismajli është prerë në fyt dhe kafshët, 90 krerë dele, 6 kuaj dhe 1 gomar janë marrë.
Në Çankë, pasi fshati është vjedhur, nëntë shtëpi janë djegur. Prej banorëve të fshatit janë prerë këta: Beqir Rrustemi, Husejn Abazi, Shahin Numani dhe Zejnullahu. Ata po ashtu i morën me vete 13 kafshë.
Në Kovaçicë, i tërë fshati është plaçkitur dhe 32 shtëpi janë djegur. Të masakruar ishin: Elias Dauti, Nuredin Nurçe, Salih Osmani dhe Zejnel Troza. Serbët morën dy dema, 30 krerë dele dhe nëntë lopë.
Në Bllatë të Eperme, i tërë fshati është plaçkitur dhe 18 shtëpi janë djegur. Abdul Azizi dhe Abdurrahmani ishin të vetmet viktima të serbëve. Për më tepër, 42 krerë dele dhe dy kuaj janë marrë.
Në Bllatë të Poshtme, 25 shtëpi, pasi janë plaçkitur, janë bërë shkrumb e hi. Një burrë me emrin Ali Bllata dhe të dy bijtë kanë vdekur në flakë. Serbët po ashtu i kanë marrë 30 krerë dele, katër lopë dhe tre kuaj.
Në Lishan, pasi fshati është plaçkitur, është djegur i tëri dhe të gjitha kafshët e gjetura në stalla dhe jashtë tyre janë marrë.
Krahina e Dibrës së Ulët
Në Rabdisht, fshati është plaçkitur dhe është shkatërruar krejtesisht. 38 shtëpi dhe afër 30 stalla janë djegur. 65 burra janë masakruar, si zakonisht, me bajonetë. Për më tepër, në mesin e tyre ishte edhe një djalosh 6-vjeçar, i biri i udhëheqësit lokal, që ishte hedhur për së gjalli në flakë. Serbët, po ashtu, morën me vete 400 krerë dele, 150 dhi, 60 lopë dhe 22 kuaj. Hallakatja e xhepave të banorëve që ishin kursyer nga vdekja rezultoi me 20 lira turke (afër 450 franga), të cilat serbët i konfiskuan.
Në Zimur, serbët plaçkitën dhe dogjën shtatë shtëpi. Ata i prenë me bajoneta: Ahmet Shabanin, Mulajm Elmazin, Sulejman Zeqirin, Veisel Rizajn dhe Salih Shabanin. Kafshët u morën dhe ishin 245 krerë dele dhe 12 dema.
Në Staravec, i tërë fshati u plaçkit dhe 42 shtëpi u bënë shkrumb. Viktimat ishin: Husejn Muça, Reshid Rrahmani dhe një grua e quajtur Zobejda. Serbët zunë dhe morën 300 dele e dhi, 30 krerë bagëti të tjera dhe katër kuaj.
Në Bahutaj, serbët e detyruan Ramadan Mehmetin dhe shoqeruesit e tij të rrinë në terezi dhe pastaj ua prenë fytet. Ata i morën 10 kuaj.
Në Tomin, fshati është plaçkitur dhe dy shtëpi, teqeja dhe xhamia janë djegur. Mazllum Jusufi dhe një çunë dhjetëvjeçar janë prerë. Të gjitha kafshët e gjetura janë marrë.
Në Dohoshisht, pas grabitjes së fshatit, 55 shtëpi janë djegur. Mes viktimave që janë masakruar tmerrshëm, njeriu mund të njihte trupat e Malik Bajramit, Ramadan Ahmetit, Ymer Sadikut, Zejnullah Hasanit, Halil Junuzit, Musa Bajramit dhe Shaban Halilit. Serbët morën me vete edhe 400 krerë dele dhe 200 kuaj.
Në Zagrad, ushtarët shkatërruan tetë shtëpi dhe vodhën katër kuaj.
Në Bellovë, serbët plaçkitën tërë fshatin dhe morën çdo gjë që mund të bartnin.
Në Grazhdan, 22 shtëpi janë grabitur dhe janë djegur. Aziz Shemsedini, Hasan Zekiria, Xhafer Jusufi, Emrullah Mahmuti, Mon Beqiri, Hasan Durmishi, Rrustem Hasani dhe i vëllai i tij Zekiria, Bexhet Nuri dhe e shoqja e tij, Ismail Xhelili dhe i biri i tij Elias, Elez Hasani, Emrullah Demiri, Sinan Xhaferi, Aziz Kurteshi, Maksut Numani dhe Ferhat ishin prerë me bajonetë në prani të familjeve të tyre. Serbët, po ashtu, i morën të gjitha kafshët.
Në Muhurr, ata i plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe 14 i dogjën. Kur kapërcyen herën e parë, i morën 200 krerë dele, 100 qengja, 30 lope dhe 15 kuaj, si dhe mbi 300 lira turke (afër 7000 franga) që i gjetën në xhepat e banorëve. Kur kaluan herën e dytë nëpër fshat, trupat serbe vodhën 10 dele dhe një kalë. Ata i shkuan në bajonetë edhe njëmbëdhjetë udhëheqës fshati.
Në Luzni, të gjitha shtëpitë private janë plaçkitur. Serbët pastaj i shkatërruan pesë shtëpitë kryesore. Ata i morën të gjitha kafshët që i gjetën në stalla, mbi 1500 dele e dhi dhe 200 krerë bagëti të tjera. Dëmet njerëzore, të vrarë me bajoneta, janë 45 veta, emrat e të cilëve me kujdes janë verifikuar dhe regjistruar.
Në Çetush, katër shtëpi janë djegur dhe përsonat: Asma Hasani, Zejnel Shabani dhe Osman Numani janë masakruar. Tre kuaj janë vjedhur.
Në Brezhdan, serbët plaçkitën dhe dogjën 17 shtëpi. Ata masakruan këta përsona: Abedin Osmanin, Shahin Mehmetin dhe Salih Kadriun. I morën, po ashtu edhe 25 kuaj.
Në Ushtelencë, i gjithë fshati është grabitur dhe trembëdhjetë shtëpi janë bërë shkrumb e hi. Janë masakruar këta përsona: Numan Rrustemi, Muslim Zeki dhe Mehmet Gota. U morën edhe 17 kuaj e gjashtë dema.
Në Deshat, serbët dogjën 15 shtëpi dhe e hodhën një djalosh dhjetëvjeçar e dy gra në flakë për së gjalli. I vodhën 50 krerë bagëti dhe 500 krerë dele.
Në Sohodoll, i dogjën tri shtëpi dhe i masakruan katër burra: Abdullah Abedinin, Tusun
Dalipin, Sulejman Bahtiarin dhe Dalip Ismajlin, si dhe një grua me emrin Belure dhe të birin e saj gjashtëvjeçar me emrin Mazllum. Po ashtu, i vodhën edhe 200 dele e 30 kuaj.
Në Borovjan, serbët i dogjën dy shtëpi dhe prenë në fyt Rrustem Muharremin, në prani të familjes së tij. Po ashtu i morën 27 krerë bagëti, 119 dele dhe pesë kuaj.
Në Rashnopojë, ata plaçkitën në tërësi shtëpitë, por nuk mundën t’i digjnin asnjë prej tyre. Ata i prenë në fyt gjashtë fshatarë udhëheqës: Bajram Mehmetin, Malik Rakipin, Selman Rakipin, Behgjet Behlulin, Osman Azanin, Hajredin Malikun dhe vodhën 20 dema.
Në Cerjan, serbët shkatërruan shtëpitë dhe vranë tre burra: Fazli Sulejmanin, Jashar Hejbatin dhe Bektesh Arsllanin dhe një grua; Zobejden. I morën 14 kuaj dhe 60 krerë dele.
Në Pilaf, të gjitha shtëpitë janë plaçkitur dhe pesë prej tyre janë djegur. Serbët e prenë me bajonete Dalip Ramadanin në prani të së ëmës së tij të vjetër.
Në Pilaf-Mahallë ata grabitën të gjitha shtëpitë dhe shkatërruan tetë nga to. E vranë Hasan Fetahun, Salih Jusufin dhe të bijen e tij gjashtëvjeçare Fatimen. Për më tepër soldateska serbe i vërviti djemtë e vegjël, 6-vjeçarin me emrin Shukri dhe 4-vjeçarin me emrin Hasan në flakë. U morën 100 krerë bagëti, 200 krerë dele dhe tetë kuaj.
Në Pollozhan, krejt katundi u grabit dhe tri shtëpi u dogjën. Këtu mbetën njëmbëdhjetë viktima: Hajredin Vehta dhe vëllai i tij Azizi, Jusuf Uka, Hajredin Shkurti, Husejn Zejneli, Hajredin Halili, Said Pasha, Emin Shahini, Elez Numani dhe vëllai i tij Osmani dhe i biri i këtij të fundit. Sa i përket kafshëve, ata morën 50 krerë dele 12 dema dhe katër kuaj.
Në Gliçë (Blliçe?), të gjitha shtëpitë janë plaçkitur dhe pesë sish janë djegur. Serbët ua prenë fytin tre burrave (Xhafer Rrustemit, Destan Hasanit dhe Xhemal Salihut) dhe një gruaje (Ajshes). I morën 250 krerë dele dhe 30 kuaj.
Në Limjan, i tërë fshati u grabit. Në mesin e banorëve që u prenë me bajoneta ishin Hasan Shahini, Sejfullah Ibrahimi, Abdurrahman Fetahu, Qerim Sadiku dhe Bajram Xhelili. Po ashtu, i morën 200 krerë dele, 20 1ope dhe 10 kuaj.
Në Peshkopi, pasi u plaçkitën të gjitha shtëpite, 57 nga to, mes tyre edhe me të rëndësishmet, u dogjën. Të masakruar ishin: Xhelaledin Abazi, Ali Ymeri, Xhelman Selmani, Hasan Arsllani, Hajredin Shabani dhe Murat Demiri. 180 krerë bagëtish, 450 dele e dhi,15 mushka dhe 20 kuaj janë marrë me vete.
Në Trepçë, katundi u plaçkit dhe Zejnullah Ahmeti u pre me egërsi në sy të familjes së vet.
Dy kuaj dhe 57 krerë dele janë marrë.
Në Çidhën, tridhjetë shtëpi janë bërë shkrumb e hi. Tre burra ishin mes viktimave: Kitan Keloshi, Hasan Hani dhe Arsllan Sadiku. 500 dele e dhi, 200 krerë bagëti, 13 kuaj dhe tre gomarë janë marrë.
Në Renz, serbët shkatërruan pesë shtëpi, ia prenë fytin Zëjnel Ahmetit në shkallare dhe morën 100 dele e dhi, 12 lopë, dhe 5 kafshë të tjera.
Tregimi i masakrave mban me vete listën tmerruese të zbulimit të martirizimit të rinisë shqiptare. Detajet janë pajisur edhe me vrasjet e bëra në pjesë të tjera të Krahinës së Dibrës së Ulët të Shqipërisë veriore, siç jane:
Në Dipjakë, grabitje e përgjithshme ku ndodhi vrasja e një burri me emrin Beqir Sulejmani dhe ku u paguan haraç 45 lira turke nga banorët për komandantin serb që të ndalte masakrën. Por, të gjitha kafshët i morën.
Në Venisht, grabitje dhe rrënime. U prenë në fyt Beqir Asimi dhe Idriz Tahiri dhe u plaçkitën të gjitha kafshët.
Në Sllatinë 30 shtëpi u shkatërruan. Bahtial Idrizi u dogj i gjallë dhe 1365 krerë të bagëtive u morën.
Në Trojak dhe Velështë 41 shtëpi u bënë shkrumb e hi. U vranë këta përsona: Zaim Idrizi, Abas Huseini dhe Salih Kadri. 660 kafshë janë marrë.
Në Kallë 30 shtëpi janë djegur. Një grua me emrin Daveshe është hedhur për së gjalli në flakë. Bajram Rrustemit iu pre fyti në shkallaret e shtëpisë së tij. 576 kafshë i morën.
Në Sllovë, nuk kishte viktima, pasi popullata nuk i kishte besuar amnistisë serbe dhe kishte ikur në male. Fshati u plaçkit krejtësisht, 32 shtëpi u dogjen krejt dhe 319 kafshë i morën teksa kullosnin.
Në Dardhë, plaçkitje të përgjithshme. Dy viktima: Nuredin Sulejmani dhe Ramadan Sinani.
380 kafshë janë marrë.
Në Reç, plaçkitje e përgjithshme dhe marrje e 600 kafshëve.
Në Shumbat Palaman, plaçkitje, rrënim i tetë shtëpive. Tri gra, Rihane, Selvije dhe Ajshe, dhe tre burra, Jusuf, Bajram dhe një Bajram tjeter, janë vrare. Mbi 1340 kafshë janë marrë.
[…]
Robert Elsie
marr nga gazeta e përditshme Corriere delle Puglie, Bari, XXVI, 354, e 21 dhjetorit 1913. [nga anglishtja Gëzim Aliu]
[botuar në: Albanica Ekskluzive: revistë mujore për dije e kulturë, Prishtinë, 73-74, tetor/nëntor 2007, f. 17-20.]