Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të njësisë ushtarake naziste hitleriane me emrin “Divizioni 999”, të njohur ndryshe si “Njerzit me shënjën blu”, apo “Llumi i Gjermanisë”, pasi ajo njësi përbëhej nga një konglomerat njerzish të shtresave shoqërore nga më të ndryshmet, si: vjedhës ordinerë, komunistë, antifashistë, pacifist, anarkistë, sindikalistë, social-demokratë etj., të cilët pasi ishin mbajtur për vite me rradhë në një kamp përqëndrimi në Heiberg të Gjermanisë (afër Alpeve të Shvabesë), me fillimin e Luftës, më 3 shtator 1939, pak ditë para sulmit ndaj Polonisë, me sugjerimin e Shefit të Shërbimeve Sekrete të Policisë gjermane, Heydrich, Hitleri i mobilizoi ata në armatat naziste, duke i dërguar në frontet e luftës në disa shtete të Europës, si në Francë, Itali, Poloni, Bashkimin Sovjetik, Rumani, Bullgari, Greqi, Shqipëri, e deri në Afrikën e Veriut.
Dezertimi i tyre nga frontet e luftës në të gjitha shtetet ku shkuan, duke u bashkuar me partizanët vëndas dhe duke luftuar kundra ish-bashkatdhetarëve të tyre nazistë hitlerianë, siç bënë edhe në Shqipëri që në fillimin e vjeshtës së vitit 1944, duke ardhur nga Greqia ku ata kishin luftuar përkrah forcave partizane të ELAS-it që në korrikun e vitit 1943. Ndër oficerët kryesorë që kaluan me partizanët shqiptarë, ishte komandanti i baterisë artiliere, Sepp Moritz nga Graci i Austrisë, Herman Heurich, komandant i baterisë së 8-të, Walter Brehdow e Paul Ludvik, (komandant e zv / komandant të Baterisë së 9-të) Otto Koch dhe Cuke Will. Shembullin e tyre e ndoqën më pas edhe Ernest Oschmann, Willi Perletberg, Hans Ressmann, Mikael Schifer etj.
Si hynë ata në lidhje me krerët kryesorë të formacioneve partizane që vepronin në jug të Shqipërisë, si: nënkolonelët Hulusi Spahiu e Irfan Peshtani, kapiten Abdurrahman Guri, nëntoger Aleks Duro, etj., duke u bërë efektiva të atyre njësive partizane që vepronin në zonën e Konispolit, Sarandës, Delvinës, etj., ku luftuan kundër ish-bashkëatdhetarëve të tyre, nazistëve hitlerianë, duke dhënë një kontribut të madh në çlirimin e Delvinës, Sarandës, Elbasanit, Tiranës, Shkodrës, etj., e deri në krahinat e Veriut të Shqipërisë ku ata ishin në përbërje të Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu!
Në verën e vitit 1944, ata dezertuan nga rradhët e forcave të ushtrisë gjermane të Adolf Hitlerit dhe kaluan në anën e partizanëve shqiptarë, duke u bërë efektiva të brigadave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës, të cilat ishin përqëndruara në zonën e Delvinës, Sarandës e Gjirokastrës, etj. Pjesa më e madhe e atij kontigjenti të inkuadruar në “Divizionin 999”, ose siç njiheshin ndryshe në Gjermani me nofkën “Njerzit me shenjën blu”, mori pjesë aktive në disa beteja, duke luftuar me armë në dorë kundër bashkëatdhetarëve të tyre nazistë.
Madje duke dhënë një kontribut shumë të çmuar në rradhët e brigadave partizane, siç ishin betejat për çlirimin e Delvinës, Sarandës, Elbasanit, Tiranës apo dhe Shqipërisë së Veriut. Po cila ishte e kaluara e atyre efektivave të ushtrisë naziste hitleriane të cilët në gjysmën e dytë të vitit 1944 pranuan të luftonin përkrah partizanëve shqiptarë kundër ish-shokëve të tyre dhe nga erdhën ata në Shqipëri? Cili ishte kontributi që ata dhanë për partizanët dhe përse historiografia e regjimit komunist nuk e njohu kurrë rolin e tyre ashtu siç bëri me ushtarët italianë që u rreshtuan në rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës?
Lidhur me këto ngjarje, bën fjalë libri i autorit gjerman, Artur Musil, i cili është botuar në Gjermani në vitin 1988 dhe që na e ka dhuruar me bujari, prof. Rexhep Hida, një nga njohësit më të spikatur të gjuhës gjermane në Shqipëri dhe gjithashtu drejtuesi i Shtëpisë Botuese, “Fan Noli”. Musil, është një nga ata dhjetra gjermanë të “Divizionit 999”, që në vitet 1943-‘44 luftuan në Shqipëri përkrah partizanëve të Enver Hoxhës dhe disa vjet para se ai të shkruante librin e tij, historia e “Divizionit 999”, apo siç njiheshin ndryshe “Njerzit me shenjën blu”, kishte grishur fantazinë e regjizorit të njohur, Harold Pihllip, që të realizonte një film artistik (me metrazh të gjatë), i cili në atë kohë bëri bujë të madhe në Gjermaninë Perendimore, për shkak të historisë që ai trajtonte, atë të disidencës naziste.
Si u krijua Divizioni 999?
Që me ardhjen e tij në fuqi në vitin 1932, Hitleri krijoi një kamp përqëndrimi në Heiberg të Gjermanisë, i cili ishte një vënd i largët në Alpet e Shvabesë si shkretëtirë e vërtetë, ku nuk kishte as dhe një fshat rreth e rrotull. Në atë kamp bënin pjesë kontigjente shtresash shoqërore nga më të ndryshmet, si: vjedhës ordinerë, pacifistë, anarkistë, antifashistë, humanistë, sindikalistë, social-demokratë, komunistë etj., të cilët aty i nënshtroheshin një dhune fizike e psiqike të pashembullt.
Në kazermat e atij kampi në fillim u futën rreth 9000 vetë dhe krijimi i tij u konsiderua si një vendim ideal për realizimin e synimeve naziste, pasi kundërshtarët e mundshëm të regjimit në fuqi, pas kësaj “do të pësonin një asgjesim fizik të ngadalëshëm”! Nga fundi i vitit 1941, numri i të izoluarëve në atë kamp si kundërshtarë të regjimit nazist, arriti në rreth 300 mijë vetë, gjë e cila e shtyu Hitlerin që një pjesë të tyre t’i dërgonte nëpër burgje. Më 3 shtator 1939, dy ditë para se Gjermania naziste të sulmonte Poloninë, Hitleri dhe Himleri thirrën shefin e Shërbimeve Sekrete të Policisë së Shtetit, Heydrich, të cilit i thanë të gjente një zgjidhje për atë kontigjent të madh njerzish të atij kampi. Heydrich, me miratimin e Vermahtit i ndau në dy grupe, ku më të rrezikshmit i mbylli nëpër kampe përqëndrimi, dhe pjesën tjetër i mobilizoi në një Divizion të koduar me numrin 999, apo siç u njoh ndryshe: “Njerzit me shenjën blu”.
Duke i mbajtur nën një mbikqyrje të rreptë, më pas atë njësi Hitleri e dërgoi në front, si në Afrikën e Veriut, Francë, Itali, Poloni, Bashkimin Sovjetik, Rumani, Bullgari, Greqi dhe Shqipëri. Edhe pse në rradhët e “Divizionit 999” vepronte policia e fshehtë e Hitlerit, të cilët kishin si detyrë të asgjesonin fizikisht çdo person që nuk u bindej urdhërave të eprorëve, pjesa me e madhe e atij kontigjenti dezertuan nga rradhët e ushtrisë naziste dhe u bashkuan me partizanët vendas kudo që ata shkuan. Për herë të parë efektivat e “Divizionit 999” u vunë nën urdhërat e gjeneralit të famshëm Romel, që vepronte në Afrikë dhe pas thyerjes së tij, ato njësi erdhën në Itali, Francë, Belgjikë e Ballkan, duke vepruar fillimisht në Greqi. Pas hyrjes së trupave naziste në Ballkan, (Greqi e Shqipëri) “Divizioni 999” kontaktet e para i mori me Ushtrinë Çlirimtare Popullore greke të ELAS-it. Kjo ndodhi më 14 korrik 1943, rreth pesë javë pasi ato kishin hyrë në Greqi. Në luftën për çlirimin e territoreve greke, përkrah ELAS-it dhanë jetën 170 efektiva të “Divizionit 999”. Vlen për t’u përmënduar heroizimi që ata treguan në luftimet e ashpra që u zhvilluan në Amalas. Pas kësaj më korrik 1944, në Peleponez u krijua “Lidhja e antifashistëve gjermanë” të cilët u inkuadruan në Divizionin e III të Ushtrisë Greke të ELAS-it.
Gjermanët që çliruan Delvinën nga nazistët
Për herë të parë forcat e “Divizionit 999” hynë në Shqipëri në grupe të vogla në verën e vjeshtën e 1944-ës, pas pushtimit të Greqisë nga trupat britanike. Pas futjes në territorin shqiptar, antifashistët gjermanë u vendosën në zonën e Delvinës e Gjirokastrës, duke bashkëpunuar ngushtë me forcat partizane që operonin në atë zonë. Pjesa më e madhe e tyre, (rreth 500 vetë) luftuan me armë në dorë kundra bashkëatdhetarëve të tyre nazistë, duke marrë pjesë jo vetëm në çlirimin e Delvinës e Sarandës, por edhe në Shqipërinë e Veriut, ku u vendosën më pas brigadat partizane ku ata u inkuadruan.
Në rradhët e partizanëve shqiptarë nuk luftuan vetëm ata gjermanë që kishin bashkëpunuar më parë me ELAS-in në Greqi, por edhe efektivat e ushtrisë naziste që ndodheshin në Delvinë e Sarandë, pasi të gjithë ata ishin nga “Divizioni 999”. Në këtë zonë ata gjetën rastin dhe kaluan menjëherë në anën e partizanëve shqiptarë. Vlen për t’u theksuar mikëpritja që u ofroi atyre popullsia vëndase, e cila i trajtoi shumë mirë ato efektiva, edhe pse e dinte se ishin forca kundërshtare që luftonin kundër bijve të tyre partizanë. Vetë gjermanët u habitën nga mikpritja e popullsisë vëndase në Jugun e Shqipërisë, pasi propaganda zyrtare e Berlinit, i kishte paraqitur ata, sikur i prisnin me pushkë dhe pushkatonin menjëherë çdo gjerman që gjenin. Pas kësaj, frika u thye dhe dezertimi i efektivave të “Divizionit 999” u bë në masë.
Dhe megjithë përpjekjet e kujdesin e Komandës së Përgjithshme Gjermane në Berlin, dezertoi edhe Bateria e 8-të e njësisë së tretë të Regjimentit të Artilerisë të “Divizionit 999”. Kështu mjaft efektiva të këtij Divizioni që drejtonin automjete me ushqime dhe municione, devijuan nga destinacioni i tyre dhe i dërguan ato tek forcat partizane që vepronin nga Janina në Delvinë. Ndër oficerët kryesorë që kaluan me partizanët, ishte komandanti i baterisë artiliere, Sepp Moritz nga Graci i Austrisë, Herman Heurich, komandant i baterisë së 8-të, Ëalter Brehdoë e Paul Ludvik, (komandant e zv/komandant të Baterisë së 9-të) Otto Koch dhe Cuke Ëill. Shembullin e tyre e ndoqën më pas edhe Ernest Oschmann, Ëilli Perletberg, Hans Ressmann, Mikael Schifer etj., të cilët braktisën njësitë naziste ku ishin inkuadruar dhe u bashkuan me partizanët shqiptarë, duke luftuar përkrah tyre në çlirimin e Sarandës e Delvinës.
Gjermani Musil: Si e shpëtuam Delvinën
Lidhur me këto ngjarje të ndodhura në 1944-ën në Jugun e Shqipërisë, gjermani Artur Musil, efektiv i “Divizionit 999”, në librin e tij mes të tjerash ka shkruar: “Sipas planit të komandaturës sonë (naziste gjermane), deri në mbrëmjen e 10 tetorit, Delvina duhej të sulmohej dhe të rrënohej plotësisht. Unë si komandant i njësisë së tretë, së bashku me një mikun tim, majorin Haring, u dhamë urdhër ushtarëve tanë që të kalonin menjëherë përpara fillimit të sulmit te partizanët shqiptarë. Kurse unë me majorin gjetëm një palë rrobe fshatari shqiptar, të cilat ata na i dhanë me bujari. Pas kësaj hipëm mbi gomarë dhe duke kaluar mbi një qafë mali, dolëm për te zona që kontrollohej nga partizanët. Mikut tim majorit, i qëlloi që të ecte më shumë në këmbë dhe njësitë gjermane që e pikasën veprimin tonë, filluan të na qëllonin me mortaja duke plagosur një nga kafshët që kishim hipur ne. Kjo gjë bëri që të ngadalsohej lëvizja jonë dhe mezi arritëm në buzëmbrëmje për aty ku ishim nisur. Ndërsa ecnim, qielli ndërkohë filloi të mbushej me re të zeza dhe të gjëmonte. Miku im më mbante përkrahu dhe më qetësonte: Më mirë në shi se në plumbat e gjermanëve. Duke ecur, mendonim që të ktheheshim në ndonjë shtëpi fshatari. Ndërkohë kur hodha sytë nga Delvina, pashë se njësia ime ishte larguar plotësisht. Aty m’u kujtua se si nga nxitimi kisha harruar në kazermë një çantë me disa sende të mija personale. Të nesërmen mundëm të hynim në kontakt me shtabin partizan që vepronte në atë zonë ku dolëm ne. Ne ju dhamë atyre detajet e planit që mendohej të sulmohej Delvina (plani i shtabit nazist) dhe atëhere brenda një kohe shumë të shkurtër, njësitë shqiptare bashkë me ne, bëmë një riorganizim dhe sulmuam të parët. Kjo bëri që njësitë gjermane të shpartalloheshin krejtësisht dhe sulmi mbi Delvinë të shmangej. Më pas vijuan ditë të tëra miqësie dhe lufte me partizanët shqiptarë në zona të tjera kundër të njëjtit armik e për të njëjtin qëllim”.
Alfred Kluëe: Korçari më shpëtoi jetën nga oficeri SS
Një tjetër gjerman efektiv i “Divizionit 999” që ka qenë në Shqipëri dhe që dezertoi më pas e u bashkua me partizanët në luftë kundër bashkatdhetarëve të tij nazistë, ka qenë edhe komandanti i Batalionit të Alfred Kluëe. Lidhur me ngjarjet e asaj kohe, në kujtimet e tij të botuara në librin e Artur Musil, mes të tjerash ai ka shkruar: “Kur njësia jonë po ecte në drejtim të Korçës, ne gjetëm rastin dhe dezertuam. Ndërkohë që isha me mikun tim nga Berlini, Paul Baleëski, përshëndetëm një fshatar i cili na u përgjigj me përzemërsi. Me anë të përkthyesit tonë i shpjeguam fshatarit qëllimin tonë që ai të mos trembej. Atij i kërkuam të na tregonte se ku ishin çetat partizane. Ai pasi na besoi plotësisht, na tha gjithashtu se aty pranë ishte një depo me ushqime dhe municione për të cilat kishte aq shumë nevojë populli dhe çlirimtarët shqiptarë. Dhashë urdhër që të gjithë ushtarët tanë të qëndronin dhe bashkë me fshatarët të shkonin te vëndi ku ndodhej depua. Kur arritëm përpara saj, vura re se ajo ruhej nga dy ushtarë SS. Pasi u përshendeta me ta, i thashë njerit prej tyre se njësia ime kishte nevojë për ushqime. Ai më besoi dhe unë bashkë me fshatarin hymë brenda për të parë e marrë diçka. Por befas njëri nga oficerët SS (i dyti tashmë i vetëm) dyshoi dhe nxorri revolverin të më qëllonte. Në atë moment fshatari që ishte me mua, menjëherë nxorri një thikë që e kishte pasur me vete, dhe e eliminoi fizikisht oficerin, duke më shpëtuar për mrekulli jetën mua. Kur dolëm nga depua, oficerin e dytë SS, e arrestuam menjëherë pa ndonjë problem, e pastaj u kthyem te njësia jonë. Pas kësaj shkuam përsëri tek depoja bashkë me njësinë dhe morëm sasi të konsiderueshme ushqimesh, veshmbathjesh e municioni, duke ndihmuar kështu popullsinë e asaj zone dhe partizanët. Që prej asaj dite, ne, së bashku me njësitë partizane të asaj zone, kemi marrë pjesë në mjaft luftime si në zonën e Shpatit të Elbasanit, ashtu dhe në atë Elbasan-Tiranë”
Po kështu pjestarë të tjerë të “Divizionit 999”, kanë shërbyer pranë partizanëve shqiptarë si specialistë në fusha të ndryshme, si radio-ndërlidhje, shoferë, apo dhe gazetarë. Kështu, është për t’u përmëndur rasti i Oskar Fuselbach (anëtar i PSD Gjermane) i cili ka ndihmuar në Prefekturën e Vlorës, pranë gazetës së asaj prefekture. Ai në atë kohë banonte pranë një familje shqiptare dhe u ka dhënë një ndihmë të madhe kolegëve shqiptarë, të cilët ishin të rinj dhe pa përvojë në fushën e gazetarisë. Numri i ushtarëve gjermanë efektiva të “Divizionit 999” që dezertoi nga armata e Fyherit dhe u bashkua me çlirimtarët shqiptarë, ka qenë mbi 500 veta. Kontributi i tyre në këtë luftë ka qenë tepër i ndjeshëm dhe ata kanë luftuar deri në çlirimin e Shqipërisë në qytetin e fundit të saj, Shkodrës, duke ardhur deri aty me luftime nga rruga Durrës-Tiranë-Shkodër.
Dokumentet partizane: Gjermanët luftuan krah nesh
Ndonëse gjatë 45 vjetëve të regjimit komunist të Enver Hoxhës në librin e Historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (1939-1944) nuk është shkruar kurrë mbi kontributin e këtyre ushtarëve gjermanë, duke e injoruar tërsisht atë fakt, shumë nga ata ish-ushtarë dhe oficerë gjermanë kanë ruajtur e disponojnë mjaft dokumente që e vërtetojnë më së mirë pjesmarrjen e tyre në luftë përkrah partizanëve shqiptarë. Ata kanë rujatur deri në ditët e sotme mjaft nga dëshmitë, deklaratat dhe vërtetimet që ish-komandanët dhe komisarët e njësive të ndryshme të ushtrisë partizane, ua patën lëshuar atyre në atë kohë.
Kështu në disa prej atyre dëshmive thuhet:
“Ushtria Nacional-Çlirimtare
Komanda e Përgjithshme e Artilerisë
Vdekje e Fashizmit Liri Popullit Tiranë më 13.2.1945
Deklaratë
Vërtetohet se i quajturi Max Zaspel, ka qenë në rreshtat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe prej datës 25.1.1945 efektiv i kësaj komande si artilier.
Komandanti i Artilerisë
Nënkolonel Hulusi Spahiu (firma)
Po kështu në një tjetër dokument të lëshuar nga Hulusi Spahiu, (pas lufte gjeneral-major dhe Drejtor i Artilerisë në Ministrinë e Mbrojtjes) shkruhet:
Letër-udhëtimi
Autorizohen partizanët e poshtëshënuar me nënshtetësi gjermane, me udhëtuar deri në Elbasan, të cilët vazhdojnë udhëtimin për në frontin e Lindjes, duke mos pasur asnjë pengim prej kësaj komande.
Partizan Max Zaspel.
Paul Ludwig.
Albin Tomaschek.
Hans Bauer
Max Wolf
Walter Bredoë
Robert Kraus
Joseff Gennoch
Alex Kauffman
Krahas këtyre dokumenteve të firmosura nga ish-komandanti partizan i Artilerisë, nënkolonel Spahiu, (në vitet ’50-të u burgos nga Enver Hoxha), në librin e autorit gjerman, Artur Musil, janë dhënë me faksimile edhe mjaft dokumente të tjera të firmosura nga komandantë e komisarë të tjerë partizanë mjaft të njohur si në atë kohë e më pas, si: Irfan Peshtani, Abdurrahman Guri, Aleks Spiro etj. Por edhe pse këto dokumente hedhin dritë dhe flasin qartë mbi pjesmarrjen e 500 gjermanëve në rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare partizane të Enver Hoxhës, kjo gjë nuk u shkrua kurrë në librat e historisë apo kujtimet e veteranëve të Luftës si para viteve ’90-të, ashtu dhe në këto tre dekada pas shëmbjes së regjimit komunist…?!
Në vitin 1960-të, regjizori Harold Phillipe, realizoi një film për “Divizionin 999”, që bëri bujë në Gjermaninë Perendimore
Gjatë dhe në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, shumë nga ish-efektivët e “Divizionit 999” apo siç njiheshin ndryshe në periudhën e Gjermanisë naziste, si “Njerzit me shenjën blu”, nuk u kthyen më në atdheun e tyre, por preferuan që të qëndronin në mërgim, ku krijuan dhe bërthamën e parë të Partisë Komuniste Gjermane, e cila disa vjet më pas do të vinte në fuqi në Gjermaninë Lindore. Shumë të tjerë prej “Divizionit 999”, menjëherë pas Luftës zunë vënde dhe funksione të rëndësishme në qeverinë komuniste gjermano-lindore dhe hierarkinë e udhëheqjes partiake që drejtonte atë. Madje një pjesë e ish-ushtarakëve nazistë të “Divizionit 999” që kishin luftuar dikur në Shqipëri përkrah partizanëve të Enver Hoxhës, në vitet ’50-’60-të u rikthyen këtu si turistë, studentë, apo dhe me delegacionet e ndryshme qeveritare. Historia e divizionit nazist e përbërë nga “Njerzit me shenjën blu”, apo siç njiheshin ndryshe me përçmim nga nazistët hitlerianë, si “Llumi i Gjermanisë”, në vitin 1960 grishi fantazinë e regjizorit të njohur gjerman, Harald Phillipe, i cili realizoi filmin artistik me metrazh të gjatë, të titulluar “Straftbattalion 999”. Ky film ku dy rolet kryesore interpretoheshin nga aktorët Werner Peters dhe Sonja Ziemman, bëri bujë të madhe asokohe në Gjermaninë Perendimore, për shkak se trajtonte një temë dhe histori të panjohur deri në atë kohë, atë të disedencës naziste./Memorie.al