Nga Albert Vataj
Fjalë, n’se shkon me dritën n’vendlindjen teme, ma ndez nji diell atje ku dita beh e tamëlt n’syt e mallit, n’vezillimin e njatyne syve qi koha ka strukun thellë. N’se merr krahë zogjsh e pend resh, mi shpalo ato kthjellime qi derdhen rrjedhjeva qi i’a njomin buzën e vërshimeve qi ia nezin shpirtjen e dehjes e bukurimit. N’se shkon me mallin merrmë edhe mue, edhe kujtimin e atyne pragjeve e parmakëve, mëtimin e atyne andjeve. Shko e gjej n’çdo pritje sy t’përlotun e buzë t’kafshueme, prehna t’shterrun e gjokse qi nepen gjimue.
Shko, se po vi edhe unë, edhe ti, ti qi t’mundon e t’sëmbon nji shtërngim në shpirt e nji mall t’i ven zjarmin e dëshirimit gjithçkaje qi t’sheh, tançkaje qi n’ty prushet andjeve.
Thueaje me za e me heshtje: Shkodër m’ke mungu bash fort. Ndoshta ma shum’ se ti, ajo vetvedi qi më mban t’lidhun me ty nëpërmjet njatyne fijeve malli, qi tue u tendos lëshojnë tinguj e më mëkojnë amëlcime, t’cillat veç prej dors tande i kam provu. Ti nuk je fort larg, e un nuk mbes pa ardh e me t’pa, por m’bahet se diçka prej talëmcimit tand më mungon gjithmonë, edhe atëherë kur m’rrok me dashnimin tand.
Gjini jot Rozafë ma njom buzën e eshkun mungimeve e vetmimit, mi turit puthjet qi m’dhembin e m’ligshton shpirtin qi dorzan, i lshohet nji ndijimi qi vendlindja ta mylmen me mall dhe me plagë. Un’ e njiherash me mu, tankush e ndin vedin t’epun prej taftit të amësimit, e ndijmë se si largimi qi na mban t’robnumm e përpush n’gjithçka, qi na thërret në ndijim; prehnin e nanës, ledhën e pragut, vështrimin e vjedhun t’hanës e vashës.
Sod qi jeta rreket me na i zhba tana idilet, tue na lan picak n’dimnin e acartë të përmallimeve e dashminimit të kujtimeve, provojmë se si kjo zbrazje na dhemb ma shumë se çdo tjetër varrë, që hap ikja qi na thirri me braktis djepin tue lyp nëpër botë dërrasat e qivurit. Se mos patëm tjetër shteg qi mujttte me na nxjerr n’udhë.
Gjithsi koha mundet me pru turlilloj gjanash, por mallin për vendlindjen veç ta ndez ma keq. E ti s’din se për ç’ka t’ka marrë malli ma fort, për fmininë, kujtimet, trazimet, gazmimet apo dhimbjet, n’vorbën e t’cillave u mbrue njaj shpirt, qi t’ban me vuejt ngase asnji lumtnim nuk ka fajde diku njeti, vendit ku mbeti e skalitun e kjamja dhe e qeshuna e parë, rrëzimi dhe idhnimi fillues, dashtunimi e zemërthyemja sëmbuse.
Tana ndijimet qi t’mbajn t’lidhun me ç’ka t’ban me përjetu, i kanë rranjët dhe degët njatje ku ke mallin, sythat e gjethet i pret e përcjell stinëve të dhenave t’marruna borxh.
Ti, un, e tankush, lumnue i përcjell këro rallë tamëlëcimi vendlindjeje, provon me e ndi zanin e mbetun diku në heshtjen, qi koha ka kredhun n’harrim. Ti, un’ edhe e gzuemja zemër qi t’mbush me kyt zjarm ndijimi. Snipse nuk mundet me ravijëzu trajtat e gjendjes s’përmallshme, ku melankolia të këndon ninulla t’largta. Por mundesh me pa n’syt e ma t’shtrenjtve tuej, se si harbon fluturimesh qielli i njasaj hareje që t’vërshon në gjak ende.
Shkodër, t’paça zemër e gazmimeve e mirësimit, nadje kur lan ftyrën në Drin, e mbramejeve qi mbështet kryet n’Liqen, ku s’kuqet qielli e njiherash me te, mollëzat e vashave qi xehen gafil, tue pa, ku kqyr zemra e tyne e prushun dashnimit.
T’pata e t’kam mall dhe dhimbje, Shkodra jeme, Shkodra e njerëzve t’mir’, e shpirtjeve t’kalluna n’dehjen e nji mylmimi, qi vet Zoti t’ka mëkue. Ishe, ç’ka deshte ma fort se ç’ka mujte. Pate zemër për çdo flakë e zjarr. Prehën ju bane çdo andje e andrre. Buza t’puthi e t’prushi ku gjaku t’nezi e loti t’nguci. M’deshte, pa drasht se s’kam me pas dashni me t’dhan, e… t’duem për gjithçka qi ishe, je e ke me ken, ngase e meriton, ti e çdo vendlindje. Imend, ngase n’zemra e ndijm dhe e përpushim, në nji diell t’gjallë, atë qi bjen dritën n’çdo ditë, qi zbardh, tue m’mbush me kujtime e lëndumun n’mall.
Mall pata e shpitje kam për kyt zjarm, diellin e dritimit të tan dëshirave qi m’ndezin, sod e sa sy e qiell t’kem me pa e me fluturu.