Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ngjarjeve të ndodhura 30 vite më parë në qytetin e Shkodrës, ku më 14 janar 1990 u organizua një demonstratë proteste që synonte heqjen e bustit të Stalinit nga lulishtja në qëndër të qytetit. Dëshmia e rrallë e dy prej organizatorëve dhe protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje, Gjergj Livadhi dhe Viktor Martini, të cilët në mesnatën duke u gdhirë 14 janari ’90-të, u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit me mbështetjen e Forcave Speciale që kishin ardhur nga Tirana dhe u dërguan në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit të Shkodrës, ku ndaj tyre u përdorën tortura çnjerzore fizike dhe psikollogjike nga vetë drejtuesit kryesorë të saj, duke i vënë revolen në kokë Viktor Martinit, apo duke i çpuar trupin me gjilpëra, për ta parë nëse ai jetonte ende, apo kishte ndërruar jetë nga torturat që ishin ushtruar ndaj tij…?!
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, nëpërmjet intervistës ekskluzive të 68-vjeçarit Gjergj Livadhi nga qyteti i Shkodrës, u njohëm me fillimin e ngjarjes së 14 janarit të vitit 1990, ku me mijra banorë të atij qyteti verior të Shqipërisë të cilin regjimi komunist e konsideronte si “çeredhe të reaksionit”, dolën në një demostratë të heshtur në shenjë proteste kundër mbajtjes së bustit të Stalinit në një prej shesheve kryesore të qytetit të tyre. Sipas dëshmisë së Gjergj Livadhit, i cili ka qenë një prej organizatorëve dhe protagonistëve kryesorë të asaj demostrate, njeriu i parë që hodhi idenë për rrëzimin e bustit të Stalinit, ishte shoku dhe miku i tij i ngushtë, Dedë Kasneci, i cili që në pasditen e 10 janarit të vitit 1990-të, bisedoi gjatë për atë problem me shkodranin tjetër, Rin Monajka. Të nesërmen e asaj dite, Rin Monajka shkoi në lagjen Serreq ku banonte Gjergj Livadhi dhe pasi i tregoi atij për bisedën që kishte bërë me Dedën një natë më parë, i kërkoi që të mblidhte sa më shumë njerëz e t’i nxirrte në lulishten ku ndodhej busti i Stalinit, ku do të mbahej një demostratë e heshtur në shenjë proteste për heqjen e atij busti. Rin Monajka e siguroi Gjergjin se demostrata do të bëhej patjetër, pasi atë gjë e kishin dhënë në edicionet e lajmeve edhe disa stacione televizive italiane. Pas kësaj, Gjergji shkoi në lagjen e tij ku për më pak se një gjysëm ore, mblodhi rreth 100 persona dhe bashkë me ta doli në qëndër të qytetit ku ndodheshin fare pak njerëz. Mospjesmarrja e banorëve të Shkodrës atë paradite në sheshin ku mendohej të zhvillohej demostrata, lidhej me faktin se ajo gjë kishte rënë në veshin e Sigurimit të Shtetit dhe me urdhër nga “lart”, data 11 janar ishte shpallur ditë pushimi. Po atë paradite të 11 janarit, ndërsa Gjergj Livadhi u takua me Dedë Kasnecin dhe Flamur Elbasanin në qendër të qytetit, shoku i tyre, Rin Monajka, diku në një nga rrugët e piacës, ishte takuar me ambasadorin gjerman që kishte ardhur aty nga Tirana dhe kishte zhvilluar me të një bisedë dy-tre minutëshe lidhur me demostratën që pritej të mbahej. Diplomati gjerman i kishte thënë Monajkës: “Hë, ç’ prisni akoma”. Ndërsa eksponentët kryesorë që po merreshin me organizimin e demonstratës që pritej të mbahej më 14 janar në sheshin kryesor të qytetit ku në një lulishte ndodhej busti i Stalinit, në mbrëmjen e 13 janarit Forcat Speciale që kishin ardhur nga Tirana nën drejtimin e kreut të Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizit, dhe mbështetjen Degës së Brendëshme të qytetit të Shkodrës, ndërrmorën arrestimet e para dhe një prej tyre ishte vetë Gjergj Livadhi, të cilin e çuan në Degë ku filloi ta marrë në pyertje vetë Zylyftar Ramizi. Po ç’ndodhi më pas me Gjergj Livadhin dhe si u zhvilluan ngjarjet të nesërmen, më 14 janar 1990-të?! Lidhur me këtë na njeh dëshmia e z. Gjergj Livadhi në këtë pjesë të dytë të intervistës së tij, ekskluzivisht për Memorie.al dhe bashkë me këtë intervistë po publikojmë edhe dëshminë e Viktor Martinit, njërit prej organizatorëve kryesorë të demonstratës së 14 janarit 1990-të që synonte për heqjen e bustit të Stalinit nga lulishtja në sheshin qëndror të qytetit, i cili rrëfen për ekskluzivisht Memorie.al, torturat çnjerzore që iu bënë atij në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit të Shkodrës.
Në paraditen e datës 14 janar të vitit 1990-të, me mijëra banorë të qytetit të Shkodrës u grumbulluan në qendër të qytetit dhe për disa orë zhvilluan një tubim proteste në heshtje, i cili synonte rrëzimin e monumentit të Stalinit që ndodhej në një nga lulishtet e shesheve kryesore të atij qyteti. Ajo demostratë masive e cila shënonte dhe protestën e parë antikomuniste pas më shumë se gjysmëshekulli të sundimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, alarmoi regjimin dhe gjithashtu bëri bujë të madhe brënda e jashtë vëndit, duke u komentuar edhe nga shumë stacione të huaja televizive nga më të njohurit, si Reuters, Rai, Zëti i Amerikës, BBC etj. Po kështu demonstrata e 14 janarit të vitit 1990-të, tundi nga themelet udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë dhe personalisht Ramiz Alinë, i cili ia “faturoi” atë shërbimeve të huaja dhe kryesisht UDB-së jugosllave. Përveç organeve të diktaturës që Ramiz Alia vuri në përdorim për shtypjen e asaj demostrate, ai mobilizoi edhe gjithë arsenalin e mjeteve të propagandës që dispononte regjimi i asaj kohe, dhe në një nga fjalimet e tij pikërisht për atë ngjarje, ai artikuloi shprehjen: “Nuk tundet Taraboshi nga era”.
Po kush ishin organizatorët kryesorë të asaj demostrate dhe kur u hodh për herë të parë ideja për rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër? Kush ishte personi që u takua me ambasadorin gjerman në paraditen e 11 janarit në qendër të qytetit të Shkodrës dhe çfarë u bisedua në mes tyre në lidhje me demostratën e rrëzimin e bustit? Kush ishin intelektualët shkodranë të cilëve iu kërkua të mbanin një fjalë rasti para demostratës dhe cila ishte përgjigjia e Dom Simon Jubanit? Si e mësoi Sigurimi i Shtetit të vërtetën për zhvillimin e demostratës dhe si i arrestoi të gjithë organizatorët e saj në orët e vona të natës së 13 janarit? Si u torturuan ata në zyrën e Kryetarit të Degës së Brendshme të Shkodrës, Çapajev Taçi në praninë e zv/Ministrit dhe Drejtorit të Sigurimit, Zylyftar Ramizi? Çfarë i’u kërkohej atyre gjatë hetuesisë dhe përse Kryetari i Gjyqit në Tiranë, Sh. M., dha dënime tepër të rënda për dhjetë organizatorët e asaj demonstrate? Përse ata të dhjetë organizatorët dhe protagonistët kryesorë të asaj demonstrate ishin të fundit që u liruan nga burgjet e regjimit komunist në marsin e 1991-it dhe cila është e vërteta e vdekjes në Austri, të personit që ishte takuar dhe biseduar me ambasadorin gjerman, tre ditë para demostratës në 11 janarin e vitit 1990?
Lidhur me këto ngjarje dhe histori të panjohura dhe të gjitha detajet e asaj demostrate, na njeh me intervistën e tij ekskluzive për Memorie.al, Gjergj Livadhi, njëri nga organizatorët kryesorë të saj dhe gjithashtu njëri nga eksponentët e proceseve demokratike në qytetin e shkodrës në fillimin e viteve ’90-të
Zoti Gjergj, para se të flasim për demonstratën dhe gjithë ngjarjet e tjera që lidhen me heqjen e bustit të Stalinit, a mund të na thoni fillimisht diçka për familjen dhe të kaluarën tuaj. Kur keni lindur, ku keni banuar dhe ku keni punuar deri në atë kohë që u morët me organizimin e demostratës së 14 janarit të 1990 në Shkodër?
Unë kam lindur në 27 prill të vitit 1952 në qytetin e Shkodrës. Babai im, Kol Beka në vitet 1945-‘46 ka qenë në mal si antikomunist me Gjergj Vatën dhe nacionalistë të tjerë të asaj kohe. Nisur nga ky fakt, baba dhe ne si familje, shpirtërisht nuk e kemi dashur regjimin komunist të Enver Hoxhës, ndonëse nuk kemi pasur ndonjë persekucion prej tij. Ne kemi banuar në lagjen Serreq të Shkodrës dhe kemi qenë një familje e varfër që kemi parë hesapin tonë. Në vitin 1990-të kur ndodhi demostrata për rrëzimin e bustit të Stalinit, unë punoja në Ndërrmarjen Metalike të Shkodrës, por deri në atë kohë kam bërë punë krahu nga më të ndryshmet.
Kur dhe kush ishte ai që e hodhi i pari idenë e rrëzimit të bustit të Stalinit në qytetin e Shkodrës?
Me sa di unë, idenë për rrëzimin e bustit të Stalinit në qytetin e Shkodrës e kanë hedhur fillimisht, Dedë Kasneci me Rin Monajkën. Ata të dy janë takuar me njëri tjetrin dhe kanë bisedur gjatë për atë gjë, që në pasditen e datës 10 janar të vitit 1990, pra vetëm tre ditë para se populli i Shkodrës të zhvillonte demostratën e heshtur para monumentit të Stalinit që ndodhej në lulishten ku sot është monumenti i Luigj Gurakuqit.
Pas asaj bisede, si vepruan Deda me Rinin për ta realizuar atë gjë dhe me kë biseduan tjetër?
Në paraditen e datës 11 janar, pra të nesërmen e asaj bisede, Rin Monajka, të cilin unë e kisha shok të ngushtë, erdhi dhe më takoi mua aty në lagjen Serreq dhe më tregoi për bisedën që kishte bërë me Dedën një ditë më parë. Pas kësaj ai më tha se atë ditë, pra më 11 janar, do të zhvillohej një demostratë e heshtur në qendër të qytetit të Shkodrës në shenjë proteste për heqjen e bustit të Stalinit dhe më porositi që të mblidhja sa më shumë njerëz për t’i sjellë në atë tubim proteste.
Si iu përgjigjët ju thirrjes që ju bëri Rin Monajka?
Unë i shpreha menjëherë gatishmërinë time Rin Monajkës dhe e pyeta në se ishte e sigurtë se do të bëhej ajo demostratë dhe ai më tha: “Do të bëhet pa tjetër, sepse atë gjë e kanë dhënë edhe disa stacione televizive italiane, por mundohu që të sjellësh sa më shumë persona nga lagjja Serreq.
Pas bisedës me Rin Monajkën, a mblodhët njerëz dhe a shkuat ju në qendër të qytetit të Shkodrës ku thuhej se do bëhej demostrata e heshtur?
Fill pas bisedës me Rinin, unë shkova në lagjen time Serreq dhe për 30 minuta mblodha rreth 100 vetë dhe bashkë me ta dolëm menjeherë në qendër të qytetit aty ku ndodhej busti i Stalinit.
A kishte njerëz të tjerë aty në shesh?
Aty kemi gjetur fare pak njerëz dhe midis tyre ishin edhe Dedë Kasneci me Flamur Elbasanin. Prania e atyre fare pak njerëzve në shesh, lidhej me faktin se fjalët që qarkullonin kudo në qytetin e Shkodrës për rrëzimin e bustit të Stalinit, kishin rënë edhe në veshin e Sigurimit të Shtetit dhe për të parandaluar ndonjë të papritur, ishte dhënë urdhër nga lart që data e 11 janarit, si festë zyrtare, të ishte ditë pushimi. Pra kjo ishte dhe arsyeja që paraditen e 11 janarit, e cila shënoi dhe fillimin e revoltës së heshtur për rrëzimin e bustit të Stalinit, aty në shesh kishe fare pak njerëz.
Çfarë biseduat me dy shokët tuaj, Kasnecin dhe Elbasanin aty në shesh?
Sapo u takova me Dedën e Flamurin, filluam të bisedonim me njëri-tjetrin sesi mund ta hidhnim në erë monumentin e Stalinit. Pasi biseduam për rreth 10-15 minuta, unë u spostova pak që aty dhe u afrova deri tek Kafja e Madhe, ku u takova me Pjerin Dedën dhe Bik Denikun. Atyre u thashë që të mos largoheshin prej aty pasi do hidhnim në erë bustin e Stalinit. Pas kësaj unë u ktheva përsëri aty ku ishin Deda me Flamurin dhe u ndamë me njëri-tjetrin duke e lënë që bustin ta rrëzonim me datën 14 janar”.
Para se të ndaheshit, a bëtë plane se si do ta rrëzonit bustin?
Patjetër, ne bëmë plane konkrete duke vendosur për gjithçka sesi do të vepronim deri më datën 14 janar që do të rrëzonim bustin. Por në parantezë desha të tregoj se në atë kohë që unë kam qenë duke biseduar me Dedë Kasnecin e Flamur Elbasanin, pra në paraditen e 11 janarit, në qytetin e Shkodrës kishte ardhur nga Tirana ambasadori gjerman, i cili ishte takuar dhe kishte biseduar me shokun tonë, Rin Monajkën.
Ku dhe si ishte zhvilluar ky takim mes tyre…?
Takimi ishte bërë në mes të qytetit dhe ishte parë prej dhjetëra vetësh që ndodheshin rastësisht në atë moment aty në piacë.
Kush ishte Rin Monajka dhe çfarë bisede u zhvillua në mes tij e ambasadorit gjerman?
Rin Monajka ishte lindur dhe rritur në qytetin e Shkodrës. Ai ishte një djalë i ri, tepër i kulturuar dhe shumë inteligjent nga natyra. Rini nuk ishte shumë i shkolluar, por në mënyrë autodidakte ai kishte mësuar prej vitesh dhe në atë kohë njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja. Një nga gjuhët që ai njihte më mirë ishte gjermanishtja dhe në mos gaboj, ajo gjë lidhej me faktin se nga të parët e tij, ai kishte një lidhje gjaku me Austrinë. Pra nisur edhe nga fakti se Rin Monajka e njihte mirë gjermanishten, ai shfrytëzoi momentin kur ambasadori gjerman po shëtiste ngadalë me makinën e tij në rrugët kryesore të qendrës së Shkodrës dhe i ka dalë përpara atij. Në atë kohë ambasadori gjerman e ka ndaluar makinën dhe ka ulur xhamin duke biseduar për dy-tre minuta me Rinin.
Çfarë biseduan…?!
Biseda e shkurtër në mes tij dhe ambasadorit gjerman, ishte bërë për bustin e Stalinit dhe diplomati i huaj i kishte thënë: “Hë! Çfarë prisni më?” Të gjitha këto që po u them, na i tregoi vetë Rini më vonë dhe ai ishte shumë i gëzuar për takimin që kishte pasur me ambasadorin gjerman.
Pak më lart u shprehët se para se të ndaheshit me Dedë Kasnecin e Flamur Elbasanin, bëtë plane sesi do të vepronit për rrëzimin e bustit më 14 janar. Më konkretisht çfarë synonin planet tuaja?
Pika e parë e planit tonë ishte që deri më datën 14 janar ne të shkonim në çdo lagje dhe qendër pune për të bërë propagandë që atë ditë të mblidheshin sa më shumë njerëz në shesh. Po kështu një nga pikat e tjera jo më pak të rëndësishme ishte dhe ajo e gjetjes së një personi, mundësisht intelektual i njohur, i cili do të mbante një fjalim të shkurtër para bustit, para se ai të hidhej në erë. Këto ishin dy nga pikat më kryesore që biseduam fillimisht dhe çdo gjë tjetër që do të na dilte, ne do i bisedonim në takimet e shpeshta që do bënim ato ditë, deri më datën 14 janar.
Sipas planit tuaj, a morët kontakt me ndonjë nga intelektualët shkodranë që do të mbante fjalimin para rrëzimit të bustit?
Fillimisht morëm kontakte me disa intelektualë që mendonim se do të ishin të gatshëm për kërkesën tonë, por ajo gjë pothuaj ishte e pamundur dhe nuk e mori njeri përsipër. Ishte më se normale, po të kemi parasysh se bëhet fjalë për janarin e vitit 1990-të, kur akoma regjimi komunist ishte i fortë dhe nuk kishin filluar ende ngjarjet e ambasadave, ardhja e Perez De Kuelarit në Shqipëri, apo ngjarje të tjera që pasuan më vonë. Pra, desha të them se në atë kohë nuk ishte fort e kollajtë të merrje përsipër që të dilje para popullit në qendër të Shkodrës dhe të flisje kundër politikës zyrtare. Ajo ishte njëlloj sikur të shkoje me këmbët e tua në burg.
A mund të na thoni ndonjë nga intelektualët shkodranë që i propozuat në atë kohë për mbajtjen e fjalimit para hedhjes në erë të bustit të Stalinit?
Nuk dua të përmënd emra, por njëri prej tyre është miku im, Dom Simon Jubani me të cilin biseduam gjatë. Dom Simoni na tha: “Unë jam klerik dhe nuk më lejohet që të vij në atë protestë e të merrem me politikë. Po të doni jam i gatshëm që të vij në çdo tubim dhe të flas e të protestojmë për lejimin e fesë, hapjen e kishave e objekteve të tjera të kultit. Duhet të kemi parasysh se Dom Simoni kishte bërë një dynja burg, sa as ai vetë nuk i mbante mënd, duke qenë dhe një nga heronjtë e rezistencës antikomuniste në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës i deklaruar hapur si kundërshtar dhe armik i atij sistemi!
Pas refuzimeve që patët, si vendosët më pas, kush do ta mbante fjalën para rrëzimit të bustit?
Pas disa kontakteve që patëm me intelektualë të ndryshëm të qytetit tonë, na e mori pësipër një djalë i ri i quajtur Kolec Kublina. Ai ishte një djalë shumë i zgjuar dhe me kulturë e që nuk e donte fare regjimin komunist në fuqi. Koleci e mori përsipër që të lexonte një letër para gjithë popullit.
Përveç Dedë Kasnecit, Flamur Elbasanit, Rin Monajkës e juve personalisht, kush ishin personat e tjerë që u morën me organizimin e demostratës që do të zhvillohej më 14 janar për rrëzimin e bustit të Stalinit?
Përveç nesh ishin dhe dy vëllezërit Haxhi, Ndoc Liqejza, Gjovalin Ralba, Viktor Martini, Nikolin Thana, Tonin Dema, Nikolin Margjini, Bac Bilali, Ylli Gërshana, Klaudio Daka, Aldo Perizi, dy vëllezërit Alibali, një djal i Guciajve, e shoqja e Tef Curranit, Huana Kraja, e motra e Vera Omarit etj., që për momentin nuk ua kujtoj dot emrat.
Zoti Gjergj, si rrodhën ngjarjet pas paradites së 11 janarit ku në shesh ishin fare pak njerëz?
Në pasditen e 11 janarit, unë u takova përsëri me Dedë Kasnecin, Rin Monajkën, Flamur Elbasanin e me disa shokë të tjerë dhe biseduam gjatë lidhur me mbajtjen e demostratës në paraditen e 14 janarit ku mendonim të hidhnim në erë bustin e Stalinit. Pas atij takimi ku ne ndamë detyrat me njëri-tjetrin, u shpërndamë nëpër lagjet tona ku bënim propaganda, duke u thënë të gjithë njerëzve që takonim se: më datën 14 janar, duhet të dilnin në sheshin kryesor të qytetit”.
Sa takime bënit në ditë, ku i zhvillonit ato dhe a kishit frikë se mos ndiqeshit dhe survejoheshit nga Sigurimi i Shtetit?
Ne takoheshim katër-pesë herë në ditë dhe takimet i zhvillonim nëpër disa lokale të qytetit tonë, kryesisht në lagjen Serreq, pasi për vetë përbërjen e banorëve të saj, me njerëz që ishin të deklaruar kundër atij regjimi, ne ndjeheshim më të sigurtë.
Po në lagjet e tjera…?
Përveç lagjes Serreq, ne takoheshim edhe në piacë. Ndërsa për atë që pyetët, nëse kishim frikë se ndiqeshim nga Sigurimi, me thënë të drejtën ato ditë ne nuk pyesnim shumë, pasi na kishte shkuar thika në palcë dhe thirrjet e lajmërimet për të dalë në demostratë, ne i bënim fare hapur pa pasur frikë se mund të na ndiqte dhe survejonte Sigurimi. Të paktën mua personalisht në atë kohë më ishte krijuar bindja e plotë, se ai sistem nuk e kishte shumë të gjatë. Dhe bindjen time nuk nguroja ta shprehja hapur vend e pavend duke thënë: “Kanë mbaruar këta horra, nuk e kanë të gjatë”.
Po për ardhjen e ambasadorit gjerman në qytetin e Shkodrës dhe takimin e shkurtër që ai kishte bërë me Rin Monajkën, a kishte dijeni Sigurimi i Shtetit?
Me siguri që Sigurimi i Shtetit kishte dijeni për ardhjen e ambasadorit gjerman dhe takimin e tij me Rin Monajkën në qendër të piacës, pasi është i njohur fakti që asokohe të gjithë diplomatët e huaj që ishin të akredituar në Tiranë, ndiqeshin nga një repart special i Ministrisë së Brendshme, që sapo dilnin nga ambasada e tyre apo rezidenca e banimit.
Faktikisht, grupi juaj që po merrej me organizimin e demostratës së 14 janarit, a kishte rënë në sy të Sigurimit dhe a ndiqej prej tij?
Patjetër që Sigurimi kishte rënë në gjurmët tona dhe na ndiqte kudo, por si duket ata nuk na arrestuan që në fillim, pasi kërkonin të zbulonin të gjithë pjestarët e grupit dhe të mësonin se çfarë kishim vendosur ne për të bërë. Për këtë gjë në qytetin e Shkodrës kishte ardhur vetë nga Tirana, zv/Ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, i cili njëkohësisht ishte dhe në funksionin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit.
Si e kishit mësuar ju praninë e Zylyftar Ramizit në qytetin e Shkodrës, ato ditë?
Unë kam kontaktuar vetë me zv/Ministrin e Brendshëm dhe kur e kujtoj tashti takimin tim të rastësishëm me Zylyftar Ramizin në një nga lokalet e Shkodrës në paraditen e 13 janarit, sinqerisht më vjen për të qeshur me ato që unë i thashë atij dhe po t’ua tregoj, do t’ju duken të pavërteta.
Si ndodhi ai takim dhe çfarë i thatë Ju Zylyftar Ramizit?
Atë ditë, pra aty nga paraditja e 13 janarit, unë së bashku me shokun tim, Nikolin Thanën, (ish-futbollist i Vllaznisë, dhe pas viteve ’90-të oficer i lartë në Ministrinë e Rendit), shkuam në një lokal (që sot nuk ekziston më pasi është prishur) dhe aty takuam disa nga shokët tanë të cilët i lajmëruam që të dilnin në demostratë të nesërmen më 14 janar. Po kështu, përveç tyre, këdo që ne takonim, të njohur dhe të panjohur, u thonim që të mos mungonin të nesërmen në demostratë. Atë unë ia thashë edhe Zylyftar Ramizit, i cili ishte mbështetur në banakun e atij lokali ku hymë ne, duke pirë një kafe a konjak. Ai kishte vënë një kasketë në kokë dhe krejt i qetë dëgjonte se çfarë bisedohej aty.
Faktikisht, a e njihnit ju Zylyftar Ramizin?
Jo vetëm unë që nuk e njihja, por besoj se ishin të paktë në Shkodër personat që mund ta njihnin atë.
Çfarë i thatë Zylyftar Ramizit dhe si iu përgjigj ai?
Unë iu drejtova atij, njëlloj si gjithë të tjerëve, duke i thënë që të nesërmen të mos mungonte në demostratë. Pas atyre fjalëve, ai u frikësua dhe doli menjëherë jashtë lokalit pa më thënë asnjë fjalë.
A dyshuat ju tek ai njeri, dhe kur e mësuat se personi që i kishit kërkuar të dilte në demostratë ishte vetë zv/Ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht Drejtori i Sigurimit të Shtetit?
Me thënë të drejtën, nga qëndrimi dhe paraqitja e jashtme e tij, unë nuk krijova asnjë dyshim, duke menduar se ai do të ishte thjesht ndonjë nga ata komunistët fanatikë që kishin kontakte të rregullta me Degën e Brendëshme dhe kurrsesi nuk më shkonte mëndja, se ai ishte vetë Drejtori i Sigurimit të Shtetit, i tmerrshmi Zylyftar Ramizi.
Kur e mësuat se me kë kishit të bënit?
Atë gjë, unë e mësova vetëm disa orë më vonë, d.m.th. në orët e vona të mesnatës duke u gdhirë 14 janari, kur forca të shumta speciale të ardhura apostafat nga Tirana, së bashku me ato të Degës së Brendshme të Shkodrës, erdhën në shtëpinë time dhe më arrestuan.
Para se t’ju pyesim për arrestimin tuaj, deshëm të dinim se çfarë përgatitjesh bëtë në datën 13 janar, për demostratën që kishit vendosur të bënit të nesërmen, më 14 janar?
Në pasditen e 13 janarit, ne bëmë një tufë letrash me parulla antikomuniste kundër regjimit dhe ato i shpërndamë në lagjen Parrucë. Atë e bëmë me qëllim që t’i tërhiqnim vëmëndjen edhe banorëve të asaj lagje, ku mendonim që nuk do të kishim ndonjë mbështetje të madhe për daljen në demostratë.
Kush i shkroi ato parulla dhe kush i shpërndau ato?
Nuk e mbaj mënd se kush u mor me shkrimin e atyre parullave dhe shpërndarjen e tyre, pasi me përgatitjen e tyre u morën vëllezërit Martini me Ndoc Liqejzën.
Përveç shpërndarjes së atyre parullave në lagjen Parrucë, çfarë bëtë tjetër në datën 13 janar, lidhur me organizimin e demostratës që të zhvillonit të nesërmen?
Përveç parullave që shpërndamë, ne vazhdonim të bënim thirrje dhe lajmërime në çdo lagje dhe qendër pune, që askush të mos mungonte në shesh në datën 14 janar. Po kështu ne kishim gjetur dhe personin që do mbante një fjalim të shkurtër para bustit të Stalinit, i cili siç ju thashë, ishte Kolec Kublina. Pra, me pak fjalë, ne pothuaj i kishim marrë të gjitha masat për zhvillimin e demostratës dhe mezi prisnim që të zbardhte dita e të dilnim në shesh. Por fatkeqësisht, siç ju thashë, dëshira jonë e madhe për të qenë prezent në atë demostratë proteste nuk u realizua, pasi pjesa më e madhe e personave që ishim marrë me organizimin e demostratës, u arrestuam nga Sigurimi i Shtetit në orët e vona të natës duke gdhirë data 14 janar.
Më konkretisht, si ndodhi arrestimi juaj?
Aty nga mesnata e 14 janarit, forca të shumta të Degës së Brendshme të Shkodrës dhe ato Speciale të ardhura apostafat nga Tirana, kishin rrethuar shtëpinë time aty në lagjen Serreq. Disa prej tyre, së bashku me operativin e lagjes sonë, erdhën e trokitën në derë duke më thënë që të shkoja me ta në Degë sa për një sqarim, shkova menjëherë pas tyre deri në Degë, duke e bërë rrugën në këmbë, pasi shtëpia ime nuk ishte shumë larg saj”.
Me kë u përballët në Degën e Brendshme dhe çfarë ju thanë atje?
Sapo më futën në ambjentet e Degës, më vunë menjëherë prangat dhe më çuan në zyrën e Kryetarit, Çapajev Taçi. Përveç Çapajevit, aty në zyrë ndodheshin dhe Zylyftar Ramizi me një nga zv/ministrat e tjerë të Brendshëm të asaj kohe, të cilit momentalisht nuk ia kujtoj dot emrin. Sapo e pashë Zylyftarin, e njoha menjëherë që ai ishte personi që i kisha folur në lokal kur isha bashkë me Nikolin Thanën dhe nisur nga mënyra sesi i rrinin atij të tjerët që ishin aty, krijova menjëherë bindjen se ai ishte më i madhi i tyre. Sapo më futën në atë zyrë, Zylyftar Ramizi m’u drejtua duke më thënë: “Jemi takuar bashkë sot paradite?”
Si iu përgjigjët ju?
Ai më mbante mënd shumë mirë dhe unë as nuk e pranova por as nuk e kundërshtova duke i thënë: “Diku jemi parë”. Pas kësaj ata filluan të më akuzonin duke më thënë: “Ti po bën agjitacion e propagandë për terrorizëm dhe je i shtyrë nga agjenturat e huaja e UDB-ja jugosllave”. Në atë moment, pa e mbaruar mirë fjalën Zylyftar Ramizi, aty, në zyrën e Çapajev Taçit, hynë forcat Speciale që kishin ardhur apostafat nga Tirana. Ata m’u vërsulën menjëherë me shkopij gome, duke më goditur ku të mundnin. Mbaj mënd se që nga ai moment e deri në mëngjez kur zbardhi drita, mua më ka rënë 8 herë të fikët nga goditjet e tyre
Zoti Livadhi, si u zhvilluan ngjarjet më 14 janar, kur ju kishit planifikuar demonstratën?
Unë nuk kam qenë atë ditë ne shesh, pasi siç ju thashë u arrestova nga Sigurimi i Shtetit që në orët e para duke u gdhirë 14 janari. Por se çfarë nodhi atë e kam mësuar më pas nga shokët, kur ishim të arrestuar dhe mbaheshim në qelitë e degës së Brendëshme.
Po përveç jush, kush u arrestua tjetër nga organizatorët kryesorë të asaj demonstrate që pritej të mbahej?
Bashkë me mua u arrestuan edhe Dedë Kasneci me Flamur Elbasanin. Këto ndodhën pasi në datën 13, së bashku me disa shokë, ne shpërndamë në lagjen “Parrucë” disa fletushka me përmbajtje antikomuniste.
Po të nesërmen më 14 janar, ç’ndodhi, si u zhvilluan ngjarjet?
Në paraditen e 14 janarit me mijëra banorë të Shkodrës dolën në shesh, ku forca të shumta të Sigurimit të Shtetit dhe ato speciale të ardhura nga Tirana e kishin rrethuar bustin e Stalinit, duke bërë një gardh me trupat e tyre. Po kështu, në çdo pikë dhe lartësi të qytetit ishin vënë snajpera dhe makinat e policisë lëviznin pa pushim nëpër rrugë. Shkëndijën e parë e dha Ndoc Liqejza, i cili i bëri thirrje të hapur popullit, duke folur me zë të lartë, që të afroheshin dhe të rrëzonin bustin e Stalinit.
Ç’ndodhi pas fjalës së tij?
Pas fjalëve të tij, u bë një zhurmë që, si të thuash, ishte aprovim dhe, në mos gaboj, Ylli Gërshana, qëlloi me një hekur një makinë të policies, duke i thyer një xham.
Çfarë ndodhi pas kësaj, a reagoi Policia e Sigurimi?
Policia e arrestoi menjëherë atë person, duke e futur në makinat e tyre dhe turma lëvizi duke reaguar ndaj arrestimit të tij. Në ato momente njerëzit e Sigurimit dhe policia filluan të hapnin panik, duke thënë se ishin arrestuar 300 persona.
Pas kësaj, a u larguan njerzit…?
Aspak, populli i Shkodrës qëndroi aty në shesh, pa lëvizur fare, deri në orën 13.00 dhe ai ishte shumë i egërsuar e gati për të shpërthyer. Pasi u shpërnda demonstrata, njerëzit e Sigurimit të shtetit dhe Policia filluan arrestimet në masë.
Sa persona u arrestuan?
Arrestimet vazhduan për dhjetë ditë, dhe thuhet se numri i tyre shkoi në rreth 300 veta. Organizatorët kryesorë u izoluan në Degën e Shkodrës, ndërsa të tjerët i nisnin në Tiranë apo qytete të tjera.
Kur u zhvillua gjyqi ndaj jush?
Gjyqi ndaj nesh filloi më 21 maj 1990 dhe ai zgjati 5 ditë. Kryetari i Gjyqit, Sh. M., që më pas u bë ministër i Drejtësisë, për ne organizatorët kryesorë dha dënime deri në 12 vjet burg. Të gjithë ne thamë se ishim të pafajshëm, vetëm Kolec Kublina pranoi se kishte dashur të mbante fjalimin për rrëzimin e bustit të Stalinit. Pas mbarimit të gjyqit, mua dhe Dedë Kasnecin na dërguan në burgun e Sarandës, ku u liruam me të fundit të dënuar politikë, më 31 mars 1991.
Dëshmia e Viktor Martinit, që u izolua nga Sigurimi në Psiqiatrinë e Elbasanit: “Si më torturuan në Degën e Shkodrës, para Çapajev Taçit”
Kush është Viktor Martini?
Viktor Martini u lind në vitin 1940-të në qytetin e Korçës, ndërsa origjina e familjes së tij është nga malësia e Hotit, pjesa e trojeve shqiptare që sot ndodhen nën juridiksionin e Malit të Zi. Babai i Viktorit, Gjush Martini, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarak i Mbretërisë në disa rrethe të vëndit, si në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë etj., ku lindën dhe gjashtë fëmijët e tij: dy vajzat dhe katër djemtë, Paskualini, Angjelini, Viktori dhe Rudolfi.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944, për familjen Martini do të fillonte një kalvar i gjatë vuajtjesh e mundimesh, me burgje, internime dhe punë të rënda. Kështu që në vitin 1946, babai i Viktorit, u arrestua dhe u dënua me dhjetë vite burg, për të vetmin faj, se kishte shërbyer si oficer i Monarkisë së Zogut. Ai nuk doli më i gjallë, pasi vdiq në vitin 1954 gjatë kohës që vuante dënimin në burgun e tmerrshëm të Burrelit.
Për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit komunist, vetëm pak kohë pas arrestimit dhe dënimit të tij, djali i madh i familjes, Paskualini, me motrën e vogël, u arratisën nga Shqipëria dhe përfunduan në republikat e ish-Jugosllavisë. Pak kohë më vonë u arratis nga Shqipëria edhe djali i dytë, Angjelini, ndërsa dy djemtë e tjerë që mbetën në Shqipëri, Viktori me Rudolfin, përkatësisht 15 dhe 13 vjeç, përfunduan burgjeve si të dënuar politik. Po kështu në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës përfunduan edhe Paskuali me Angjelinin, që ndodheshin jashtë Shqipërisë. Paskuali u kthye nga Sigurimi i Shtetit, pasi ishte kapur në telat e klonit me rrymë elektrike në kufirin çekosllovak, ndërsa Angjelini erdhi vetë për të shpëtuar nga pushkatimi vëllanë e tij.
Ndërsa katër djemtë e familjes Martini, Paçi, Lini, Viktori dhe Leri (Rudolfi) dergjeshin burgjeve të regjimit komunist, në shtëpi kishte mbetur vetëm nëna e tyre, një grua heroike e cila punonte në punët më të rënda për të fituar bukën e gojës, e për t’ua çuar fëmijëve të saj që ishin shpërndarë në kampe e burgje. Pas daljes nga burgu i Burrelit ku vuajti për më shumë se shtatë vite, Viktori dhe vëllezërit e tjerë që u liruan disa vjet pas tij, punuan në punët më të rënda të krahut, edhe pse Viktori ishte me një këmbë dhe Lini me një dorë. Në janarin e vitit 1990-të kur në qytetin e Shkodrës u zhvillua demostrata masive për heqjen e bustit të Stalinit, Viktor Martini mori pjesë aktive duke qenë një ndër organizatorët kryesorë të saj.
Ai u arrestua dhe u torturua në mënyrën më barbare nga Sigurimi i Shtetit, duke përfunduar në spitalin e burgut të Tiranës dhe atë Psiqiatrik të Elbasanit.
Me fillimin e proçeseve demokratike në fillimin e viteve ’90-të, Viktori u angazhua tërësisht duke qenë një nga themeluesit e Shoqatës Kombëtare të Përndjekurve Politikë për degën e Shkodrës dhe gjithashtu i gazetës “Pishtari”.
Në vitin 1994 Viktori u largua nga Shqipëria për në SHBA-ës, ku banon dhe aktualisht së bashku me familjen e tij dhe vëllezërit e tjerë. Me rastin e 30 vjetorit të asaj ngjarje, z. Martini i kemi marrë një intervistë të gjatë ekskluzive për Memorie.al, nga e cila kemi shkëputur pjesën që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.
Dëshmia e Viktor Martin
“Ndërsa po bisedoja me Dedë Kasnecin në shtëpinë time, sesi do organizonim demonstratën për heqjen e bustit të Stalinit, zilja e derës na ndërpreu muhabetin. Dola te porta e dallova një person të njohur, që punonte në Degën e Brendshme, i cili tha: ‘Viktor Martinin desha’.
Ndërsa u thashë: ‘Unë jam, po vij sa të vesh xhaketën’, ata më kapën menjëherë prej krahësh dhe më çuan në fundin e rrugës, ku priste mikrobusi, me të cilin me çuan drejt e në zyrën e kryetarit në Degën e Brendshme.
Kur më futën aty, kryetari Naim Lezha më tha: “Në emër të popullit, je i arrestuar”, dhe njëri nga vartësit e tij me të shpejt nxori nga xhepi hekurat e, duke i shtrënguar, më shikonte sikur donte të më përpinte të gjallë.
Fytyra e tij përngjiste me një bishë të uritur.
“Kam bindjen se do të jetë ndonjë keqkuptim e nuk keni arsye të më mbani këtu”, u thashë unë.
“Ta tregojmë ne arsyen”, më tha ai dhe me një shkelm më goditi me sa fuqi kishte këmbën e majtë. Pastaj nga brezi nxori një shkop gome dhe, duke më kërcënuar më tha: “Do të tregosh se çfarë do të bëni nesër ose qumështin e nënës do të të nxjerr”.
“Nuk po ju kuptoj se për çfarë e keni fjalën”, i thashë unë, duke u munduar të mbrohem.
Ndërsa nuk e kisha mbaruar ende fjalën, shkopi i tij i gomës u përplas mbi kurrizin tim, që mbrohej vetëm nga një bluzë e hollë. Pastaj më ulën në një karrige me duar mbrapa dhe ashtu të lidhur me godisnin pa pikë mëshire. Shkopi ngrihej e shkapetej papushim mbi shpatullat e gjoksin tim dhe ai më thoshte: “Hë, do të tregosh apo jo?”.
Pas rreth ndonjë ore torturë, trupi im kishte marrë ngjyrë mavi. Një tjetër i panjohur hyri brenda, u afrua dhe, mbasi më çoi fanellën e kanotierën, dallova ngjyrën mavi të trupit.
“Paske vendosur të vdesësh si hero ëëë?”, qeshi me ironi dhe pastaj shtoi, “Vazhdo, vazhdo…” e doli përsëri nga dera. Me të doli edhe nënkryetari. Pas largimit të tyre, unë mbeta vetëm me atë person të panjohur për mua si shkodran, i cili më detyroi të ngrihesha në këmbë duke më goditur pa mëshirë mbi vithe.
Trupi filloi të më dridhej, por sa vinte dhe nuk i ndieja më dhimbjet si në fillim. Oficerët e Degës filluan të vinin me radhë, për të bërë sehir, dhe njëri prej tyre më tha: “Pse e merr veten në qafë, të gjithë shokët kanë treguar, veç ti jo”?!
Unë iu përgjigja se nuk dija gjë fare për atë punë, por ata vazhduan të më pyesnin se përse e kisha marrë në motorr Dedë Kasnecin.
Ndërkohë që unë u thashë: “Çfarë ka bërë Deda, mos ka vrarë njeri?”, njëri prej sampistëve filloi të më godiste pa mëshirë. Pastaj ai futi duart mbi supet e mi, afër qafës, dhe me thonj filloi të më shkulte mishin.
Më kërcënuan se do të më çonin në morsën e hekurt. Vetë Çapajev Taçi hyri si i tërbuar dhe, duke më vënë revolen në kokë, më tha: “Do t’ju pushkatojmë, nuk e lëshojmë pushtetin në dorë të armiqve”, dhe duke dalë nga dera shtoi: “Kërbaç!”.
Sampisti më goditi me shkop mbas koke. M’u morën mendtë, shikimi më humbi, por nuk rashë. Si nëpër mjegull, dëgjoja thirrjet e sampistit. “Fol, fol”. Më pas më kapën prej krahësh dhe më ulën në karrige. Vendosa të rri si në kllapi, për të pushuar pak e nëpërmjet qerpikëve paksa të hapur mundohesha të shikoja se çfarë ndodhte në dhomë. Naim Lezha u çua nga tavolina, duke marrë një gjilpërë dhe filloi të më ç’pojë trupin, për të parë se mos shtiresha. Nuk e pata të vështirë ta përballoj, se trupi nuk ndiente më dhimbje, ishte enjtur pa masë. Pas më hodhën një kovë ujë në fytyrë, fillova ta marr veten, por shpejt fillova të vjellët.
Më sollën një kovë, më zgjidhën duart e nuk më trazuan më. Dridhesha i tëri dhe shikoja në dysheme ku kishte njolla gjaku. Edhe nga këmba ime vura re se rridhte gjak. Nga ora dhjetë paradite kishim mbetur në dhomë vetëm unë e nënkryetari, i cili herë pas here shikonte orën. Aty rreth orës dymbëdhjetë të darkes, u dëgjua një e buçitur dhe zhurma makinash që dëgjoheshin herë pas here. Dëgjohej zhurmë nëpër korridore. Në orën një e gjysmë më dorëzuan në Hetuesi dhe më përplasën në qeli. E kisha më të lehtë të rrija në këmbë sesa të shtrihesha në dysheme, nga dhimbjet e trupit. Nga ora dhjetë e darkës më çuan në dhomën e hetuesit. Trupi kishte marrë të dridhura dhe dhëmbët më kërcisnin, ca nga dhimbjet e ca nga të ftohtit e janarit. Hetuesi më tha të ulesha në karrike. Pastaj mori disa letra, ndezi zjarrin në stufë dhe filloi të më pyeste se me kë isha takuar ditët e fundit. Unë i numërova disa njerëz, që nuk kishin të bënin me çështjen e demonstratës dhe kur më pyeti për Ded Kasnecin unë i thashë po atë përgjigje që u kisha dhënë edhe të tjerëve. Pas pesë ditësh më nxorrën nga qelia dhe më futën në një ambulancë. Duart m’i shtrënguan tmerrsisht. Pas pak aty sollën Ndoc Liqejzën, Gjovalin Rolben, Pjerin Velin, Paulin Shtjefnin, Gjovalin Zefin.
Dy policë hynë me ne në makinë dhe pas tri orësh e pamë veten në Spitalin e Burgut në Tiranë. Aty na mbajtën për 17 ditë dhe më pas na çuan në Spitalin Psiqiatrik të Elbasanit. Sapo më futën aty, tre sambistë më kapën prej këmbësh e krahësh e më përplasën në vendin ku vizitoheshin të sëmurët, me gjoks poshtë. Njëri prej tyre urdhëroi infermierin: “Shpejt bëji gjilpërën” dhe ai zbatoi urdhrin. Krijova bindjen se kjo gjilpërë ishte vdekjeprurëse. M’u duk e qartë se po na vrisnin pa gjyq dhe do të na groposnin pa shenjë. Gjuha filloi të më trashej e nuk isha në gjendje të komandoja më gjymtyrët. Më kapën prej krahësh dhe më përplasën mbi një krevat në qoshe të një dhome të madhe. Kisha etje, thërrisja me sa fuqi kisha të më sillnin ujë, por askush nuk përgjigjej.
Drejtori i spitalit, nëpërmjet doktor Bashkimit, na kishte lajmëruar se në fund të marsit do të na lironin prej këtij izolimi. Fjala ishte për një urdhër të Ministrisë së Brendshme. Institucioni i psikiatrisë edhe kësaj here, si në shumë raste të tjera, ishte i varur nga Ministria e Brendshme. Ndërkohë kisha lajmëruar Lizën të më sillte rrobat. Në datën 30 mars, Liza e nipi i saj erdhën nga Tirana me shpresë se do të ktheheshim të gjithë bashkë. Por jo. Kur Liza e Mondi ishin paraqitur tek Dr. Bashkimi, shefi i pavionit u kishte thënë se urdhëri qe anulluar direkt nga ministri i Brendshëm. O Zot! Tmerri dhe lotët e Lizës tronditën spitalin dhe tërë ambjentin përreth. Tashmë i kishim humbur shpresat se do të më linin të dilja i gjallë nga ky vend, ku jetonin krijesat e fatkeqësisë…
Në mëngjes të datës 1 prill, rreth orës nëntë paradite, doktor Bashkimi na thirri në dhomën e tij dhe na tha se ishim të lirë e mund të iknim në shtëpitë tona. U gëzova ma masë…Pasi u veshëm me rrobat tona, morëm rrugën për në qendër. Shkova në postë dhe lajmërova të më prisnin në darkë te treni….
Te treni në Shkodër më priti Mondi, nipi i Lizës. Megjithëse në diferencë moshe me Mondin, ai u gëzua pa masë nga kthimi im i papritur.
Lerit ende nuk i ishin shëruar plagët e torturave të natës së 13 janarit, në të cilat kishte marrë pjesë vet ministri i Brendshëm…
Por qyteti kishte marrë pamje të trishtuar, njerëzit mblidheshin herët në shtëpi. Jashtë nëpër rrugët e Shkodrës kishte rënë një heshtje si në shkretëtirë. Vetëm këpucët ushtarake dëgjoheshin natën nëpër trotuare e rrugica…/Memorie.al