Prof. Ksenofon KRISAFI
Pushtimi fashist italian shënoi pezullimin e përkohshëm të ekzistencës së shtetit shqiptar si subjekt normal i së drejtës ndërkombëtare si dhe ndërprerjen e veprimtarisë së qeverisë që u ndodh në krye të vendit në atë kohë. Asnjë prej qeverive kuislinge që u instaluan në vend nga pushtuesit italianë dhe gjermanë nuk e kërkoi dhe nuk e mori njohjen ndërkombëtare. Autoritetet italiane, për të maskuar pushtimin e vendit dhe uzurpimin e të gjithë pushteteve në Shqipëri, shpallën kryerjen e disa reformimeve institucionale e ligjore, ndër të cilat edhe krijimin e të ashtuquajturit bashkim personal ose bashkim real italo-shqiptar, për justifikimin teoriko-akademik të të cilave janë përpjekur pa sukses disa studiues italianë, si p.sh. Amadeo Giannini, Baladore Palieri, Francesco Jacomoni, Ferdinando Salleo etj, si edhe ndonjë shqiptar në kuadrin e “rishkrimit” të historisë. Në realitet në këndvështrimin e mirëfilltë juridiko-ndërkombëtar, ai ishte pushtim i zakonshëm, bashkim i dhunshëm hegjemonik, të cilit i mungonte çdo element dualizmi juridiko-institucional nevojë e domosdoshme e këtyre formave juridiko-ndërkombëtare të bashkimit të shteteve.
Situata e pezullimit të personalitetit juridiko-ndërkombëtar vazhdoi gjatë gjithë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Zogu si kryetar shteti formalisht legjitim edhe pse nuk abdikoi, braktisi vendin duke e lënë atë nën pushtimin e huaj. Së bashku me familjen e vet, nisi një udhëtim që mori formën e një vizite turistike në disa vende të Balltikut, në Lituani, Letoni dhe Estoni, “pasi, siç shprehej Geraldinë Apony, në biografinë e vet, shkruar nga Gwen Robins, mbreti donte t’i shikonte këto vende… Mënyra e organzimit të vendeve skandinave e kishte tërhequr gjithmonë tim shoq dhe, duke qenë se ishim shumë afër, vendosëm ta vazhdonim udhëtimin tonë dhe të qëndronim në Suedi.” Megjithë përpjekjet që bëri, nuk u vlerësua i përshtatshëm nga aleatët për ta merituar atë atribut. Në thelb, Londra dhe Uashingtoni e trajtuan si një individ gati të zakonshëm edhe pse nuk munguan asnjëherë dilemat pro dhe kundër. Përmendej fakti që atij i mungonin lidhjet faktike me vendin. Por duket se ky ishte më shumë pretekst, sepse realisht mendohej që njohja e tij mund të krijonte komplikime në raportet me fqinjët. Zogu nuk e mori asnjëherë statusin e qeverisë në mërgim, siç kishte ndodhur me disa vende të tjerë.
Ndërkohë, brenda vendit, në Shqipërinë e pushtuar nga fashistët italianë dhe më vonë ata gjermanë, këta të fundit, sikurse edhe pushtuesit italianë, kishin instaluar qeveri të kryesuara nga bashkëpunëtorë të tyre.
***
Shqipëria midis viteve 1943 dhe 1944, në kohën e pushtimit gjerman të cilësuar “jokonvencional”, u reklamua si shtet i pavarur me emërtimin “Mbretnija Shqiptare”. Gjermania i njohu asaj formalisht një “sovranitet relativ”, të ngjashëm me statusin e njohjes ndërkombëtare që e patën gjatë luftës Kroacia me Sllovakinë. Ajo propagandoi se do të ndërtonte një Shqipëri të pavarur neutrale të kontrolluar nga një qeveri miqësore ndaj gjermanëve.
Duke i konsideruar gjithë këto veprime si përpjekje për të mbuluar me aparenca juridike pushtimin nga okupatorët, forcat e mirëfillta patriotike, të shqetësuara realisht për fatet e të ardhmes politike të vendit, nisën tentativat e para për ndërtimin e autoriteteve drejtuese që të përfaqësonin realisht vullnetin autentik të shqiptarëve ose të shumicës së tyre. Fillimisht ato u formalizuan në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1942, vazhduan me Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare, në Labinot, në shtator 1943, me Kongresin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar në Përmet, në maj 1944 dhe me Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, në Berat në tetor 1944, ku Komiteti Antifashist u shndërrua në Qeveri Demokratike Provizore. Qeveria mori përsipër vazhdimin e luftës për çlirimin e Shqipërisë, ruajtjen e pavarësisë, forcimin e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin me Aleatët e Mëdhenj dhe pjesëmarrësit e tjerë të koalicionit antifashist. Ajo mori përsipër gjithashtu organizimin pas çlirimit të zgjedhjeve demokratike për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të përcaktonte formën e regjimit dhe do të hartonte Kushtetutën e shtetit të ri.
Këto arritje të rëndësishme institucionale dhe politike, rezultat i Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) të zhvilluar gjatë viteve 1939-1944, u kurorëzuan me çlirimin e vendit më 29 nëntor 1944 dhe vendosjen e një regjimi të ri politik.
Autoritetet që erdhën në krye pas çlirimit vepruan për rimëkëmbjen e shtetit dhe strukturave të tij, si dhe për organizimin e jetës në të gjitha aspektet e politikës së brendshme. Qeveria e përkohshme u angazhua seriozisht edhe për afirmimin ndërkombëtar të Shqipërisë së pasluftës. Nëpërmjet notave verbale dorëzuar përfaqësuesve të Aleatëve të Mëdhenj, ShBA, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, kërkonte njohjen e saj ndërkombëtare. Por nuk pati ndonjë përgjigje të shprehur.
Qendrimet që u mbajtën pas Lufte kundrejt Shqipërisë për njohjen e saj ndërkombëtare si dhe për aspekte të tjera, e patën zanafillën përpara vitit 1945. Aleatët i kishin hedhur idetë e para që nga mezi i vitit 1941 dhe fillimet e 1942, atëhere kur në trojet shqiptare luftohej për liri dhe pavarësi dhe rrjedhimisht edhe për triumfin e kauzës së përbashkët aleate. Në dhjetorin e po atij viti, aleatët morën një nga vendimet më të rëndësishme për statusin e ardhshëm të Shqipërisë. Ishte një vendim publik, i personalizuar, i shpallur në tre deklarata të veçanta, që vinin nga Uashingtoni, Londra dhe Moska, të cilat parashikonin shprehimisht angazhimin për njohjen e pavarësisë.
Amerikanët, britanikët dhe sovjetikët, pasi u konsultuan për përmbajtjen themelore të deklaratave, vlerësuan rreshtimin e shqiptarëve në frontin e përbashkët antifashist, lavdëruan luftën e tyre kundër pushtuesve dhe u shprehën pozitivisht për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë së pasluftës, për njohjen e të drejtës së përcaktimit të formës së qeverisjes dhe zgjedhjen e qeverisë që ata do të dëshironin, në përputhje me parimet e Kartës së Atlantikut.
Megjithatë, nuk mund të mos vihet në dukje fakti që në korrespondencën ndërmjet Uashingtonit dhe Londrës për çështjet që kishin të bënin me qëndrimin ndaj Shqipërisë së pasluftës, dallohet një kujdes skrupuloz për redaktimin konkret të asaj që do të shpallej në publik. Kujdeseshin që deklarimet të shpreheshin me fjalor dhe stil të kalkuluar, me qëllim që kuptimi i emërtimit, karakterit dhe përmasës së marrëdhënieve që do të vendoseshin me Shqipërinë, të mbeteshin relative dhe jo angazhuese. Kujdesi vihej re që te përzgjedhja e fjalëve që do të përdoreshin si cilësim ndaj atyre që ndodheshin në krye të vendit, duke i etiketuar ata thjesht “autoritete shqiptare”, “autoritete ekzistuese”, “autoritete kontrolluese”, “regjimi aktual shqiptar”, “regjimi shqiptar”, “regjimi i Hoxhës” etj. Bëhej me qëllim që këto emërtime, në çdo lloj interpretimi që mund t’iu bëhej dhe në çdo kontekst që të vendoseshin, të mos linin kurrsesi të kuptohej se bëhej fjalë për njohje qeverie.
Dallohet një idenditet qëndrimesh, një përputhje gati e plotë midis Departamentit të Shtetit dhe Forin Ofisit, në mos për të gjithë aspektet e qëndrimit ndaj Shqipërisë, së paku për çështjet themelore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Moskën. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe do të viheshin re jo më nuanca, por dallime të dukshme.
***
Aleatët dëshironin që në Shqipërinë e pasluftës të vendosej një sistem demokratik pluralist, që do të përbëhej nga përfaqësues të të gjitha forcave politike në vend, dhe jo një sistem monopartiak. Por, rreshtimi i disa prej eksponentëve të forcave nacionaliste përkrah pushtuesve i diskreditoi dhe i damkosi me vulën e kolaboracionizmit duke vënë në vështirësi edhe aleatët. Ndërsa Ushtria Nacionalçlirimtare zhvilloi luftë pa kompromis, pa asnjë lëkundje kundër ushtrive të boshtit nazi-fashist dhe kontribuoi modestisht në kauzën e madhe ndëraleate të gjunjëzimit të fashizmit. Prandaj raportet e lëvizjes nacional-çlirimtare shqiptare me faktorin ndërkombëtar, në kohën për të cilën po flasim, karakterizohen nga lidhjet e atyre që bënin luftën në Shqipëri, me ata që përballuan luftën në planin ndërkombëtar, më konkretisht, frontit antifashist nacional-çlirimtar shqiptar me strukturat politiko-organizative të koalicionit antifashist të popujve. Këto lidhje u institucionalizuan me raportet zyrtare që Fronti Antifashist Nacional-çlirimtar Shqiptar vendosi me shtabin ndëraleat në Bari të Italisë, që mund të përkufizohen si njohje juridiko-ndërkombëtare de facto e kësaj lufte.
Duket se në këtë kohë ishte maturuar mjaftueshëm mendimi për akordimin e njohjes regjimit politik në Shqipëri dhe po punohej për përballimin e disa çështjeve me karakter parimor si dhe përcaktimin e modaliteteve praktike. Pas një studimi gati tremujor që ishte ndërmarrë nga Jacobs në Shqipëri, lidhur me situatën reale në vend, ai kishte përgatitur një raport, i cili iu drejtohej tre qeverive aleate. Konkluzioni i tij ishte se tre qeveritë janë të gatshme t’iu shprehin autoriteteve shqiptare, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, dëshirën për të vendosur marrëdhënie diplomatike me to, me cilësinë e një qeverie të përkohshme, me kusht që qeveria shqiptare të angazhohet për t’i zhvilluar zgjedhjet e pritshme në përputhje me parimet e përcaktuara në Deklaratën e Krimesë për Europën e Lirë. Uashingtoni vinte si kusht që gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të lira të lejohej prania e përfaqësuesve të huaj gjatë votimit, të mos përdoreshin gjyqet ndaj kriminelëve të luftës për qëllime politike, të refuzohej çdo propozim për bashkim federativ me Jugosllavinë dhe/ose Bullgarinë. Qeveria shqiptare duhet të konfirmonte gjithashtu gatishmërinë për të njohur vlefshmërinë e marrëveshjeve shqiptaro-amerikane të paraluftës, në zbatim të parimeve pacta sunt servanda dhe suksedimit të shteteve, si dhe të mbajnë parasysh qëndrimin e Forin Ofisit se dhënia e njohjes nuk duhet të interpretohet si konfirmim i kufijve ekzistues, të cilat, sipas qëndrimit amerikan, duke qënë probleme me karakter territorial dhe ndërkombëtar, do të duhet të lihen për trajtim nga një zgjidhje e përgjithshme paqësore.
Një ndikim të padyshimtë pozitiv në ndërmarrjen e hapave të projektuara do të kishte pohimi i sekretarit amerikan të shtetit James Francis Byrnes, në telegramin që i drejtonte ambasadorit Harriman në Moskë, në tetorin e 1945. Përcaktimi i tij ishte konkretizim besnik i kritereve bazë që parashikon e drejta ndërkombëtare në përkufizimin e njohjes së qeverisë.
Byrnes pohonte një realitet të pakontestueshëm, kur thoshte se akordimi i njohjes për regjimin aktual në Shqipëri, të konsideruar si qeveri provizore, bëhej për shkak se gëzonte një mbështetje të madhe popullore, më shumë se sa çdo grup tjetër i opozitës ose kombinim grupesh të tilla, kishte një kontroll efektiv në të gjithë vendin dhe jepte provat e aftësive për të marrë përsipër dhe për të realizuar funksionet e një qeverie si dhe jepte shpresa se do të plotësonte detyrimet ndërkombëtare. Regjimi aktual, i cili u ngrit nga një Lëvizje e rezistencës efektive proaleate, ka dëshmuar inisiativë dhe energji për problemet që kanë të bëjnë me rindërtimin dhe duket vërtetë se dëshiron përmirësimin e mirëqenies së popullit shqiptar.
Njohja nuk duhej të pengonte as të paragjykonte ushtrimin e të drejtës së popullit shqiptar për zgjedhur formën e qeverisë që ai dëshironte, e drejtë e afirmuar në mënyrë të përsëritur në dokumente të tilla si Karta e Atllantikut, Deklarata e Krimesë për Europën e Lirë dhe në mënyrë të veçantë deklaratat e ministrave të jashtëm të Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe SHBA, të dhjetorit 1942.
Duke trajtuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira, që përmendej si kushti i parë i panegociueshëm për njohjen e qeverisë shqiptare, Sekretari i Shtetit, shpjegonte se zgjedhjet duhet të zhvilloheshin në liri të plotë pa ushtruar asnjëlloj forme frike, shtrëngimi ose intimidimi, të gjithë individët ose grupet antifashiste në Shqipëri duhet të gëzonin lirinë e fjalës dhe të shprehjes si dhe lirinë e paraqitjes së kandidatëve të tyre. Ato duhet të kishin mbështetjen e njerëzve me të gjitha mjetet ligjore dhe të rregullta, zgjedhjet duhet të ishin me votim të fshehtë, duke garantuar lirinë e shtypit dhe lejimin e korrespondentëve të huaj për të hyrë në Shqipëri, për të vëzhguar dhe për të raportuar lirisht zgjedhjet për në asamblenë Kushtetuese dhe punën e saj në vazhdim. Aleatët e mëdhenj do t’i pranonin ose jo rezultatet e zgjedhjeve në varësi të plotësimit të kushteve të vendosura.
***
Qeveritë e Aleatëve të Mëdhenj besonin se aksioni për njohjen e një qeverie shqiptare duhet të ndërmerrej në një moment sa më të shpejtë që të ishte e mundur si shprehje drejtësie ndaj popullit shqiptar, që ka vuajtur gjatë, ka luftuar shumë për lirinë e vet dhe ka duruar një status anormal për rreth 6 vjet. Çdo zgjatje e afatit për dhënien e njohjes do të kishte vetëm efekte dekurajuese për unitetin e shqiptarëve, duke zhvendosur vëmendjen e autoriteteve aktuale nga problemet e ngutshme të rindërtimit të brendshëm dhe duke e penguar atë nga e drejta e ligjshme e rifitimit të përfaqësimit të saj në bashkësinë ndërkombëtare. Për më tepër vazhdimi i pasigurisë aktuale në lidhje me statusin e Shqipërisë do të rrezikonte pavarësinë e saj, për të cilën ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe SHBA, nëpërmjet deklaratave të tyre të dhjetorit 1942, kanë shprehur pa ekuivok dëshirën e tyre për ta parë atë të restauruar dhe do ta bënte akoma më të vështirë rikthimin në marrëdhëniet normale paqësore ndërmjet shteteve të Ballkanit.
Sekretari i shtetit Byrnes iu sugjeronte homologëve të tij në Moskë dhe në Londër që, nëse do të binin dakord me propozimet e tij, të njoftohej në një datë sa më të shpejtë, nga të tre njëkohësisht Gjeneral Hoxha, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Shqipëri për vendimin e qeverive Aleate për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin aktual shqiptar si qeveri e përkohshme e Shqipërisë, duke nënkuptuar se qeveria nga ana e vet do të angazhohej t’i mbante zgjedhjet në përputhje me parimet dhe procedurat e përmendura.
Bën përshtypje fakti se Aleatët tregonin interes që njohja e qeverisë shqiptare prej tyre të kryhej përpara datës 2 dhjetor që ishte caktuar për zhvillimin e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, me qëllim që të përdorej gjatë fushatës elektorale.
Ishte ky një vlerësim shumë pozitiv për autoritetet shqiptare dhe arritjet e tyre, të vlerësuara objektivisht nga Fuqitë Aleate, por deri atëhere të pashprehura në publik.
Qeveria britanike, duke qënë në të njëjtën “gjatësi vale”, përsëriste rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe respektimin e standardeve demokratike etj. Por, e afishuar haptas si protektore e interesave greke, përmendte gati në çdo rast çështjen e kufijve të Shqipërisë, pa harruar të theksonte se akordimi i njohjes regjimit të Tiranës, nuk duhet të interpretohej si konfirmim i kufijve me Greqinë etj. Ishte bërë e qartë përkrahja e tyre e hapur ndaj pretendimeve territoriale të qarqeve ekstremiste greke ndaj Shqipërisë. Lind pyetja se përse anglezët mbanin këtë qëndrim diskriminues ndaj shqiptarëve dhe në favor të grekëve. Ka shumë të ngjarë që Britania e Madhe prirej jo vetëm nga simpati politike tradicionale përkundrejt Greqisë, por edhe nga synimi që ta largonte Greqinë nga rivendikimet ndaj Qipros, të cilën donte të vazhdonte ta mbante nën ndikimin e vet. Si kompensim i ofronte përkrahjen e rivendikimeve drejt veriut, në territoret shqiptare.
Britanikët do të vazhdonin ta përpunonin qëndrimin e vet për t’i dhënë Athinës sa më shumë garanci. Në një telegram që ambasadori amerikan në Londër, Vinant (John Gilbert Winant), i drejtonte Sekretarit të Shtetit në Uashington më 23 tetor 1945, përcillte letrën e Forin Ofisit të datës 21 tetor 1945. Aty konfirmohej se qeveria britanike kishte rënë dakord që akordimi i njohjes për qeverinë shqiptare të bëhej nëpërmjet dërgimit të notave te E.Hoxha, të cilat duhet t’i dorëzoheshin atij njëkohësisht nga përfaqësuesit e tyre në Tiranë. Në vijim shfaqej bindja se as qeveria shqiptare dhe as zgjedhjet nuk do të ishin demokratike në sensin që ato kuptohen në SHBA dhe në Britaninë e Madhe. Por, sidoqoftë mendohej se njohja do ta detyronte Enver Hoxhen që të mbante premtimet që kishte dhënë për lirinë e zgjedhjeve dhe çështjet e tjera. Dhe ajo çka rithekson sërish pozicionin e hapur progrek të Londrës, ishte paragrafi që përmbyllte letrën e Forin Ofisit, ku thuhej: “Kam frikë se vendimi për të njohur qeverinë shqiptare do të pritet shumë keq në Greqi, ku do të interpretohet sikur nënkupton që ne, tre qeveritë, kemi vendosur të mos mbështesim pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë. Prandaj, ne sugjerojmë që qeveria greke të informohet paraprakisht duke i bërë të qartë se njohja nuk paragjykon aspak zgjidhjen e ardhshme të çështjeve territoriale ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Do të ishte e dëshirueshme që kjo e fundit të bëhej e qartë publikisht në kohën kur do të njoftohej njohja.”
Për njohjen e qeverisë shqiptare Uashingtoni, Londra dhe Moska punonin paralel edhe me palën franceze, e cila, siç thuhej, ishte e gatshme dhe e “përgatitur për ta njohur regjimin aktual në Shqipëri pa kurfarë rezerve.”
Fuqitë Aleate kishin menduar të vepronin në mënyrë të harmonizuar për njohjen e qeverisë shqiptare. Ishte rënë dakord që notat e njohjes do t’i dorëzonin përfaqësuesit e tyre në Tiranë, në të njëjtën datë, më 10 nëntor 1945. Por, atë ditë kryeministrit shqiptar iu dorëzua vetëm nota e qeverisë sovjetike, e cila konfirmonte se e njihte qeverinë shqiptare të dalë pas lufte. Ajo u pasua nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike si dhe nga shkëmbimi i përfaqësuesve zyrtarë në rangun e ministrit fuqiplotë.
Ditën që u njoftua njohja nga qeveria sovjetike, kryetari i misionit ushtark anglez dhe zv.kryetari i misionit diplomatik të SHBA-së, i kërkuan takim kryeministrit, Enver Hoxha dhe e njoftuan se edhe qeveritë e tyre, kishin vendosur gjithashtu ta njihnin qeverinë shqiptare, por aktet përkatëse do të dorëzoheshin më vonë. Kur ato mbërritën u vu re se bëhej fjalë për njohje të kushtëzuar, sepse përsëritej kërkesa që zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, për Asamblenë Kushtetuese të bëheshin të lira.
Qeveria amerikane ritheksonte gjithashtu se priste nga autoritetet shqiptare konfirmimin e vlefshmërisë së traktateve të nënshkruara para 7 prillit 1939.
Tirana i interpretoi ato si përpjekje për ta përdorur njohjen si mjet presioni. Në notën e përgjigjes, me një gjuhë që nuk e fshihte pakënaqësinë, theksonte se liria e zgjedhjeve të dhjetorit do të respektohej rigorozisht dhe kjo pavarësisht nga njohja ose jo e qeverisë. Për kushtin specifik të qeverisë amerikane, deklaronte se ishte gati të negocionte në rrugën e zakonshme diplomatike pas vendosjes së marrëdhënieve normale.
Marrëdhëniet me Anglinë dhe me SHBA nuk u vendosën. Kur u bënë të ditura rezultatet e zgjedhjeve për në asamblenë kushtetuese, u duk se qarqet drejtuese të Anglisë e të SHBA do të merrnin parasysh realitetin e ri shqiptar të pas luftës. Përfaqësuesit e tyre dhe të dërguar të shtypit perëndimor që vëzhguan procesin e zgjedhjeve, pohuan se në përgjithësi ato u zhvilluan në atmosferë normale. Por kërkesën për vlefshmërinë e traktateve të paraluftës qeveria amerikane e ktheu në conditio sine quoi non për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe refuzoi njohjen e qeverisë shqiptare.
Në muajt në vijim u duk se marrëdhëniet me Britaninë e Madhe do të kishin zhvillime optimiste. Qeveria angleze, nëpërmjet ambasadës së vet në Beograd i dorëzoi më 18 maj 1946 legatës shqiptare një notë verbale, me anën e së cilës njoftohej se përfaqësuesi i saj në rang ministri fuqiplotë do të nisej për në Shqipëri. Po atë ditë, disa orë më vonë, ambasada angleze e tërhoqi notën duke sqaruar se ishte e detyruar të kthente prapsht përfaqësuesin e nisur për në Shqipëri, për shkak të një incidenti që kishte ndodhur më 15 maj 1946 në ujrat shqiptare afër bregdetit, përballë Sarandës. Incidenti u pasua nga një tjetër edhe më i rëndë. Ai ndodhi më 22 tetor 1946, sërish në ujrat e gjirit të Sarandës dhe i përkeqësoi edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Incidenti dhe zhvillimet traumatike që shoqëruan raportet ndërmjet dy vendeve u kthyen në pengesë të pakapërcyeshme dhe bllokuan për gati gjysmë shekulli raportet shqiptaro-britanike.
Kur flitet për aleancën e shqiptarëve me Koalicionin Antifashist nuk mund të mos përmendet aleanca që u krijua gjatë Luftës ndërmjet tyre dhe jugosllavëve. Ndikonte posaçërisht në këto raporte së pari qënia e Kosovës në përbërjen e ish-shtetit serbo-kroato-sllove, të shndërruar në ish-Jugosllavi. Mirë apo keq, në atë kohë mund të mendohej se mbajtja e marrëdhënieve të miqësisë midis dy vendeve fqinjë duhet të ndikonte pozitivisht në statusin e ardhshëm dhe gjëndjen e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi.
Nga ana tjetër nuk duhet neglizhuar fakti që Jugosllavia e asaj kohe ishte rreshtuar në krahun e Koalicionit Antifashist dhe me të drejtë mund të mendohej se ky duhet të ishte një faktor pozitiv që duhej shfrytëzuar dhe inkurajuar.
Prandaj në këtë grup pikëpamjesh bën pjesë edhe ajo që për një periudhë kohe glorifikonte maksimalisht lidhjet dhe aleancën me ish-Jugosllavinë, të cilat shkuan deri në formulimin e projekteve për bashkim, madje edhe aneksime territoresh. Por zhvillimet që përshkuan gati tre vjet prej çlirimit e në vijim, bënë që propaganda projugosllave të kthehej tërësisht mbrapsht.
Konsiderata e përgjithshme për vlerat dhe kontributin e aleancës me Koalicionin Antifashist, si faktor i jashtëm me rëndësi të pamohueshme për çlirimin e vendit dhe veçanërisht për ruajtjen e tërësisë territoriale, mbeti e pacenuar në thelb. Ajo iu rezistoi luhatjeve që u shkaktuan nga klima politike, simpatitë dhe antipatitë politiko-ideologjike ndërmjet Shqipërisë dhe tre aleatëve të mëdhenj, të kultivuara dhe të indoktrinuara nga udhëheqja komuniste shqiptare.
Marrëdhëniet me ShBA dhe Britaninë e Madhe të ngurtësuara për një periudhë gati gjysmëshekullore, u normalizuan në fillimet e viteve ’90 të shekullit të kaluar. Në maj të vitit 1992, përfaqësuesit e Shqipërisë dhe të Britanisë së Madhe, përfunduan negociatat shumëvjeçare dhe arritën marrëveshje për zgjidhjen e çështjeve të kontestueshme, zbatimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për përgjegjësinë hipotetike të Shqipërisë për incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe për kthimin e rreth 1574 kg ar, pronë e shtetit shqiptar të bllokuar në Londër që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Iu hap kështu rruga rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Një vit më parë, pas bisedimesh të zgjatura, ishin normalizuar edhe marrëdhëniet me SHBA.
Hapat e mësipërm shtendosën përfundimisht raportet zyrtare me dy prej fuqive më me peshë në jetën ndërkombëtare, krijuan kushte për zhvillime të përshpejtuara dhe i siguruan Shqipërisë përkrahjen e tyre të çmuar.
Të identifikuara si marrëdhënie me rëndësi strategjike dhe me prioritet të veçantë në politikën e jashtme të Shqipërisë, ato kanë njohur progres të vazhdueshëm.
Marrëdhëniet me ish Bashkimin Sovjetik, që juridikisht u trashëguan nga Rusia, deri në vitin 1961 karakterizoheshin nga zhvillime intensive pozitive, por divergjencat e mëdha ideologjike dhe politike që u shfaqën midis udhëheqjes shqiptare dhe asaj sovjetike të asaj kohe, çuan në prerjen e marrëdhënieve diplomatike, në vitin 1961. Do të kalonin gati 30 vjet derisa të rivendoseshin në vitin 1989. Pas kësaj kohe ato u zhvilluan normalisht, por ka disa vjet që ekziston një ndjenjë mosbesimi nga të dy palët që duket sikur nuk krijon hapësirat e duhura për zhvillime normale midis tyre.
Një drejtim tjetër për sigurimin e njohjes ndërkombëtare në të cilin punonte qeveria shqiptare e dalë nga Mbledhja e Beratit ishte pranimi ose anëtarësimi, sipas rastit, në organizatat ose konferencat ndërkombëtare në të cilat Shqipëria kishte interes. Përpjekjet kryesore ishin fokusuar sidomos në dy drejtime kryesore, pjesëmarrja në Konferencën themeluese të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në San Francisko, prill-qershor 1945 dhe më pas anëtarësimi në këtë organizatë. Shqipëria, e renditur në radhët e fituesve të Luftës së Dytë Botërore përkrah Fuqive Aleate, priste të thirrej në Konferencën e San Franciskos dhe të trajtohej me statusin e aleatit. Përpjekjet për sigurimin e përfaqësimit në të, u vlerësuan si një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të politikës së jashtme, që do t’i shërbente njohjes ndërkombëtare të qeverisë shqiptare. Por, nën pretekstin se nuk ishte njohur nga qeveritë e shteteve të tjerë, Shqipëria nuk u thirr në Konferencën e San Franciskos. Paralel punohej për pjesëmarrjen në forumet që po përgatisnin Konferencën e Paqes në Paris, 1946, që do të miratonte Traktatin e Paqes me Italinë. Nuk ishin lënë pas dore edhe përpjekjet për të marrë pjesë në konferenca ose organizma të tjera siç ishte Konferenca e Reparacioneve nga Gjermania, Paris 1945, Agjencia Ndëraleate e Reparacioneve etj.
Me kalimin e viteve ajo do të zinte vendin e vet në OKB dhe në disa dhjetra organizata të tjera ndërkombëtare, duke i dhënë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare çështjes së njohjes ndërkombëtare të qeverisë shqiptare të pasluftës.
* Kumtesa e mbajtur në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, kushtuar 75 vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, organizuar në Tiranë, më 25 nëntor 2019, nga Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, nën kujdesin e Këshillit të Ministrave.