Giotto ka pikturuar disa afreske, të gjitha të lidhura me temën e lindjes së Krishtit. I pari bën pjesë në ciklin e Historive të Shën Françeskut në Bazilikën e epërme të Asizit, realizuar pak para vitit 1300. Në afresk fotografohet çasti kulmor i Natës së Krishtlindjes 1223, kur – siç tregon Tommaso nga Celano në “S. Francisci Assisensis vita et miracula” (XXX 466-471) dhe Shën Bonaventura nga Bagnoregio në “Legenda maior” (X 1186.7), nga ku u frymëzua Giotto – frati i varfër i Asizit vendosi ta kujtojë lindjen e Jezu Krishtit duke përgatitur një grazhd e duke vendosur kaun dhe gomarin në një vend, ku menjëherë u mblodh popullsia dhe sivëllezërit e tij. Gjatë kremtimit solemn, dikush tha se kishte parë të shtrirë në sanë një fëmijë të bukur duke fjetur, ndërsa Françesku e merrte në krah e dukej sikur dëshironte ta zgjonte.
Betlehemi i Greccio-s, Bazilika e Epërme e Asizit
Giotto e ambienton episodin në një kishë dhe u jep shikuesve një këndvështrim të veçantë, në fund të absidës. Skena është e ndërlikuar: kryqi, të cilin shikuesi e sheh nga mbrapa e që varet nga muri kufi me korin, synon të krijojë një perspektivë së bashku me ciboriumin, me pupitrin dhe me mesharin; gratë, që shtyhen në pragun e derës së ngushtë, japin idenë e një turme njerëzish; personazhet e rreshtit të parë heshtin dhe shikojnë si të shtangur e të befasuar, ndërsa më mbrapa fretërit vazhdojnë të këndojnë. Gjithçka konvergjon në figurën e Françeskut të përkulur mbi Foshnjën Hyjnore. Fytyrat e tyre janë afër dhe ata e shikojnë njëri-tjetrin. Edhe pse afresku është i dëmtuar në atë pikë, sytë e të dyve dallohen fort mirë. Ata e shikojnë njëri-tjetrin intensivisht e duket sikur hyjnë në vështrimin e tjetrit. Një vështrim, që tërheq dhe emocionon. Duket sikur Jezusi pyet e Françesku përgjigjet “po”. Të vijnë ndërmend fjalët e shën Markut ungjilltar: “Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël dhe e pëlqeu” (10, 21).
Tri veprat kushtuar Lindjes së Krishtit
Përveç këtij afresku, tri vepra të tjera të Giotto-s përshkruajnë Lindjen e Krishtit, me Marinë, Jozefin, kaun dhe gomarin. Piktori i madh na dhuron një ikonografi tashmë shumë të përhapur në kohën e tij, ku duken të gjitha elementet e tjera dhe personazhet tipike të Betlehemit: kasollja, mali, barinjtë, ylli, engjëjt dhe Mbretërit Dijetarë.
Sipas rendit kronologjik, vepra e parë është Lindja e Krishtit në Kapelën Scrovegni, që daton ndërmjet viteve 1303 e 1305; e dyta gjendet në transetin e djathtë të Bazilikës së poshtme të Asizit e daton rreth vitit 1310, ndërsa e treta, titulluar “Adhurimi i Mbretërve Dijetarë”, është punim me tempera në një telajo druri, pra, me përmasa më të vogla. Ruhet në Metropolitan Museum të Nju Jorkut e është realizuar ndoshta, në vitin 1320.
Lindja e Krishtit, në Kapelën Scrovegni
Afresku i Giotto-s në Kapelën Scrovegni konsiderohet një nga veprat më të shkëlqyera të gjenisë së artistit. Në një kasolle, Maria qëndron e shtrirë, ndërsa vendos Foshnjën në grazhd, ndihmuar nga mamia. Kau dhe gomari i kthejnë shpinën shikuesit, duke u zgjatur drejt djepit të drunjtë. Jozefi, në plan të parë, fle i mbështjellë me mantelin e tij dhe i mbështetur mbi një dorë. Engjëjt rrahin krahët në qiell. Edhe barinjtë janë kthyer nga Foshnja Hyjnore, duke i detyruar shikuesit ta sodisin skenën detyrimisht nga rreshti i dytë, sikur t’i bënin jehonë një fraze tjetër ungjillore, marrë nga shën Mateu: “Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!” (20,16).
Edhe pse Maria dhe Jezusi nuk janë përsosurisht në qendër, deri në atë pikë sa një pjesë e figurave të mamisë dhe të kafshëve janë jashtë skenës, ata janë qendra, madje, shikimi i tyre është qendra e afreskut. Jezusi e shikon Nënën e vet drejt e në sy. Ajo, nga ana e saj, e shikon me sy të ëmbël, plot dashuri. Intensiteti i kësaj skene të mahnit. Vështrimi i Jezusit nuk është ai i një fëmije: është i thellë, i një bote tjetër, në një farë mënyre, i pashmangshëm. Po i kërkon së Ëmës gjithë jetën e vet, sakrificën e saj e ajo, me një fytyrë krejt të ëmbël, duket se përgjigjet “po”, ashtu si Shën Françesku.
Lindja e Krishtit, Kapela Scrovegni, Padovë
Afresku i Lindjes së Krishtit, në Asizi
Afresku i Lindjes së Krishtit, në Asizi, sjell më pak risi në krahasim me atë të Padovës. Ndjek modele të lashta ikonografike, siç është ndarja e ngjarjes në dy momente të njëpasnjëshme: Lindja e Krishtit, nga njëra anë dhe, banjoja e parë e Foshnjës, nga ana tjetër. Krishti Fëmijë lahet nga dy gra, njëra prej të cilave është Salomeja, mamia mosbesuese e përmendur nga Ungjijtë apokrifë. Skena i paraprin Pagëzimit të Krishti, ashtu si grazhdi i referohet vdekjes dhe ringjalljes së Zotit.
Jozefi duket i izoluar dhe i zhytur në mendime; Maria është ulur në dyshek dhe zgjat krahët me Fëmijën në fasha, përkëdhelur nga rreze të arta. Në kasollen e brishtë ndodhet grazhdi me kafshët dhe me një rreth engjëjsh në adhurim. Pas saj ngrihet një mal i lartë pa pemë, edhe ai simbol i njohur i Krishtlindjes, engjëj dhe barinj. Maria dhe Jezusi e shikojnë njëri-tjetrin me dashuri, por pa intensitetin e papërshkrueshëm të afreskut të Padovës.
Lindja e Krishtit, Bazilika e Poshtme e Asizit
Adhurimi i Mbretërve Dijetarë, në Metropolitan Museum
Vepra, që i atribuohet Giotto-s dhe ndihmësve të tij, përshkruan Adhurimin e Mbretërve Dijetarë e paraqet disa risi ikonografike. Edhe këtu, Maria pikturohet si lehonë, por i ka sytë e lodhur. Shohin larg, me melankoli, duke paralajmëruar ç’do t’i ndodhë të Birit. Mbretërit Dijetarë adhurojnë të porsalindurin e njëri prej tyre, pasi vendos kurorën në tokë, e merr butësisht nga grazhdi, ndërsa Jozefi, përballë, ka në duar dhuratën, që sapo e ka marrë dhe përkulet pak për të falënderuar.
Adhurimi i Mbretërve Dijetarë, Metropolitan Museum
Sy të tjerë, vështrime të tjera
Ciklit narrativ të Scrovegni-t i përket edhe Vajtimi për Krishtin e vdekur. Jezusi nuk e shikon Nënën, është pa jetë, me sy të mbyllur, sikur të ishte diku tjetër, sikur të ketë dalë nga trupi i tij njerëzor dhe të jetë kthyer në vetjen e tij hyjnore. Maria pasqyrohet në një moshë më të pjekur e, edhe ajo nuk shikon, por vajton me zë të lartë, me sytë e mbyllur, verbuar nga dhimbja.
Vështrime të tjera mund të gjenden, për shembull, në Ngjitjen në qiell të Shën Gjonit në kapelën Peruzzi të Bazilikës së Shën Kryqit në Firence (ndërmjet viteve 1318 dhe 1322). Figura e apostullit, taahmë i moshuar, tërhiqet lart nga Krishti në parajsë. Vështrimi i tij, i kthyer krejtësisht kah Krishti, tregon pranim e dashuri.
Ky vështrim drejt e në sy është tipar themelor i gjithë pikturës së Giotto-s. Një konvencion i pikturës, që na jep përshtypjen sikur lexojmë një libër të tërë, sikur kuptojmë gjithçka thonë personazhet e gjithçka duan të na thonë. Pa dyshim, vështrimi i Marisë dhe i Krishtit në afreskun e Padovës mbetet më i veçanti. Vështrimi i qashtër i Marisë i përgjigjet atij të Birit, që ka sy depërtues, gati të ashpër. Vështrim, që mbart në vetvete gjithë misterin e Mishërimit të Tij.
E, si të mos i kushtojmë vëmendje edhe shikimit të Jezu Krishtit, që vështron drejt e në sy Judën, kur ai e puth – gjithnjë, në ciklin e afreskeve të Scrovegni-t. Krishti, me sytë e dashurisë, ndërsa Juda, me një vështrim të zbrazët, pa ndjenja, të pakuptueshëm, ashtu siç është e pakuptueshme tradhtia e tij.
Vajtimi për Krishtin e vdekur, Kapela Scrovegni
Kuptimi i vështrimit, në kohën e Giotto-s
Në mesjetë, vështrimit i është kushtuar vëmendje më e madhe se shqisave të tjera. Lidhja ndërmjet shikimit dhe dijes rrjedh nga bota e lashtë. Për Platonin dhe Aristotelin, dija është pasojë e shikimit. Në historiografinë klasike, kur duhet konfirmuar vërtetësia e tregimit, bëhet premisa – si të ishte formulë – “tregoj, sepse e pashë”, siç shkruan Herodoti.
Në poezinë trobadorike (fundi i shekullit XI në Francë) dhe më pas, në poezinë e shekullit XIII dhe në Stilnovizëm (ndërmjet viteve 1280 e 1310, në Firence), ka marrëdhënie shumë të ngushta ndërmjet syve dhe zemrës. Vështrimi nuk gënjen e, është edhe mjeti, që çon drejt dashurisë. Giacomo da Lentini, për shembull, thotë se dashuria fillon nga pamja e të dashurit. Dante e riafirmon konceptin. Pra, sytë dhe zemra janë një binom, që haset shpesh. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Giotto i jep kaq rëndësi vështrimit.
Teologjia e vështrimit
Marrëdhëniet vështrim-dije përmbysen krejtësisht brenda sferës fetare. Siç shkruan Rikardi nga San Vittore, epror i abacisë së Parisit në shekullin XII, “Ubi amor ibi oculus” – Atje ku është dashuria, aty është vështrimi. Është dashuria, që na mundëson të shohim e na dhuron dijen e jo vështrimi fizik.
Këtë e gjejmë vazhdimisht në Ungjij. “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin!” (Gjn 9,39) e, sërish, “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” (Gjn 20,29).
Shën Françesku dëshironte të “shihte me sytë e trupit” (FF 468) lindjen e Jezusit, jo për ta shtuar fenë e vet e, aq më pak pse ishte mosbesues, por për “të parë vështirësitë, për shkak të mungesës së gjërave të nevojshme për një foshnjë të porsalindur” (Ibid.), për t’u zhytur plotësisht në dashurinë e mahnitshme të Zotit, “… i cili u bë i vogël, për t’u dashur nga ne. Në Jezusin, Zoti u bë Fëmijë, për t’u përqafuar nga ne”, siç kujtoi Papa Françesku në homelinë e meshës së Natës së Krishtlindjes.
Giotto pikturoi dashurinë dhe arriti ta realizojë përsosurisht, përmes atij shkëmbimi vështrimesh. Në një farë kuptimi, ai krijoi një teologji të vërtetë të vështrimit në art.
Radio Vatikani