Prof. Giuseppe Chiaramonte
Status quaestionis
Vendosja e turqve otomanë në Ballkan, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIV, mbartte në vete një ndarje tjetër fetare, përveç asaj, që tashmë ishte bërë tradicionale, ndërmjet Konstandinopojës e Romës. Po i njëjti pushtim në momentin që nuk impononte konvertimin në islam, ishte favorizues. Ndërsa grekët, serbët e bullgarët do të rezistojnë duke u mbështetë në liturgjinë bizantine, të kremtuara në gjuhët e tyre respektive, Shqiptarët do të mundohen në mënyra të ndryshme për të përforcuar një ndër karakteristikat e universalizmit, qoftë ai konstandinopolitan apo ai romak: duke e ruajtur përkatësisht greqishten dhe latinishten.
Vepra më e gjerë e më e kompletuar prej orvatjeve të provuara për të futur gjuhën amë në liturgjinë katolike, është padyshim ajo e Gjon Buzukut, Meshari, i vetmi ekzemplar i mbetur, i cili gjendet tek Biblioteka Apostolike e Vatikanit, i zbuluar më 1740 e i rizbuluar 1909.
Nga kjo datë e fundit fillojnë edhe studimet që e përshkruajnë, përtej dy botimeve kritike. Ky studim ka për qëllim të ndriçojë i aspektet që kanë të bëjnë me historinë dhe liturgjinë, që deri më tani u lanë nën hije nga studiuesit, deri sa priten rezultate të mëtutjeshme pranë arkivave të Vatikanit dhe gjurmëve eventuale të dokumenteve të mbijetuara.
Libri-mit
Pas mitit të krijuar përgjatë figurës së Skënderbeut nga tradita shqiptare, një tjetër mit e ka karakterizuar jetën intelektuale të shqiptarëve andej e këndej Adriatikut: kërkimi i një libri të shtypur, i pari i serisë në gjuhën shqipe deri më sot i njohur, ku për ekzistencën e tij mbetën gjurmët në një dukomente epistolar të shekullit XVIII, të ruajtur në arkivin e Seminarit Italo-Greko-Shqiptar të Palermos, që sot njihet si Piana degli Albanesi. Dokumenti në fjalë, i datuar në vitin 1740, njofton për një vepër liturgjike në shqipe të quajtur Meshari, e shkruar ndërmjet viteve 1554 e 1555, nga një prift i ritit romak, emri i të cilit bëhet i njohur nga kopertina (Colophon), e shtypur në një vend të panjohur e për të cilin nuk mbeteshin kujtime në jetën e bashkësisë kishtare.
I njëjti fat ndodhi edhe më veprën e dytë të shtypur në gjuhën shqipe, kësaj here fryt i një përpjekjeje të një arbëreshi[1] nga Sicilia, që ishte edhe studenti i parë i kolegjit grek: Katekizmi i Luka (Lekë) Matranga, Romë 1591, gjithashtu edhe kjo vepër ra në humnerën e harresës dhe u rizbulua vetëm në fillim të shekullit XX nga Marco La Piana[2].
Shqipëria: një kulturë triangolare (trekëndore)
Veprat e sipërpërmendura, megjithëse bënin pjesë e së njëjtës gjuhë të atij vendi, ato ju referohen dy traditave të ndryshme, e që të dyja ligjërisht të pranishme ndër shqiptarë e me prejardhje nga Perandoria Romake, kufiri i të cilit ndante në mes territorin e tyre. Trashigimtarë të predikimit të shën Palit tek ilirët, shqiptarët njohën dy tipe vetëkulturimesh të krishterimit: atë romake në gjuhën latine e atë lindor në gjuhën greke, jo gjithmonë me një vijueshmëri kronologjike, por patjetër në të njëjtin jurisdiksion administrativ të Papës së Romës deri më 732, në për mjet Vikarit Papnor në Selanik e pastaj në Ohër.
Pas kësaj date, Iliria u lidh më forcërisht me Kostantinopolin, ashtu sikundër dhe Sicilia dhe Kalabria, për të dënuar Papën që kishte marrë pjesë tek përnderuesit e ikonave në krizën ikonoklaste, e ndezur (ineskuar) nga Perandori Luani III (Esaurico), në këtë rast në krahinë mbizotëronte tradita bizantine, të cilës i përkitnin edhe arbëreshët. Por tradita latine nuk mungoi kurrë, sidomos në të ashtuquajturin “trekëndëshi katolik shqiptar” (Shkodër, Drisht, Danjë, Shas, Ulçin, Tivar) e në manastiret benediktine e domenikane, të cilët më vonë do të zëvendësohen nga françeskanët.
Pushtimi otoman, i filluar në pjesën e fundit të shekullit XIV dhe i përfunduar më 1912, do të ndryshojë tërësisht asetet fetare dhe shoqërore të mëparshme. E megjithatë, raportet politike dhe kulturore me Romën e gjegjësisht me Perendimin, nuk u ndërprenë asnjeherë, sikur edhe dëshmon historia personale dhe familjare e heroit kombëtar Skenderbeut, prania e një shkolle të shqiptarëve në Venedikt, aktivititeti i humanistëve dhe artistëve shqiptar ë në Italinë veriore, diaspora e arbëreshëve në pjesën jugore e shkodranët në Friuli, krijimi i kolegjeve në Romë e Venedikt për të mbrojtur kulturën dhe liturgjinë bizantine, etj. Kolegji grek në Romë, në veçanti ka luajtur një rol fundamental për Arbreshët.
Buzuku në indeks
Mosperdorimi i veprës, objekt i studimit tonë, ka qenë e huazuar prej shumëkujt dhe për një kohë të gjatë e, së fundmi, nga Robert Elsie[3] ndaj veprimit bllokues të Kishës Katolike kundrejt përkthimit të Biblës dhe përdorimit të gjuhëve amtare në liturgji. Veprim që do të intesifikohet pas Koncilit të Trentos nëpërmjet botimeve të ripërsëritura të Index librorun prohibitorum.
Kjo aksiomë e vënë tashmë në dyshim nga albanologu i madh Çabej[4] dhe nga studiuesi Willy Kamsi[5], përjashtohet nga botimi i parë i indeksit (1559)[6], botim që sot çdo kush mundet lehtësisht ta konsultojë në internet në zërin Index librorum prohibitorum. Në të nuk rezulton e rreshtuar vepra e Buzukut. Nëse është paqësore, në fakt, që reforma protestante të ketë inkurajuar nismat e përkthimit të Biblës dhe të liturgjisë në gjuhën amtare, jo gjithmonë është e vërtetë që reforma katolike t’i ketë ndaluar me akt formal pozicionimin në indeks. Duket, përkundrazi, që për krahinat “kufitare”, edhe pas Koncilit të Trentos, Kisha Katolike t’i ketë pranuar heshturazi.
Arsyet e rënies në mospërdorim të Mesharit, nëse turqit do ta kenë lejuar qarkullimin e lirë në territoret shqiptare të zaptuara, do t’i kërkojmë, ndërkaq duke parashtruar një ekskurs hitorik-liturgjik[7], i pavlerësuar deri më tani nga studiuesit, që kanë trajtuar pothuajse gjithmonë vetëm aspektin gjuhësor.
Një përçasje e tillë merr në vazhdim një ndihmesë të veçantë dhe po aq të çmueshme nga i nderuari At Pjetër Sorci, profesor i rregullt i liturgjisë në fakultetin teologjik të Sicilisë, kurreshtja intelektuale e të cilit ka qenë ngjallur menjëherë nga mësimi i ekzistencës së një mesharit të shekullit XVI në gjuhen shqipe.
Paolo Schirò (1866-1941): zbuluesi dhe njohësi i parë i Buzukut
Merita e rizbulimit të këtij dorëshkrimi të hershëm të letërsisë shqiptare i mvishet Mons. Paolo Schiròs, një arbëresh, që nga vepra e rigjetur mori frymëzimin për të futur gjuhën shqipe në praktikën liturgjike të kishës bizantine arbëreshe në Itali, ende më përpara që kjo të mund të ndodhte në Kishën Ortodokse në Shqipëri.
Lajmi i rizbulimit u dha nga Faik Konica në revistën “Dielli” të Bostonit, të datës 18 mars 1910, i ndjekur nga lajmi që i njëjti monsinjor po përvishej përt të përgatitë një ribotim të shoqëruar nga një studim i tij.
Studimet e para mbi veprën e Buzukut, megjithatë, kanë qenë të publikuar nga Justin Rrota në vitin 1930[8]. Jo edhe aq fshehtësisht, Rrota fajëson Schiròn që nuk e ka mbajtë besën e fjalës së dhënë rreth ribotimit të veprës buzukiane. Nuk është e pavend, ndërkaq, për të pyetur veten, pse vallë Paolo Schirò s’po vazhdonte në ribotimin e Buzukut, e as me publikimin e studimit të paralajmëruar, që mbetet deri më tani dorëshkrim pranë trashëgimtarëve. Përgjigja qëndron në ndodhitë e rrëmujshme që karakterizuan jetën e tij në dhjetëvjeçarin e mëpasshëm të zbulimit të Buzukut[9].
Vepra e zbuluar: “Meshari”?
Vepra që mons. Schirò zbuloi në vëllimet e pakataloguara të Bibliotekës Apostolike Vatikanase, kishte tashmë një titull: Meshari. Meshar e quajti Mons. Kazazi, argjipeshkv i Shkupit, kur në vitin 1740 jepte lajmin për ekzistencën e tij Atë Giorgio Guzzetes dhe Meshar vazhdojë ta quante vetë Guzzeta (1682 – 1765) dhe pasardhësit e tij në rektoratin e seminarit: Paolo Maria Parrino (1710 -1765) e Giuseppe Crispi (1781–1829). Duke ndjekur një proces ysteron – proteron, të gjithë e kanë quajtur Meshar[10], duke ia bashkëngjitur Mesharit Romak të mëvonshëm të Piut V, dhe, duke zbërthyer disa libra liturgjikë të përparshëm, ishte bërë zyrtar për ritin romak.
Sinjalizimi i pasaktësisë së emërtimit nuk është i padobishëm, nëse konsiderohet se vëllimi i mirë, së fundmi, i përkujdesur nga UNESCO mbi kodekset e Shqipërisë[11], përdor dy herë të njëjtin term për të treguar gjëra tepër të ndryshme nga vëllimi i Buzukut. Termi meshar është përdorë këtu për kodin 70 të Beratit[12]dhe për kodin 18 të Gjirokastrës[13] që rezultojnë se përmbajnë, i pari tekstet e liturgjisë hyjnore të shën Gjon Gojartit dhe të liturgjisë së parashenjtëruarëve, e i dyti liturgjinë hyjnore të shën Bazilit të madh.
Tekstet e përmbajtura në veprën e Buzukut, në të kundërtën, janë të shumta: Ufici i vogël i Shën MarisëVirgjër, shtatë psalmet pendestare, litanitë e shenjtërve, disa pjesë të ritualit romak (pagëzimi dhe martesa), Urdhërimet, pjesë të katekizmit, fjali dhe tekste të vetësajuara me një vlerë të madhe demo-etno- antropologjike, dhe, mbi të gjith,a sekuenca po thuaj se e plotë e letrave dhe ungjijve të meshave të të dielave dhe të festave të vitit liturgjik të ritit katoliko-romak, me vemendje të veçantë ndaj meshave të kushtuara shenjtërve të urdhërit françeskan dhe të atyre më popullore të botës shqiptare[14].
Për t’u përdorë e njëjta fjalë për të treguar vepra kaq të largëta në kohë ndërmjet tyre, rezulton si shkelje, dhe sepse, mbi të gjitha, për të dy kodet e cituara që i përkasin traditës bizantine, nuk gjendemi në praninë e një meshari. I pëlqyeshëm, ndërkaq, do t’ishte emërtimi me fjalën kodekset, me emërtimet e përmbajtjes së tyre efektive, sikur është traditë pranë arbëreshëve dhe pranë kishës ortodokse autoqefale tëShqipërisë, dhe të ruhet termi meshar për veprën e Buzukut. Por kjo thjesht vetëm pse tashmë ka hyrë në përdorim, ani se nuk kemi të bëjmë me një meshar, në vështrimin e bërë tipik nga Koncili i Trentos e më vonë.
Origjina e Mesharit në Kishën e Romës
Kur Papa Piu V publikoi Messale Romanum[15], ky qe botuar sipas editio princeps (botimit fillestar) të një Meshari Romak të vitit 1474 që në kohën e vet, ndiqte tipologjinë e një libri liturgjik që zë fill me shekullin XIII me emrin Liber missalis secundum consuetudim Romanae Curiae. Ky libër ishte shumë i përhapur në botën katolike, veçanërisht nëpërmjet fretërve françeskanë[16], të cilët, ndër të tjera, rezultojnë mjaft të pranishëm në krahinat shqiptare të veriut.
Libri i Buzukut, të paktën, për sa i përket pjesës në lidhje me meshët, i përgjigjet llojit të tillë. Përkundrazi, mateiali i ngelur liturgjik-katekistik,e largon, duke e zhvendosur drejt comes-it: një tipologji që i përket akoma Mesjetës, kur për shërbesa të shenjta ekzistonte një shumicë librash të ndryshëm që do të gjenin sistemim përfundimtar definitiv vetëm me hymjen në fuqi të Koncilit të Trentos.
Buzuku krijon një Comes [17] anti-osman
Liber comitis o liber comicus ishte në fillim një libër leximesh të përshpirtshme që përmbante një përmbledhje të Shkrimit Shenjt dhe një antologji të autorëve shpirtërorë. Fjala comes, shoqërues, përdorej pra me tregue njerëz dhe sende. Romakët e ruanin një emër të tillë për shoqëruesit e më vonë për gjykatësit dhe Perandorin; por edhe pedagogu quhej comes, sepse ishte i detyruar për të shoqëruar kudo nxënësin që u ishte besuar. Në të njëjtën mënyrë, libri që shoqëronte të krishterin përgjatë harkut të jetës, pra vademecum-i shpirtëror u quajt comes. Më vonë fjala mori veshtrimin teknik specifik në fushën e liturgjisë romake, duke e shënuar librin që përmbante copëzat biblike që lexoheshin per annum gjatë meshës[18]. Edhe kështu, një pjesë e mesharit, me gjithëse jo e plotë, do të ishte një comes.
Në tërësinë e saj, vepra e Buzukut rezulton një prontuar i fesë katolike në favor, sigurisht, të besimtarëve, në pjesën më të madhe analfabetë, por mbi të gjitha të klerit dhe “të priftërinjëve endacak”, e si duket, i tillë ishte edhe ai vetë[19].
Shpërbërja e sistemit tradicional të famullive, e shkaktuar nga zgjerimi i otomanëve në Ballkan , e bënte tmerrësisht të vështirë veprimin baritor. Çfarë ilaqi do t’ishte më i mirë ndaj rrënimit fetar dhe kulturor, se sa oferta “e përmbljedheve”në gjuhë? Edhe pranë katolikëve tjerë latinë ndjehej kjo nevojë. Meshari, në fakt, ndjek, publikimet e ngjajshme në gjuhët serbe e kroate të kohës, sikur na informon Martin Camaj[20].
Së këndejmi, marrim në konsiderim që edhe pas Koncilit të Trentos sllavët katolikë vazhduan të kryenin shërbesat në gjuhën ilirike[21]. Çmojmë në Buzukun atë që ka marrë barrë për të shërbyer në hapsirën shqiptare me një hapax, një unicum, duke shfrytëzuar lirinë e mbetur, do të thosha ende mesjetare, në përpilimin e librave liturgjikë dhe duke e parandjerë, ndoshta, njëtrajtëshmërinë e afërt që do të buronte nga Koncili i Trentos.
Duket, megjithatë, që Buzuku më shumë se sa të dronte dhe të mbante në kosideratë pengesat e pandehura, të prejardhjes tridentine dhe romake, të ketë pasur vetëdije të saktë të rreziqeve të apostazisë së popullit të tij, me humbjen e mëpasshme të një individualitetit kulturor dhe gjuhësor, e të ketë vënë në veprim forcat e shpirtit për të kundërshtuar një armik skajshmërisht të tmerrshëm[22].
Koncili i Trentos (1545-1563)
Nuk duket e rastësishme, në të vertetë, që vepra e Buzukut të gjendet midis fazës së dytë (1551-1552) dhe fazës së tretë (1562-63) të Koncilit të Trentos.
Qysh prej fillimit, në seksionin e katërt, 8 prill 1546, Koncili kishte miratuar Decretum devulgataeditione bibliorumet de modo interpretandi S. Scripturam[23], me të cilën caktohej teksti kanonik i Biblës latine, sipas Vulgatës së Shën Jeronimit, aso kohe në fuqi, nga i cili nuk duhej shmangur në asnjë mënyrë, qoftë në shtyp e qoftë në interpretim.
Në të njëjtin seksion etërit konciliarë kishin shprehur edhe dëshirën që të formulohej një katekizëm[24]. Buzuku duket sikur e përmbush këtë dëshirë me rreshtimin e pjesëve katekistike në veprën e tij.Po në çfarë mënyre vihet ai përballë tekstit biblik zyrtar?
Dy botimet kritike, të përkujdesura respektivisht nga Namik Resuli[25] e nga Eqrem Çabej[26], kanë vënë në dukje përkthimet e ndryshme të po të njëjtave tekste biblike, sikur Luka 1, 26-38[27] dhe Psalmi 130 (129) që figuron në Meshar në mbi tri përkthime[28]! Fryt i një qëndrimi të drejtë rastësor, që do të kishte mundur të ndodhte për mungesë të tekstit të plotë, ndërsa shtypshkronja shkonte përpara në botim[29]? Ose të një tradite të më përparshme tekstesh të përkthyera në gjuhën shqipe[30]? Edhe pse kjo dhe çeshtjët tjera përmbanin një kantier të hapur, më pëlqen të vë në pah që shkrimet shqiptare lejojnë të ndërshikohet një marrëdhënie e drejtë ose e padrejtë, me botën siriano-palestineze[31].
Në seksionin XXII, të 17 shtatorit 1562, shtatë vjet nga botimi i Buzukut, Koncili miratoi Doctrina de S.tae Missae Sacrificio.
Kapitulli i VIII, De Missa vulgari lingua passim non celebranda, lë të kuptohet se në botën katolike kishte hedhur rrënjë zakoni për të kremtuar në gjuhën e popullit. Një praktikë e tillë nuk ndalohej kudo, passim[32], e mbi të gjitha, konsiderojmë, në vendet fqinje.
Për katolicizmin, në të vërtetë problemi i gjuhës liturgjike, në atë kontekst të veçantë, pajisej me një rendësi absolute teologjike. Me qëllim të riforcimit që frytdhënia e sakramenteve nuk varej nga përdorimi i gjuhës të kuptuar nga besimtarët sikur pohonte reforma protestante, por bën pjesë në konceptin e “Ex opere operato”.Koncili ndërkohë lë të hapura hapësirat tashmë të formuara në traditat gjuhësore lokale dhe disa herë i detyron barinjtë e shpirtrave që ata vetë, o nëpër mjet tyre të deleguarit, të shpjegojnë në gjuhën e vendit (vulgari lingua) frytdhënien dhe dobinë e sakramentëve përpara që t’i mbarështojnë dhe leximet e shenjta gjatë meshës, të paktën të dielave dhe festave[33].
Do të jenë udhëzimet post-konciliare që do ta ngushtojnë fushën e gjuhëve lokale, pranë atyre popujve që kishin arritur në një traditë të veten të qëndrushme.
Në hapësirën shqiptare, ku feja katolike rezultonte minoritare kundrejt ortoksisë greke dhe sllave dhe përballë rrezikut të islamizimit masiv, një arsye e fortë baritore këshillonte një shpjegim të parë të pjesëve të para të Besëlidhjes se Re nëpërmjet leximit të po atyre në gjuhën amtare, ndërsa kanoni dhe pjesët fikse të meshës qëndronin latinisht: e që në meshar, në fakt, mungojnë.
Falë Buzukut, ndërkaq, populli shqiptar pati një tekst organik në gjuhën e vet për pjesën dërmuese të shërbesës së shenjtë e për lutjet themelore të doktrinës se krishterë.
Pasi që mbaroi koncili, filloi vepra e aktualizimit të vendimeve të tij. Kështu, me dispoziten Dominici gregis custodiae e 24 majit 1564, dolën në dritë dhjetë rregullat mbi librat e ndaluar. Vepra e Buzukut, së paku për tekstet shkrimore, i binte nën zotërimin e rregullave III e IV[34].
Kjo nuk do të thotë, prandaj, që libra si meshari ynë, të botuar para dhe pas koncilit, të mos mund të përdoreshin, por e drejta për t’i lejuar, tani u takon ipeshkvijve apo Inkuizicionit. Përforcohet, kështu, vepra e censurës parandaluese ose pas botimit, më publikimin dhe përditësimin periodik të Indeksit, që do të ketë qëllimin e deklaruar që të mbajë të pastër ortodoksinë katolike kundër protestantizmit dhe kundër përdorimit të Biblës në mënyrë të pavetësishme apo idolatrike.
Buzuku i harruar
Libri i Buzukut konsiderohet kulmi i një lloji letrar liturgjik, që ka përbërë motiv të çmuar ,po thuaj se të kultivuar, si dorëshkrim ndër shqiptarë. Përdorimi në gjuhët amtare i fushës kishtare, sigurisht jo të përgjithsuara, kishin filluar qysh në shekullin XII[35] në Evropën perëndimore. Nuk ka arsye të përjashtohet që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Evropën lindore, ku ndër të tjera lejimi i përdorimit të gjuhëve sllave kishtare, si zëvendësim i greqishtes dhe latinishtes, ishte dhënë qysh prej shekullit IX. Si dëshmi të mëtejshme, kujtojmë rastet tashmë të njohura pranë kroatëve dhe serbëve katolikë, por edhe pranë shqiptarëve, me formulën e Pagëzimit[36], të vitit 1462, për katolikët romakë, edhe me troparin dhe me ungjillin e Pashkëve[37], të shekullit XIV për bizantinë.
Shpikja e shtypit me karaktere të lëvizshme, lehtësoi përhapjen e teksteve, kështu që në kohën e Buzukut i jepet më shumë rëndësi mësimit fetar tek populli nëpërmjet fjalës së shkruar dhe të shtypur: Bibla e përkthyer merrte vendin e parë, e pastaj mesha shenjte[38].
Ndalimet, të cilat edhe përpara koncilit ngriheshin herë pas here në lidhje me leximin e Biblës në gjuhën vulgare, edhe pse të ngjajshme më klithmat e Manzonit, ishin të diktuara nga shpërdorimi që i bëhej.
Reagimi i Kishës Romake në një epokë, në të cilën papati është akoma i implikuar në ambicie politike dhe varës i relativizmit i pranishëm në humanizmin rilindas – ndoshta nuk do të vinte në dritë me seriozitetin e reformave, sikur dëshirohej nga shpirtrat më të njohur, pa leksionin e Luterit.
S’ka dyshim që mbyllja e Kishës si në një fortesë, me qëllim që t’i ruajë ata që i kishin mbetur besnikë prej çdo kontaminimi me protestantizmin, kërkonte rregulla të sakta dhe reforma jo indiferente në fushën katolike. Të kërkuara prej Koncilit, ato u bënë të qarta duke filluar nga Pio IV.
Ky qëndrim pati si rrjedhojë të menjëhershme uniformitetin e librave liturgjikë, duke krijuar mundësinë botërisht nga zhvillimi i shpejtë i artit tipografik.
Shumë vepra, ndërkohë, si ajo e Buzukut, zunë të mos përdoreshin më. Jo pse ishin të vena në Indeks, por sepse ishin jo të plota dhe të papërputhshme me daljen në dritë të botimeve tipike[39], zyrtare, për krejt botën katolike. Botimet, sigurisht ishin në latinisht, por me tirazhe praktikisht të pakufizuara dhe lehtësisht të pranueshme.
Ndër to radhis: catechismus exdecreto concili tridentini, ose katekizmi romak, 1556; Breviarum romanum 1568; Misale Romanum, 1570; kalendari i ri i vitit 1582; Martyrolgium romanum, 1584; Pontificale romanum, 1595/96; rituale romanum, 1614.
Faktori, pra, që na duket më së shumti i implikuar në të mos përmendurit tekste dhe përkthime të mëpërparshme, është rivizitimi, ndër të tjera jo i drejtë, e i destinuar përafersisht rreth vitit 1592 që t’i bëhet rishikim Vulgatës së Shën Jeronimit[40].
Në rizbulimin e Buzukut
Shekulli XVIII me të mirat dhe këqijat e veta që dihen, pati një rëndësi të madhe për botën shqiptare dhe italo-shqiptare.
Papa Klementi XI, Albani (1700-1721) e drejtoi interesin e kishës katolike drejt Ballkanit e dukshmërisht drejt Shqipërisë, nga e cila ishte i vetdijshëm që rridhte familja e tij. Më 1703 do të kremtojë koncilin provincial shqiptar, Kuvendin e Arbërit, aktet e të cilit, të shkruara në shqip, përbëjnë një dëshmi të çmueshme të zhvillimit të kësaj në krahasim me Buzukun.
Klementi XII, Cursini (1730-1740) krijoi dy kolegje për arbreshët, në Kalabri dhe Sicili dhe emëroi në Kalabri, një ipeshkëv tjetër ordinar për ritin grek, pas atij të Romës, si shenjë mirnjohje të traditës bizantine të shqiptarëve të Italisë.
Benedikti XIV, Lambertini (1740-1758), hodhi themelet e një të drejte kanonike për italo-shqiptarët[41], duke ndikuar në të mirë apo në të keq mbi fatet e bashkësisë arbëreshe në Itali.
Oborri papnor, ndërkohë dhe Selia shenjte, ushtruan për më shumë se një gjysmë shekulli një filo-albanizëm të frytshëm, në kuadër të të cilës mons. Kazazi argjiipeshkëv i Shkupit, në vizitë në Romë, pati rastin të zbulonte kopjen e vetme të Buzukut, atëherë të ruajtur në Propaganda Fide, dhe t’i komunikonte at Giorgio Guzzeta-s, themelues më 1734, e pastaj rektor, të seminarit italo shqiptar të Palermos.
Letra e Kazazit, që ishte në krye midis letrave të arkivit të seminarit, kërkonte përgjigje nga koha në kohë, mjedisin kulturor arbëresh deri sa Paolo Schirò nuk i shkoi pas dhe me durim dhe me qëndrushmëri nxori më në fund në dritë, në vitin 1909 Mesharin.
Meshari i Buzukut dhe Bota Arbëreshe
Vendimarrjet e koncilit të Trentos, rreth përdorimit të gjuhës liturgjike, qëndruan në fuqi në kishën latine deri më 1963[42]. Nuk besoj që jam larg nga e vërteta, nëse mendoj se Paolo Schirò të jetë frymëzuar nga vepra e Buzukut, kur, duke u nisur nga 1912, domethënë 3 vjet pas zbulimit të Meshari, të shtypte dhe shpërndante për bashkësitë e shqiptarëve të Sicilisë Fjala et’Yn Zoti, përkthimin në shqip të pjesëve të Besëlidhjes së Re për leximin o këndimin gjatë liturgjisë së të dielave. Sot kjo është bërë traditë.
Edhe për veprën tjetër të Schiros, përkthimin e liturgjisë në shqip të shën Gjon Krisostomit[43], nuk është e vështirë të ngjitemi deri te mësimi i Buzukut.
Me gjithëse kisha lindore lejojnte gjithnje përdorimin e gjuhëve kombëtare në liturgji, dihet sa vështirësi pati për hyrjen e shqipes në Kishën Ortodokse[44]. Ndërmjet arbëreshëve, në të kundërten, nuk pati para Schiros ndonjë lëvizje për ta përkrahur përdorimin liturgjik të shqipes[45].
Zbulimi i Buzukut dhe zelli i Paolo Schiros, ndërsa aktivizuan këtë levizje ndër arbëreshë, u bënë edhe një shërbim ortodoksëve të Shqipërisë, duke i përcaktuar drejt autoqefalisë së kishës së tyre dhe drejt promovimit të shqipes në gjuhën liturgjike.
Burimet nga Arkivi
Arkivi i Kongregates për Doktrinen e Fesë:
AKDF, S.O.C.L. 1607-1625, N.2.
AKDF, S.O. Ench. 1603-1788, N.30.
AKDF, Index Libr. XVI, 1
BIBLIOGRAFIA
Barbiellini Amidei D., Il Seminario Italo-Albanese di Palermo e i Monaci Basiliani, Lugaro, Palermo1924.
BORGIA, N., Pericope evangelica in lingua albanese del sec. XIV da un manoscritto greco della Biblioteca Ambrosiana. Grottaferrata 1930
Bihlmeyer K. – Tuechle H., Storia della Chiesa, Morcelliana, Brescia 1960, vol. IV. (Titolo originale: Kirchengeschichte. Paderborn).
Camaj M., Il “Messale” di Gjon Buzuku:contributi linguistici allo studio della genesi. In «Shêjzat – Le Pleiadi», nr. 3. Roma 1960.
Çabej E., Meshari i Gjon Buzukut: (1555) I-II. Botim kritik punuar nga Eqrem Çabej, Universiteti Shtetëror; Instituti i Historisë e i Giuhësisë, Tiranë 1968.
Chiaramonte Z., Arbëreshët dhe përkthimi i Biblës në shqipen standarde. In: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Bibla shqip dhe tradita. Akte të Seminarit shkencor për 10-vjetorin e përkthimit integral të Biblës në shqipen standarde nga don Simon Filipaj (Tiranë, 24.05.2004), p. 62-69, Toena, Tiranë 2004.
7.Chiaramonte Z., Pal Skiroi Zbulues studiues dhe ndjekës i Buzukut: shqyrtim historiko-liturgjik mbi Mesharin, in Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Konferenca jubilare 450-vjetori i Mesharit të don Gjon Buzukut. (Ulqin 27-28 maj 2005), p. 65-76, Dija, Ulqin 2005.
CONCILIORUM OECUMENICORUM DECRETA, a cura dell’Istituto per le scienze religiose, ed. Dehoniane, Bologna 1991.
Coquelines C., Bullarum … Romanorum Pontificum … Collectio. Roma 1730.
Denzinger-Schönmetzer, Enchiridion Symbolorum definitionum et declarationum de rebus fidei et morum. Editio XXXIV, Herder, Romae 1967.
Du Cange – Du Fresne C., Glossarium ad scriptores mediae et infimae latinitatis, L. Fabre, Niort 1886.
Francev F. – Gianelli C., Vatikanski Hrvatski molitvenik i Dubrovački Psaltiri, Zagreb 1934.
Gjini G., Ipeshkëvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, Drita, Ferizaj 1992.
HISTORIA E POPULLIT SHQIPTAR, vol III, a cura dell’Accademia delle Scienze d’Albania, Toena, Tiranë 2002-2007.
ISTITUTO DELL’ENCICLOPEDIA ITALIANA, La piccola Treccani: Dizionario enciclopedico italiano, vol. XII, Treccani, Roma 1995.
Kamsi V., Gjon Buzuku e Konçili i Trentit, in Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Tiranë 1995.
Kamsi V., Buzuku dhe botimi i “Mesharit”. In: Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Konferenca jubilare 450-vjetori i Mesharit të don Gjon Buzukut., p.129-134, Ulqin 27-28 maj 2005, Ulqin, Dija 2005.
KODIKËT E SHQIPËRISË, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë 2003.
Konica F., Ma i vjetri shkronjës shqiptar i njohur. In « Dielli», viti II, nr. 51, Boston 1910.
La Piana M.,Il Catechismo albanese di Luca Matranga da un manoscritto vaticano, Tipografia italo-orientale “S. Nilo”, Grottaferrata 1912
Loria R., Psalmi 130 (129) në Mesharin e Buzukut dhe tradita e humbur e teksteve fetare shqiptare të Mesjetës, in Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filologjisë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 22/1, Prishtinë 2004, p 67-76.
Marlekaj G., La più antica publicazione in lingua albenese. In : , nr. III (1958), Università di Bologna, Bologna 1959, f. 35-52.
Petrotta G., – SchiróP., Il piu antico testo di lingua albanese: trascrizione fonetica con note e osservazionigrammaticali di Mons. Paolo Schiró e riproduzione dell’Editio Princepscon introduzione di G. Petrotta, in «Rivista indo-greco-italica», Napoli 1932-1933.
Ressuli N., Il Messale di Giovanni Buzuku. Riproduzione e trascrizione a cura di Namik Ressuli, Biblioteca Apostolica Vaticana, Città del Vaticano 1958.
Rešetar M. – Gianelli C., Dva Dubrovačka iezična spomenika iz XVI vijeka, Beograd 1938.
Rrota, J., 1. Monumenti ma i vjetri i gjuhës shqipe (Buzuku 1555). In , vjeti 1, Shkodër 1930, pp. 33-55.
Rrota J., 2. Don Gjon Buzuku (1555): pjesë të zgjedhuna e të komentueme për shkolla të mjesme, Shkodër 1930.
Schiró G. (†1927), Canti tradizionali e altri saggi delle Colonie albanesidi Sicilia,: tip. Pierro e Figlio, Napoli 1923, f. 487-531.
Schiró P., Mesha e Shën Jan Gojartit përkthyer shqip nga imz. Pal Schiroi botuar me kujdesin e prof. Zef Schiroit (†1965), Tip. Boccone del Povero, Palermo 1964.
Schirò Z. (†1965), Pal Schiroi. In: Pal Schiroi, Mesha e Shën Jan Gojartit …. Palermo1965, f.1-16.
Schmidt H., La Costituzione sulla Sacra Liturgia, Herder, Roma 1965
Sciambra M., Indagini storiche sulla comunità greco-albanese di Palermo, Tip.”S. Nilo”, Grottaferrata 1963.
SORIA DEI CONCILI ECUMENCI, con la collaborazione di Giuseppe Alberigo et alii, Brescia, Queriniana,1990.