Ta sodisim Familjen e Nazaretit. Duke e soditur, admirojmë përmbushjen e planit hyjnor për ta bërë familjen bashkësi jete e dashurie. Kuptojmë se çdo bërthamë e krishterë familjare është e thirrur të jetë ‘kishë shtëpiake’, tharm i së mirës në shoqëri e vend ku shndrisin virtytet ungjillore. Ku formohen tiparet karakteristike të Familjes Shenjte: lutja, mirëkuptimi reciprok, respekti, shpirti i flijimit, puna e solidariteti.
Çdo familje mund të përfitojë nga shembulli i Familjes Shenjte për të zgjedhur stilin dhe mënyrën e jetesës.
Zoja e Shën Jozefi na mësojnë t’i pranojmë fëmijët si dhuratë e Zotit, t’i lindim, t’i rrisim e t’i edukojmë duke bashkëpunuar mrekullisht mirë me veprën e Krijuesit e duke i dhënë botës, me çdo fëmijë, një buzëqeshje të re, të freskët.
Pikërisht në familjen e bashkuar fëmijët fitojnë pjekurinë e jetës, duke jetuar përvojën domethënëse e plot fryt të dashurisë pa kurrfarë interesi, të dhimbsurisë, të respektit reciprok, të mirëkuptimit të anasjelltë, të faljes e të gëzimit.
Gëzimi i vërtetë jetohet plotësisht në gjirin e familjes. E nuk është as rastësi e as e papritur. Është fryt i harmonisë së thellë ndërmjet njerëzve, që të bën ta shijosh me fund bukurinë e çastit të kaluar së bashku, çastit të mbështetjes gjatë ecjes së përbashkët në shtigjet e jetës. Pa harruar se në bazë të gëzimit, është gjithnjë prania e Zotit, dashuria e Tij mikpritëse, përdëllyese e durimtare për të gjithë. Nëse porta familjare nuk hapet në praninë e Zotit e të dashurisë së Tij, familja e humbet harmoninë, mbi të nis sundimi, që e shuan gëzimin. Ndërsa familja që jeton gëzimin, gëzimin e jetës, gëzimin e fesë, e përcjell vetvetiu këtë gëzim, duke u bërë kripë e tokës, dritë e botës, tharm për mbarë shoqërinë.
Jezusi, Maria e Jozefi i bekojnë dhe i mbrojnë të gjitha familjet e botës, që në to të mbretërojnë qetësia e gëzimi, drejtësia e paqja, të cilat Krishti, duke lindur, ia solli si dhuratë mbarë njerëzimit!
R. SH. – Vatikan