Shikimi i saj është lart, atje ku të gjithëve na thërret një gjëndje përulësie, pendimi dhe faljeje. Shtangemi në lutje dhe përgjërim, si kjo grua, jo gjithmonë për fajet tona, se sa për forcën që na lartëson në besim. Atje, lart, atje kahim të gjithë ne, si kjo grua, në një përpjekje për të vendosur atë komunikim që bashkon atë që ndjejmë me atë që besojmë. “Gruaja e re me shami” e Jacques-Louis David është një vullnet që kërkon të realizojë këtë marrëdhënie, të projektojë përmes shikimit të saj idilikën e një realeje që zgjohet së brendshmi për tu shpërfaqur në imagjinatë, për të marrë trajtë në një realitet ku ne e thërrasim me gjithë shpirtjen, e cila e formëson atë.
“Gruaja e re me shami”, nuk renditet te punët më të famshme të neoklasikut të pikturës franceze, Jacques-Louis David, por ajo shënon një etapë të rëndësishme të veprimtarisë së tij krijuese. E njohur si një interpretim ekspresiv, kjo pikturë paraqet një pjesë thelbësore të trajnimit akademik të piktorëve, të cilët u specializuan në temat fetare, mitologjike dhe historike. Më 1760 ushtrime të tilla shprehshmërishë estetike u bënë standarde në Shkollën e Arteve të Bukura në Paris. Duke u ndalur te marrëdhënia midis moralit dhe bukurisë, qëllimi i një piktori nuk ishte vetëm të paraqesë shikuesit një imazh të këndshëm, por edhe të lartësojë standardet e tyre morale duke përfaqësuar emocionet e shpirtit. Dhe francezi, Jacques-Louis David e ka dëshmuar me një saktësi të admirueshme këtë. “Gruaja e re me shami” është e përfshire në një moment ndrojtjeje dhe hutimi. Në sytë e saj ka frikë dhe pendim, përulësi dhe falje. Shkujdesja, rreket të tregojë dinamikën e të çdoditshmes së një gruaje, fokusar nga piktori. Drita e sheh atë në profil duke lejuar që çdo shprehi e gjendjes në të cilën ajo ndodhet, të jetë e dukshme dhe ndikuese. Mënyra e kompozimit dhe trajtimi kolorik e mbajnë në të njëjtin densitet me gjithë pjesën tjetër të krijimtarisë, me të cilën, Jacques-Louis David është botërisht i njohur dhe i pranuar, përcaktues dhe ndikues i një etape të rëndësishme të një shekulli forcash transformuese.
Albert Vataj