Mes sfidës dhe mundësisë është ende një hendek që rreket ta mbushi dyshimi dhe pamjaftueshmëria. Hapat e deritanishëm kanë provokuar stuhi skepticizmi, por është ende herët që teknologjia të thotë fjalën e fundit.
Simfonia e papërfunduar e Ludwig van Beethoven do të përfundojë, ose pretendohet të arrihet nga inteligjenca artificiale, në vazhdën e organizimeve për festimet që do të kulmojnë më 17 dhjetor 2020, që përkon me 250-vjetorin e lindjes së kompozitorit. Inteligjenca artificiale është përdorur kohët e fundit për të përfunduar Simfoninë Nr. 8 të Schubert-it, si dhe për të provuar përputhshmërinë me interpretimin e pianistit të nderuar të shekullit 20, Glenn Gould. Rezultatet kanë qenë premtuese.
Siç dihet, kur Ludwig van Beethoven vdiq më 26 mars 1827, kompozitori i njohur gjerman la pas disa fragmenteve muzikore të asaj që do të ishte simfonia e tij e 10-të. Tani, një grup muzikologësh dhe programuesish kompjuterësh po zhvillojnë një inteligjencë artificiale për të përfunduar përbërjen tërësore të veprës. Në muajin prill, një orkestër e plotë simfonike do ta interpretojë atë live në vendlindjen e Beethoven në Bon, Gjermani.
Për të trajnuar këtë program, ekipi po ushqen atë një dietë të përbërë nga vepra të përfunduara të Beethoven, versione të mëparshme të atyre kompozicioneve dhe vepra të kompozitorëve që ndikuan te Beethoven.
“Merrni një vepër të veçantë të Beethoven, një për të cilën ende ekzistojnë skica të gjera, si Simfonia Eroica,” i tha, Deutshe Welle, kontribuesja e projektit, Christine Siegert, e cili kryeson Arkivin e Beethoven në Bon. “Nëse ushqeni kompjuterin si skicat ashtu edhe produktin përfundimtar, mund të kuptoni se si punon Beethoven me skica dhe ku shkon prej andej.”
Pasi AI (kështu quhet kopjuteri i dedikuar) të përfundojë shkrimin e muzikës, një kompozitor njerëzor do të marrë përsipër ta orkestrojë atë për shfaqjen live. Sipas kompozitorit dhe muzikologut britanik, Barry Cooper, i cili shkroi lëvizjen e tij të parë për simfoninë e 10-të e Beethoven më 1988, shtoi se ekipi ka akoma shumë objektiva për të përmbushur.
“Kam dëgjuar një fragment të shkurtër që është krijuar,” tha Cooper për Agence France Press. “Nuk dukej nga distanca si një rindërtim bindës, i asaj që synonte Beethoven. Sidoqoftë, ka hapësirë për përmirësime me punën e mëtejshme të përsosjes së kompjuterit që do të imitojë gjeniun. ”
Gjithsesi është ende herët për të shuar shpresat, por mjaftueshëm për të kuptuar se e mundshmja e kësaj sfide është e madhe.
Përgatiti: Albert Vataj