Nga Mili Xhani
Fillimisht kryeministri mori “opozitën”. Pas dje-gies së mandateve kryeministri konstatoi se i erdhi në dorë shansi që nuk kishte pasur askush para tij në pushtet. Duke zëvendësuar opozitën me deputetët e blerë siguroi qeverisjen e qetë dhe blindoi PS-në nga çdo rrjedhje. Që pas shkurtit të këtij viti, askush në PS nuk e çon në mendje të dalë kundër kryeministrit. Nuk guxon sepse e di se nuk vlen më shumë se Kujtim Gjuzi apo çdo deputetë tjetër anonim.
Pas opozitës vrau protestat. Çdo reagim i opozitës reale u mbyt me gaz lotsjellës dhe me dhunë. Sot duket kohë e largët, në fakt ka ndodhur vetëm pak javë më parë, kur më shumë se 600 qytetarë u burgosen dhe u dhunuan vetëm pse dilnin në protestat e opozitës. Pasi vrau protestat dhe opozita u tërhoq, kryeministri mori zgjedhjet. I mori jo me vota, por vodhi gjithë procesin. 30 qershori ishte kambana e parë e alarmit se ky kryeministër nuk ndalet para asgjëje. Në emër të pushtetit shkoi në zgjedhje pa opozitën dhe bëri atë që as Berisha nuk e kishte imagjinuar në kohën e vet më të pushtetshme gjatë viteve ’90. Shkoj edhe më tej duke kopjuar pikë për pikë zgjedhjet moniste me kandidatë falsë dhe me votim vetëm për partinë. Pas zgjedhjeve i kishte mbetur drejtësia e re, e cila ishte kërcënimi i vetëm real për gjithë zyrtarët dhe abuzuesit. Pasi e bllokoi për tre vite, tani duket se në gjithë postet kyçe të institucioneve të reja, me ndonjë përjashtim, janë rehatuar rilindas dhe njerëz me lidhje farefisnore të forta me qeverinë. Njerëz të tillë mund jenë juristë të spikatur, por nuk përbëjnë kërcënim për qeverinë. Prova e kësaj drejtësie u dha me gjyqet e para ndaj opozitës dhe burgosjen e ish-deputetëve.
Së fundi, i duhet që për gjithë këto skandale askush të mos flasë dhe askush të mos e kritikojë. Një pjesë e medias ka kohë që është në tepsinë e pushtetit. Nuk kanë folur kurrë. Nuk kanë publikuar kurrë lajmet kritike dhe tashmë duket se dhe regjinë e marrin nga ERTV. Kanë mbetur vetëm mediat profesionale dhe kritike, tw pakta, që shqetësojnë prej kohësh qeverinë me denoncimin e skandaleve. Pa këto media nuk do ishte marrë vesh skandali i Unazës së Re. Nuk do ishin zbuluar vjedhjet me koncesionet. Nuk do ishin zbuluar mashtrimet dhe paaftësitë. Kur e pa që gjithë mediat nuk i blinte dot, në skenë doli ligji antishpifje. Paketa është censurë në kohët moderne. Njëlloj diktature kundër fjalës së lirë, por e veshur me atlete. Ligji u miratua me shumicë votash nga PS duke shënuar dhe regresin më të madh që partia e majtë ka bërë në këto 30 vite. Nuk ka rëndësi se çfarë do ndodhë me pas, por asgjë e mirë nuk pritet, sepse që tani duket se sistemi që kemi ndërtuar këto vite sot e kapi fundin. Nuk ka rëndësi nëse ligi hyn në fuqi pas 15 ditësh apo në janar. Akti i votimit nga PS është vrasje e fjalës së lirë dhe gjesti vlen më shumë se procedurat ligjore. Sigurisht dhe opozita ka mëkatet e saj në këtë degradim të shtetit dhe institucioneve. Por para se t’i bëjmë gjyqin opozitës, a nuk duhet t’i kërkojmë llogari atij që solli gjithë rrënimin e institucioneve.
Një ish-deputet burgoset për motive politike dhe opozita kërcënohet me asgjësim. Shkrimtarë dhe intelektualë kërkojnë azil politikë të kërcënuar nga pushteti, ndërsa mijëra qytetarë ikin nga sytë këmbët nga ky vend. Drejtësia, parlamenti, pushteti vendor, ekonomia dhe bizneset janë vetëm në një dorë që i kontrollon nga vila në Surrel dhe Salla e Hartave në Kryeministri. Si për të mbyllur ciklin e një pushteti total, tashmë dhe me ligj ndalohet të shkruash gjëra që nuk i pëlqejnë qeverisë. Jemi vendi që do drejtojë OSBE-në dhe duket se çdo ditë e më tepër po rrëshqasim drejt diktaturës. Kur ndalohet fjala e lirë demokracia ka marrë fund.