Pas 2 vjetësh në hetuesi nga prokurorët komunistë Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj., doli në gjyq, ku mbajti qëndrim burrëror. Në fjalën e fundit lapidar, përpara dhënies së dënimit, iu drejtua kështu prokurorit më 15 janar 1948:
“Prej jush unë nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam bâ kurrkuj keq. Mue nuk më bân përshtypj as vdekja as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna pergjysë. Të gjithë jetën teme, të gjithë talentin tem e kam shkrî vetëm për me i sherbye popullit shqiptar, pa marrë parasyshë sakrificat e privacjonet.”
Trupi gjykues mbeti i shtangur e heshti. Kryetari e ndërpreu:
“Kur ke luftue ti, çka ke bâ për popullin që po i mburrë ato vepra të cilat na nuk i dijmë?”
“Asht e kjartë se ju nuk dini kurrgjâ. Ato armë për të cilat ju mendoni, un nuk i njof as nuk i dij. Arma ime âsht penda me të cilën kam mbledhë e botue kângët mâ të bukura të trimnisë së popullit: Visaret e Kombit. Kam mbledhë e botue dy vllime me Prralla Kombtare. Ato nuk janë thjeshtë përralla, por aty paraqitet tanë urtia, filozofia e zgjuetësia e popullit tonë që t’u mësojë fëmijve mâ lehtë ushtrimin e virtuteve dhe luftimin e veseve. Po të më jepni vdekjen të gjitha punët mbeten përgjysë, ndersa po të më dënoni me burg, un u kërkoj të lejoni vazhdimin e punës sime të deritashme vetëm për të miren e popullit shqiptar.”
Deklaron para Trupit Gjykues, i përbërë nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë, P. Alizoti, A. Koroveshi dhe prokuror, Namik Qemali: “Nuk kam punue për fashizmin asnjëherë… tek Hausdingu kemi shkue me At Mati Prennushin për me kërkue lirimin e kuvendit që na kishte zanë ushtria gjermane… herët tjera At Matia ka shkue vetëm tek gjermanët, mbasi dinte vetë gjermanishten e merrësh vesht direkt…. Me zbritjen e partizanëve në Shkodër, kemi mbajtë qëndrim të ftoftë për 4-5 muej mbas vëndosjes së Pushtetit, unë për vehten teme e kam kuptue se ky Pushtet ishte komunist dhe, se po bahej rrezik për Fenë… Monsinjor Gjini, me t’u emnuem Delegat vitin e kaluem i ka drejtue një memorandum delegatit françeskan, ku kërkohej të respektohën të drejtat e katolikëve nga qeveria, mbasi ato të drejta që i takojnë po shkeleshin çdo ditë… Për armët në Kishë nuk dij gja… Me rastin e 2 dhetorit 1945, unë kam dalë për votime, por votën e kam hjellë në arkën boshe. Natyrisht, këtë e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist… një mikroskop, një aparat fotografik, 20 filma, një makinë shkrimi, një gramafon dhe një arkë me libra e dorëshkrime i kam mëshef në një odë e cila asht nalt pa shkallë, dhe po të mos të të çojë kush, nuk e gjenë dot… Për né, e quej ma të rrezikëshëm qenjen e këtij Pushteti këtu, sesa okupacionin italian e gjerman… Letrën e Padër Gjon Shllakut me pseudonim “Forca Atomike”, e kam ruejt për dokument, mbasi ajo tregon qëndrimin e Padër Gjon Shllakut, në burg…. Nuk e ndiej vedin fajtor…”